Andres Iniesta, “Topi i Artë” i Europianit 2012

Jul 3, 2012 | 15:02

Është ai, është Andres Iniesta! Ylli i mesfushës së Spanjës u shpall si lojtari më i mirë i këtij Kampionati Europian. Pasi fitoi titullin me skuadrën e tij kombëtare, ai u veçua për cilësinë e lojës së tij. Iniesta u shpall 3 herë lojtari i ndeshjes në 6 takimet e iberikëve në Ukrainë dhe Poloni. Kjo ndodhi në ndeshjen e grupit ndaj Italisë, barazuar 1-1, pastaj në ndeshjen e grupit ndaj Irlandës, fituar 4-0 dhe tani së fundi në finale. Iniesta është lojtari i tretë në Europian që ka goditur më shumë portën kundërshtare dhe ndonëse ka shënuar vetëm një gol, duke dhënë gjithashtu vetëm një asist goli, sërish ka qenë pjesëmarrës në shumicën dërrmuese të ndeshjeve të “La Rohës”. Ai është lojtari i gjashtë për efikasitetin e pasimeve të tij, duke qenë në nivelin 75 për qind, me 465 pasime të provuara dhe 350 të realizuara. Është hera e dytë radhazi që një lojtar i Spanjës fiton titullin e futbollistit më të mirë në një Kampionat Europian. Iniesta pason shokun e tij të skuadrës, madje shokun e tij të repartit, Ksavi Hernandez, i cili u shpall si më i miri në “Euro 2008”. Të dy këta kampionate europianë janë fituar nga Spanja. Po ashtu, Spanja e këtij viti fitoi edhe Këpucën e Artë, pasi kjo iu dha Fernando Torresit, lojtarit që shënoi 3 gola, aq sa disa lojtarë të tjerë në turne, por vendimtar ishte asisti për Huan Matën në rastin e golit të katërt.

Dhjetë spanjollë te 23 më të mirët e Europianit
Ka dalë një skuadër e plotë e përzgjedhur dhe jo një 11-she. Kjo skuadër e përzgjedhur me 23 lojtarë përmban më së shumti spanjollë, plot 10, ndër të cilët 5 janë të Barcelonës, 3 të Realit të Madridit, 1 i Valencias dhe 1 i Mançester Sitit. Përveç 10 spanjollëve, janë edhe 4 italianë e 4 gjermanë, 3 portugezë, një anglez dhe një zviceran. Ndër spanjollët, ata që bien në sy që kanë mbetur jashtë kësaj 23-shje janë Fernando Torres, Huan Mata dhe Arbeloa. Në tërësi, nga klubet, më shumë lojtarë ka Reali i Madridit, 8, Barcelona e ndjek me 6.
Portierë: Iker Kasijas (Spanjë), Xhanluixhi Bufon (Itali), Manuel Nojer (Gjermani)
Mbrojtës: Pike (Spanjë), Koentrao (Portugali), Lam (Gjermani), Pepe (Portugali), Sergio Ramos (Spanjë), Hordi Alba (Spanjë)
Mesfushorë: Daniele de Rosi (Itali), Stiven Xherrard (Angli), Ksavi Hernandez (Spanjë), Andres Iniesta (Spanjë), Sami Khedira (Gjermani), Sergio Buskets (Spanjë), Mesut Ozil (Gjermani), Andrea Pirlo (Itali), Shabi Alonso (Spanjë)
Sulmues: Mario Baloteli (Itali), Sesk Fabregas (Spanjë), Kristiano Ronaldo (Portugali), Zllatan Ibrahimoviç (Suedi), David Silva (Spanjë)

© Panorama.al

Te lidhura