Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, duke folur për gazetarët, theksoi se të premten raporti i Vlerësimit të Piketave të Ndërmjetme (IBAR) do të kalojë te Komiteti i Përfaqësuesve, ndërsa javën e ardhshme pritet që të mbahet edhe Konferenca ndërqeveritare.
Balla tha se Gjermania e ka vlerësuar Shqipërinë si një model për reformën në drejtësi dhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit. Duke komentuar iniciativën e kancelarit Friedrich Merz për zgjerimin e BE, ai theksoi se integrimi graudal nuk e dëmton vendin tonë.
“Kjo javë e rëndësishme mbyllet nesër me komitetin e përfaqësuesve, për të ecur javën tjetër me konferencën ndërqeveritare. Kur kemi qenë në Berlin e kemi kuptuar se do të kishte një komunikim zyrtar përmes kancelarit sa i përket angazhimit të Gjermanisë për ta përmbyllur procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë me angazhimin që citohet qartë, diçka që ju e kishit dëgjua edhe më përpara nga Rama, të gjejmë një zgjidhje thotë Merz, që të na garantojë edhe anëtarësimin me faza. Nuk duhet të kemi frikë që anëtarësimi me faza na dëmton. Përkundrazi, s’ka të bëjë me ne.”, tha Balla.
I pyetur për çështjen e ish zëvendës kryeministres dhe ish ministres së Infrastrukturës Belinda Ballukut, për të cilën PS bllokoi drejtësinë për të vepruar, Balla tha se vendet anëtare nuk merren me emra specifikë.
“Në botën demokratike të vendeve anëtare të BE ku duam të anëtarësohemi, ka një parim i cili respektohet edhe nga vendet anëtare. Ju e patë raportin e PE. Në botën demokratike nuk merren me emra, na kanë ngelur nga komunizmi dhe merremi vetëm ne me raste. Duhet të heqim dorë nga kjo kulturë. Në botën demokratike, besimi është te drejtësia. Jo vetëm Gjermania, por edhe vende të tjera, reformën tonë në drejtësi e rekomandojnë si shembull edhe në vende të tjera.“, tha ai.
Balla tha po ashtu se reforma në drejtësi rekomandohet si një shembull për vendet e tjera, duke përmendur Moldavinë.
Pjesë nga fjala e Ballës:
Jemi në përmbyllje të një jave brenda së cilës BE në respekt të procedurave burokratike kalon nga grupi i punës te Komiteti i Përfaqësuesve nesër, ku në njëfarë mënyre miratohet gjithë ajo punë kolosale e bërë nga shumë institucione shtetërore të përfshirë në këtë proces të adresimit të piketave të ndërmjetme.
Në një prej grup kapitujve më të rëndësishëm që janë themelorët, u identifikuan më shumë se 92 hendeqe, pra problematika që duheshin adresuat. Në rastin e Shqipërisë, dua të citoj vlerësimin që vjen nga Gjermania si një vend udhëheqës në kuadër të barazisë brenda vendeve anëtare të BE, ku thuhet se Shqipëria me reformën në drejtësi, vettingun luftën kundër korrupsionit dhe krimit, reforma në drejtësi është një model për vendet e tjera. Kjo javë e rëndësishme mbyllet nesër me komitetin e përfaqësuesve, për të ecur javën tjetër me konferencën ndërqeveritare.
Kur kemi qenë në Berlin e kemi kuptuar se do të kishte një komunikim zyrtar përmes kancelarit sa i përket angazhimit të Gjermanisë për ta përmbyllur procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë me angazhimin që citohet qartë, diçka që ju e kishit dëgjua edhe më përpara nga Rama, të gjejmë një zgjidhje thotë Merz, që të na garantojë edhe anëtarësimin me faza.
Nuk duhet të kemi frikë që anëtarësimi me faza na dëmton. Përkundrazi, s’ka të bëjë me ne. Ambicia jonë për të mbyllur negociatat deri në fund të 2027 përputhet me programin e dakordësuar. Ajo që propozon kancelari gjerman, e njëjta linjë me Italinë dhe Austrinë, ka të bëjë me ratifikimin. Në fund të 2027, mbyllen negociatat. Nga ai moment bëhet gati marrëveshja që shkon për t’u ratifikuar nga vendet anëtare. Nga ai moment, topi është në fushën e tyre. Procesi i ratifikimit është i gjatë, mund të kërkojë përfshirjen e parlamenteve dhe përfshirjen e popullit me referendum.
Në botën demokratike të vendeve anëtare të BE ku duam të anëtarësohemi, ka një parim i cili respektohet edhe nga vendet anëtare. Ju e patë raportin e PE. Në botën demokratike nuk merren me emra, na kanë ngelur nga komunizmi dhe merremi vetëm ne me raste. Duhet të heqim dorë nga kjo kulturë. Në botën demokratike, besimi është te drejtësia. Jo vetëm Gjermania, por edhe vende të tjera, reformën tonë në drejtësi e rekomandojnë si shembull edhe në vende të tjera.
© Panorama.al











