Amnistia, u falën taksat e detyrimet për 8 mijë makina

Feb 2, 2012 | 11:58

Amnistia u fali qytetarëve shqiptarë plot 4.6 miliardë lekë, që vinin si rezultat i detyrimeve të papaguara që kishin ndaj Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor. Një pjesë e mirë e këtyre detyrimeve lidhet me çregjistrimin e makinave, të cilat nuk ishin në qarkullim apo dhe detyrime të tjera si taksa e fatura. Në analizën që bëri dje Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, u detajuan më gjerë edhe shifrat. Drejtori i Përgjithshëm, Arben Pinari, vlerësoi se viti 2011 ishte një vit i suksesshëm dhe që solli përfitime të larta për qytetarët. “Taksa të falura për mjetet që janë në qarkullim 8058 copë, të cilave iu janë falur 15 230 vite me vlerë 331 314 675 lekë. Taksa të falura për mjete të çregjistruara përfundimisht apo të dala jashtë përdorimit janë 33 307 mjete, të cilave u janë falur në total 141 791 vite me vlerë 4 miliardë e 326 milionë lekë. Pra, qytetarët dhe biznesi shqiptar kanë përfituar gjithsej nga taksa të falura 4 miliardë e 657 milionë lekë taksa të falura, që u përkasin 41 365 mjeteve”, u shpreh Pinari. Në fjalën e tij shprehu edhe objektivat që ka institucioni që ai drejton për vitin 2012, i cili lidhet ngushtë me thjeshtimin e procedurave për qytetarët dhe uljen e kostos së tyre. Kjo në fakt ecën në të njëjtin kah me mundësimin e procedurave edhe elektronikisht. Aktualisht, Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor është e lidhur online me një seri institucionesh në vend, ndërkohë që kjo pritet të përmirësohet edhe më tej, çka do t’i shërbejë më shumë edhe efikasitetit.

© Panorama.al

Te lidhura