
Prokuroritë e Apelit kanë zhvilluar një volum të konsiderueshëm pune duke shënuar arritje në rezultatet e tyre krahasuar me shifrat e një viti më parë. Konstatimi u bë gjatë analizës së punës një vjeçare të Prokurorive të Apelit, Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Korçë, Gjirokastër dhe të Prokurorisë së Apelit të Krimeve të Rënda, ku merrte pjesë edhe kryeprokurorja e Përgjithshme, Ina Rama.
Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2011 janë gjykuar nga Gjykatat e Apeleve Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Korçë, Gjirokastër dhe Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, rreth 5260 çështje.
Nga këto gjykime vërehet se Gjykata ka përkrahur rreth 25% të çështjeve të gjykuara në Apel mbi bazën e ankimeve të prokurorëve. Ndërsa ka lënë në fuqi rreth 78% të vendimeve gjyqësore që ka patur ankim nga të pandehurit, duke përkrahur qëndrimin e prokurorit.
Gjatë analizës së punës së prokurorive të Apelit, u evidentuan disa problem shqetësuese për çështje të caktuara, ku ndër të tjera u vu theksi tek propozimi për ndryshimin e Kodit Penal përsa i përket dispozitave që lidhen me mbajtjen, shpërndarjen dhe tregtimin e lëndëve narkotike. Kjo nisur nga fakti se shumë prej të pandehurve rezultojnë përdorues dhe me doza të vogla
Shqetësime të tjera, prishja dhe kthimi për rigjykim në shkallë të Parë për shkelje proceduriale të kryera nga gjykatat e shkallëve të para, sidomos në rastet e gjykimit të shkurtuar të kryer në Gjykatat e shkallës së pare, si dhe shqetësimi për lirimet nga gjykata para kohe të të pandehurve duke I vënë të pandehurit në provë.
Gjithashtu u vu në dukje se numri i rekurseve të bëra nga Prokuroritë e Apeleve të pranuara nga Gjykata e Lartë ka qenë i vogël.
© Panorama.al











