Anglia s’mbahet, Ibrahimoviç kthehet në shtëpi

Jun 16, 2012 | 14:10

Suedi - Angli 2-3

Anglezët dhurojnë spektakël, eliminohet Suedia.

Nuk mjafton krenaria për Suedinë që humbi dje në mbrëmje 3-2 kundër Anglisë. Skuadra e Olsenit i humbi të gjitha mundësitë për të kaluar grupin, edhe pse ka 90 minuta të tjera në dispozicion kundër Francës. Mund të gëzojë Roi Hoxhson që ia hodhi paq në një ndeshje të bukur, por të komplikuar. Gjithçka u vendos nga një goditje me thembër e Deni Uellbek. Është goli që promovon Anglinë dhe që e bën atë të duket shumë më e mirë sesa skuadra e tulatur dhe pa kurajë kundër Francës. Tani britanikët kanë në dorë dy rezultate kundër Ukrainës.
Pjesa e parë
E nis më mirë Anglia që lodhet për të gjetur hapësira në sulm, por ama është shumë e sigurt në mbrojtje: Parker dhe Uellbek shkojnë shumë pranë golit, por ai që zhbllokon rezultatin është Endi Kerroll, që merr një pasim perfekt në zonë dhe, duke kërcyer në mënyrë të frikshme mbi gjithë të tjerët, e dërgon topin në rrjetë. Skuadra e Hoxhsonit pasi kalon në avantazh, gabon duke u tërhequr shumë, por skuadra suedeze nuk arrin të përfitojë si duhet. Ibrahimoviç luan për hesap të tij dhe në disa raste bëhet acarues, sepse jo vetëm që nuk ndjek si duhet manovrat sulmuese, por shpesh vonon në pasime dhe tenton gjuajtje thuajse të pamundura. Është më keq akoma Elmander, që me propozimin e Ibrës ishte vendosur si “pykë” e vetme, por që gjuan gjithnjë në mënyrë të gabuar, saqë edhe po të kishin shkallë, topat e tij të lartë anglezët nuk mund t’i kapnin.
Pjesa e dytë
Ibra reflekton në pjesën e dytë dhe i jep një pasim goli Melbergut, por nuk shfrytëzohet mirë. Ai ka sërish dorë tek goli i shënuar nga Melberg, sepse lëviz shumë në zonë dhe e nxjerr bosh ish-juventinin, që pas një goditje këndi e çon topin me kokë në rrjet. Në harkun kohor të 15 minutave Suedia arrin të përmbysë jo vetëm rezultatin, por ta vërë në një presion të jashtëzakonshëm Anglinë. Në këtë moment Hoxhson hedh në fushë Uollkotin, që do të rezultojë edhe lëvizja fituese e teknikut anglez. Futbollisti i Arsenalit befason Izaksonin me një gjuajtje nga jashtë zone dhe barazohet ndeshja në 2-2. Duket sikur tani të dyja skuadrat janë dakord me një barazim, por Anglia bën me “hile” dhe ndëshkon suedezët, duke u prerë atyre të gjitha shpresat. Goli fitues? Pa dyshim që është nga ata për t’u mbajtur mend gjatë. Uollkot i shërben një top Uellbekut, që me një finte brilante i pret gjunjët Suedisë. Ky ishte rezultati më i drejtë për atë që u pa në fushë, por që pritet që të nxehë akoma më shumë ambientin në dhomat e zhveshjes së Suedisë.

Skeda e ndeshjes
Suedi – Angli 2-3

Golat: Melberg 49’, 59’/ Kerroll 23’, Uollkot 64’, Uelbek 78’.

SUEDI (4-4-1-1): Izakson; Grankvist (Lustig 66’), Melberg, Xh.Olson, M.Olson; Larson, Svenson, Kalstrom, Elm (Vilhelmson 81’); Ibrahimoviç; Elmander (Rozenberg 80’). Trajner: Erik Hamren

ANGLI (4-4-2): Hart; Xhonson, Terri, Leskot, Kol; Milner (Uollkot 61’), Xherrard, Parker, Jang; Kerroll, Uellbek (Çembërlein 90’). Trajner: Roi Hoxhson
ARBITËR: Damir Skomina (Slloveni)
Të verdhë: Melberg 63’, Xh.Olson 72’, Svenson 91’/ Milner 58’
Spektatorë: 64640

