Anglisë i duhen dy fitore radhazi në fushatën e eliminatoreve të “Euro 2012”-s që të zgjidhë para transfertës së Malit të Zi (10 tetor) çështjen e kualifikimit në Grupin G. Skuadra e Kapelos kryeson grupin bashkë me ballkanasit, në kuotë të barabartë pikësh. Ishullorët nuk kanë humbur në 9 ndeshjet e tyre të fundit, plus që në përballjen e parë kanë mundur, brenda në “Uembli”, Bullgarinë 4-0. Kapelo shpreson që të përsërisë të njëjtën paraqitje edhe në ndeshjen e Sofies të premten. “Bullgaria dhe Uellsi janë dy ndeshje mjaft të rëndësishme për ecurinë tonë. Ne e luajmë ndeshjen e fundit kundër Malit të Zi dhe duhet të jemi në krye të grupit për të mos i vështirësuar gjërat, sepse ajo pritet të jetë një ndeshje delikate. Stadiumi, fusha dhe tifozët malazezë janë tepër të fortë. Duhet të marrim gjashtë pikë, sepse rivalët luajnë vetëm një ndeshje në këto dy data dhe kemi shansin që t’i parakalojmë”, ka theksuar Kapelo. Ndërkaq, tekniku nuk ka dhënë
asnjë indicie mbi formacionin që do përdorë në këto dy takime.











