Pak javë pas debatit të ashpër me Preç Zogajn në emisionin “Opinion” dhe pasi në rrjetet sociale qarkulloi një dokument, që e akuzonte Andrea Stefanin se ishte spiun i Sigurimit të Shtetit, ai ka publikuar dokumentet origjinale që hedhin poshtë aludimet dhe akuzat.
Sot, vetë Stefani ka botuar edhe faksimilet e gjyqit për të cilin aludohej se Stefani kishte spiunuar.
Më poshtë sqarimi i Stefanit për gazetën Dita.
“Adolf Hitleri këmbëngulte se “nëse thoni një gënjeshtër të madhe dhe e përsërisni vazhdimisht dhe mjaftueshëm, ajo do të besohet”.
Një thënie dhe taktikë që është pjesë themelore e artit të mashtrimit publik që nëse tolerohet, do të jetë me pasoja shumë të rënda për publikun.
Të çfarë natyre? Pikërisht të asaj natyre dhe madhësie që ishin pasojat e vuajtura nga publiku gjerman, pikërisht sepse besoi dhe mbështeti gënjeshtrën e madhe naziste. Është pikërisht detyrimi që të bëj pjesën time të punës në demaskimin e industrisë së gënjeshtrës që është ngritur këto vite në Shqipëri, që më nxit të sqaroj edhe më tej publikun rreth një mashtrimi që u hodh pak kohë më parë mbi personin tim, duke më akuzuar publikisht me dokumente të falsifikuara, sikur paskam qenë spiun i Sigurimit të Shtetit dhe se gjoja paskam bërë që të dënohet një person.
Nuk kam aspak ndërmend të zhytem në llumin e kësaj kënete që po përbalt gjithë Shqipërinë duke bërë që e vërteta dhe gënjeshtra të kapërthehen aq ligsht, sa nuk mund të dallosh ku nis njëra e ku mbaron tjetra.
Por edhe për faktin se profesioni i gazetarit që ushtroj, jo vetëm nuk do të kishte kuptim, por do të qe pjesa më e ndyrë e industrisë së mashtrimit, nëse nuk do të kishte për idhull të vërtetën. Prandaj, gjëja e parë që bëra pas hedhjes në qarkullim të shpifjes rreth meje, ishte gjetja në arkiva e dokumentit real që është falsifikuar duke shtuar mbi të emrin dhe mbiemrin tim dhe gjoja firmën time.
Pra, po publikoj dokumentin real ku emri dhe mbiemri Andrea Stefani dhe gjoja firma ime, nuk figurojnë gjëkundi. Ndërkaq, sikundër kam paralajmëruar, hapa të tjerë do të pasojnë duke dërguar para gjykatës median që e përhapi këtë mashtrim gjithë ngazëllim, duke injoruar çdo parim e teknikë profesionale. Sepse është skandaloze që një gazetë të publikojë një akuzë ndaj një personi, pa verifikuar fare vërtetësinë e kësaj akuze. Aq më keq kur dokumentet e publikuara janë të falsifikuara.
Aq më keq kur edhe pasi njofton median në fjalë se e gjithë kjo është një mashtrim, ajo nuk lëviz as gishtin për ta korrigjuar mashtrimin. Gjë që të lë të dyshosh se media në fjalë ishte palë në mashtrim. Ky është një dhunim i hapur i të gjithë kodeve të etikës gazetareske.
Të bësh kështu do të thotë që media, e cila ka për mision mirëinformimin e publikut me anë të të vërtetave, të vihet në dispozicion të dezinformimit dhe të gënjeshtrës. Do të thotë që media, si industri e të vërtetës, të degradojë në industri të gënjeshtrës“, shkruan Stefani.
© Panorama.al











