Ata do të shfaqen në formë perfekte në puntatën e parë të spektaklit “Dancing with the stars”, që pritet të nisë transmetimin në ekranin e “Vizion Plus” në mesin e muajit mars. Gjithçka rreth detajeve të look-ut dhe veshjeve, Ami Toska, moderatorja për herë e të dytë e këtij spektakli, ka vendosur ta mbajë sekret deri në shfaqjen e saj në ekran, me partner Ermal Mamaqin, bashkëshortin e saj në jetë. Por si do të jetë komunikimi i tyre skenik kësaj here, a do të ketë ngacmime, batuta apo ndonjë vallëzim në çift? Ami tregon për gazetën “Panorama“ se kjo mbetet për t’u parë. Besoj se do ketë ndryshime, të cilat lidhen me komunikimin tonë në çift dhe të gjitha do të mund t’i shihni në javët e këtij “reality show”. Ndërkohë që këto ditë ajo shfaqet në një reklamë televizive si imazhi i i kosit të frutave “Activia”, një reklamë që u dedikohet linjave elegante të trupit dhe një forme të mirë fizike. Po realisht si do të shfaqen Ami dhe Ermali në këtë sezon të ri, dhe a janë duke mbajtur ndonjë dietë? “Përveçse konsumoj shumë ‘Activia’ jam duke mbajtur një dietë, ose e thënë më mirë, ushqehem sipas një menyje ditore të bazuar në ushqim të kontrolluar. Kjo është një dietë që po e mbajmë të dy, bashkë me Ermalin. E kemi filluar në datën 2 shkurt dhe do ta mbajmë deri në fund të muajit mars”, thotë Ami. “Ndërkohë që para fillimit të kësaj diete jemi marrë me palestër deri para një muaji, ndërsa momentalisht unë e kam lënë palestrën për ta rifilluar sërish këto ditë. Për sa i përket punës së tyre në çift, përveç punës individuale të secilit prej tyre për funksionin përkatës në spektakël, ata e komentuan këtë eksperiencë televizive si spektaklin ku gjetën tek njëri-tjetri edhe sensin e bashkëpunimit në një projekt të njëjtë. Në një intervistë për “Panorama Plus”, ata e komentuan si një emocion të rrallë që shumë pak çifte kanë luksin ta përjetojnë, pra të jenë çift edhe në jetë edhe në skenë, e ta eksplorojnë njëri-tjetrin në një hapësirë të paprekur më parë.
Dieta e Amit dhe Ermalit
Po cila është dieta që ata po mbajnë për t’u shfaqur në formë në spektaklin “Dancing with the stars”? “Në fakt ne përditë na vjen ushqimi i paketuar dhe çdo ditë konsumojnë ushqime të ndryshme. E rëndësishme në këtë lloj diete dhe sekreti i dobësimit apo ruajtjes së balancës në peshë është sasia e kontrolluar e ushqimit që konsumojmë”, tregon Ami. Gjithsesi, në menynë tonë të përditshme ka shumë sallatë, kos natyral me fruta, dy herë në javë salmon ose karkaleca shoqëruar me pasta, pure perimesh dhe fileto pule. Ndërsa në lidhje me ushqimet tona të preferuara në tavolinë jashtë dietës janë ushqimet e skarës dhe ëmbëlsirat, që realisht na pëlqejnë shumë”, thotë ajo.
Ami: Unë, imazhi i kosit të frutave për Shqipërinë, në Itali është Alesia Marcucci
Ndërkohë, pas një pauze në ekran me mbylljen e sezonit të kaluar të “Dancing with the stars”, Ami shfaqet si imazh i kosit të frutave “Activia”.”Këtë ofertë e pranova për shumë arsye”, thotë ajo. “E para sepse është një brand ndërkombëtar me reputacion shumë të mirë në treg. Ndërkohë që u ndjeva e vlerësuar se midis disa emrave më kishin zgjedhur për disa faktorë të mbledhur bashkë, që me sa duket i gjetën tek unë. Dhe më kryesorja, është se në çdo shtet për 2012-n u zgjodh një personazh i njohur dhe i rëndësishëm sipas kritereve që drejtuesit e kompanisë kanë vendosur. Për shembull, në Itali këtë reklamë e bën Alesia Marcucci.