ANALIZA E NDESHJES
Njeriu i ndeshjes: Teo Uollkot është shpallur njeriu i ndeshjes. Me shpejtësinë e tij ka vënë në vështirësi gjithë mbrojtjen suedeze, duke shënuar golin e barazimit dhe duke i shërbyer atë të fitores Uelbekut.
Më i dobëti: Ka qenë pa dyshim Andreas Grankvist. I zëvendësuar nga Lustig në pjesën e dytë, mbrojtësi suedez ka zhvilluar një ndeshje të dobët, duke vuajtur së tepërmi forcën fizike të Kerrollit.
Çelësi i suksesit: Pas një pjesë të parë mjaft të mërzitshme që është mbyllur me një Angli në avantazh falë goditjes me kokë të Kerrollit, pjesa e dytë është tepër zbavitëse dhe e mbushur me emocione. Çelësi i suksesit ka qenë zëvendësimi i Roi Hoxhsonit, i cili ka futur në lojë Uollkotin, duke hequr nga fusha Milnerin. Mesfushori i Anglisë rezultoi vendimtar, pasi shënoi golin e barazimit dhe dha pasimin për të tretin.
Moviola: Damir Skomina, arbitri slloven, ka drejtuar ndeshjen pozitivisht. Pjesa e parë ka kaluar pa kartonë të verdhë dhe me pak faulle të vërshëllyer. Në fillim të 45-minutëshit të dytë edhe mund të ishte dhënë karton i verdhë për një faull të shëmtuar të Kerrollit, por Skomina i ka tërhequr vëmendjen vetëm verbalisht. Ndëshkimi i parë me karton bëhet në minutën e 58-të dhe është i drejtë për një faull të shkaktuar nga Milner.

Uollkot
Roi Hoxhsonin e shpëtoi Teo Uollkot. Futja në fushë e mesfushorit të Arsenalit në vend të Milnerit 30 minuta nga fundi ishte dhe çelësi i fitores së Anglisë. Por, asi i Arsen Vengerit është modest, edhe pse pranon se pret më shumë besim nga trajneri në këtë eveniment. “Nuk do të thosha se e ndryshova vetëm unë fatin e ndeshjes. Është gjithnjë bukur kur vjen nga stoli dhe tregon se çfarë je në gjendje të bësh. Jam i zhgënjyer që nuk isha titullar, por prapëseprapë jam i lumtur që munda të jem deciziv. M’u duk sikur hyra në lojë nga sprinti i nxehmjes dhe me të njëjtën shpejtësi përmbysëm dhe rezultatin”.

Uelbek
Pa dyshim që goli i sulmuesit të Junajtid do të hyjë në historinë e këtij Europiani. Gjuajtja në rrotullim 360 gradë pas asistit nga krahu i djathtë i Teo Uollkot, ishte një ekzekutim që do ta kishte zili edhe Ibra. “Jam i lumtur me golin që na dhuroi 3 pikë decizive, por nuk më pëlqeu fakti që pësuam dy gola shumë të lehtë”, – tha sulmuesi 21-vjeçar, i cili shënoi golin e dytë me përfaqësuesen. “Skuadra tregoi shpirt gare. E mblodhi veten dhe arriti të përmbyste gjithçka pavarësisht presionit. Tani do të kthehemi në Poloni, do të rifitojmë forcat dhe do mendojmë për ndeshjen e fundit me Ukrainën. Nuk shkojmë për të marrë një barazim me organizatorët. Duam të fitojmë dhe presim biletën”, – shtoi talenti.

Sezon i dështuar, Ibra nuk fiton asgjë
Ka qenë tërësisht i pafat në këtë sezon sulmuesi suedez, Zlatan Ibrahimoviç. Pasi e ka humbur titullin në kampionatin italian me Milanin, që është renditur në vendin e dytë dhe është eliminuar nga Liga e Kampioneve dhe Kupa e Italisë, bomberi i kuqezinjve ka marrë një tjetër goditje. Pas humbjes 2-3 ndaj Anglisë mbrëmjen e djeshme në fazën e grupeve, kombëtarja e tij është detyruar që t’i japë lamtumirën kampionatit europian të Polonisë dhe Ukrainës, edhe pse ka mbetur edhe një ndeshje për t’u luajtur. Për pasojë, ky sezon mund të konsiderohet totalisht i dështuar për Zlatan Ibrahimoviçin, i cili nuk shkëlqeu aspak në këtë kompeticion.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura