Amnistia, 8 ditë para mbylljes u rivlerësuan 57.603 mijë prona

Aug 24, 2012 | 11:48
Gjatë një mbledhjeje qeverie

Nga amnistia fiskale kanë përfituar 57.603 familje dhe biznese që kanë rivlerësuar pronat e tyre. Amnistia u shty deri në fund të gushtit për rivlerësimin e banesave dhe pronave të tjera. Pas kësaj date, sipas Financave, do të mbyllet amnistia e parë e madhe fiskale. Shifrat e publikuara dje tregojnë se në total të ardhurat vetëm nga rivlerësimi i pasurive kanë arritur në 2.55 miliardë lekë. Amnistia parashikonte që çdokush që ka një apartament apo pronë me një çmim të ulët, mund ta rivlerësojë atë, duke e barazuar me çmimin e tregut. Sipas ligjit të tatimeve, në një kohë normale, për diferencë mes vlerës së re të përfituar dhe vlerës së mëparshme paguhej tatimfitimi prej 10 për qind. Me amnistinë, e cila do edhe 8 ditë të skadojë, paguhet vetëm 1 për qind. Kështu, një apartament i regjistruar në hipotekë si i blerë me 40 mijë euro, sot në bazë të rivlerësimit vlen 90 mijë euro. Diferenca nga rivlerësimi është 50 mijë euro. Për këtë diferencë, në rast se një qytetar kërkon të përfitojë nga amnistia, do të paguajë vetëm 1 për qind, pra 500 euro dhe vlera e re e apartamentit do të shënohet në hipotekë si 90 mijë euro. Pas mbarimit të amnistisë, për të njëjtin rivlerësim, qytetari do të paguajë 10%, ose 5 mijë euro. Në njoftimin e Financave theksohej se “afati i përfundimit të rivlerësimit të pasurive të tyre të paluajtshme, ndërtesa dhe tokë, përfundon më datë 31 gusht. Shtyrja e afatit të zbatimit të ligjit nga data 31 mars në datën 31 gusht rezultoi të ishte një masë e suksesshme e qeverisë. Ministria e Financave inkurajon të gjithë qytetarët e tjerë që të nxitojnë të bëjnë rivlerësimin e pasurisë së tyre me vlerën reale të tregut.”
Sipas një llogarie të thjeshtë, vlera e re e përfituar nga qytetarët nga amnistia fiskale shkon në rreth 2.55 miliardë USD. Kjo pasi nga tatimi 1 për qind janë arkëtuar 25 milionë USD, që do të thotë se vlera e re e shtuar është 100 herë më e madhe sesa tatimi, ose rreth 2.55 miliardë USD.

Te dhenat e amnistise
Periudha            Nr i rivlerësimeve    Tatimi mbi rivlerësimin

Qershor-dhjetor 2011        24,362            1,117,892,000
Total janar-mars 2012        22,613            981,862,000
Total prill-korrik 2012        10,628            458,383,588
nga te cilat:
Prill 2012            3,300            89,925,000
Maj 2012            1,960            61,022,196
Qershor 2012            2,230            81,178,866
Korrik                 3,138            226,257,526
Janar – Korrik  2012        33,241            1,440,245,588

Total                 57,603            2,558,137,588

© Panorama.al

Te lidhura