Java e parë e Premier Ligës angleze, planifikuar për t’u luajtur këtë fundjavë, mund të shtyhet për shkak të trazirave që kanë pushtuar Londrën dhe Mançesterin. Lajmi është konfirmuar nga vetë Federata, Ministria e Sporteve dhe autoritetet e rendit. Pasi është anuluar miqësorja mes Anglisë dhe Holandës për motive sigurie, në rast se situata nuk do të përmirësohet deri në fundjavë, atëherë do të ketë një zgjidhje të njëjtë edhe për Premier Ligën. Sot do të ketë një takim mes palëve për të vendosur zyrtarisht nëse do të luhet apo jo java e parë e kampionatit në stadiumet e Londrës dhe Mançesterit. Në kryeqytetin anglez janë parashikuar që të zhvillohen këtë të shtunë tri takime: Totenhem-Everton; Fulham-Aston Vila dhe QPR-Bolton. Në rrezik është edhe Uest Bromuiç-Mançester Junajtid. Policia tha se ndeshjet që luhen në qytetet e tjera nuk përbëjnë rrezik për të mos u luajtur. Por është edhe një ndeshje Champions-i që mund të shtyhet. Arsenal-Udineze është planifikuar që të luhet të martën (16 gusht) në “Emirates Stadium” për “play-off”-in e Ligës së Kampioneve, por nuk ekziston ende siguria nëse mund do të mund të luhet sipas axhendës. Vendimi për këtë ndeshje do të merret nesër (të premten). “Pas 48 orëve do të kemi një ide më të qartë të situatës në Londër”, – u shpreh një zëdhënës i “Scotland Yard”-it. Impianti i “topçinjve”, “Emirates Stadium”, ndodhet në lagjen e Islingtonit, një prej vendeve ku janë zhvilluar përleshjet më të dhunshme. Londra ka hyrë në ditën e pestë të kaosit, i cili ka pllakosur kryeqytetin pas vrasjes së një personi me ngjyrë nga policia në lagjen e Totenhemit. Situata e rënduar ka prekur dhe evenimente të tjera sportive në Angli, duke sjellë shtyrjen e disa takimeve të turit të parë të “Carling Cup”.
Vendimi/ S’ka ndeshje as me dyer të mbyllura
Federata Angleze ka përjashtuar çdo mundësi që ndeshjet e kampionatit të luhen me dyer të mbyllura. Kjo vlen edhe për miqësoren e “Uembli”-t, Angli-Holandë, e cila ishte parashikuar të luhej një ditë më parë. Ekzistonte mundësia që policia të jepte miratimin që ndeshjet e Premier Ligës të zhvilloheshin normalisht në rast se nuk do të kishte tifozë në shkallët e stadiumit, por Federata dhe klubet nuk kanë qenë dakord. “Të gjithë që kanë provuar të luajnë me dyer të mbyllura, kanë provuar se çfarë eksperience e pakuptimtë është”, – shprehu drejtori i menaxhimit të Premier Ligës, Bevington.











