AMF mbron kompanitë: Rritja e çmimit të sigurimit të makinave, normale

Feb 11, 2012 | 11:09

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka thyer heshtjen dje, përmes një njoftimi për shtyp lidhur me rritjen e çmimeve të sigurimit të mjeteve motorike që nga data 1 shkurt. Autoriteti duke iu referuar ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve të transportit”, në pikën ku përcaktohet liberalizimi i tregut, argumenton se rritja e çmimeve është normale pas këtij procesi. “Pas heqjes së regjimit të tarifave fikse në gusht të vitit 2011, tendenca në tregun shqiptar të sigurimeve ka qenë drejt uljes së çmimeve, tendencë e kundërt krahasuar me vendet që kanë kaluar më parë këtë proces. AMF ndjek me bazë ditore situatën në tregun e sigurimeve të detyrueshme motorike dhe ka monitoruar rritjen e çmimeve nga operatorët”, thuhet në njoftimin e autoritetit. Nga ana tjetër, AMF vlerëson se çmimet e ulëta të MTPL-së së brendshme që u panë gjatë muajve të parë menjeherë pas liberalizimit, nuk kanë reflektuar saktë situatën reale në treg dhe koston e produktit. Kështu, gjatë shtatorit u vunë re në treg çmime tej mase të ulëta, që për një mjet me fuqi motorike nën 1600 cm3 ishte rreth 4500 lekë, ndërsa për ato mbi 1600 cm3 vlera e sigurimit ishte 6-7 mijë lekë. Ky nivel çmimesh për AMF-në nuk paraqet çmimin real të tregut. Mbi bazë të kësaj, AMF kërkoi llogaritjen e kostos nga Komiteti i Aktuarëve, të cilët dolën në përfundimin se një policë sigurimi duhet të ishte mbi 10 mijë lekë, pa përfshirë këtu shpenzime të tjera të kompanive dhe pa llogaritjen e taksave. Në këtë pikë, AMF ka aprovuar rritjen e primeve të sigurimit të makinave, duke e konsideruar atë si normale. “Në kushtet e një tregu të lirë, e rëndësishme është të monitorohet shëndeti financiar i operatorëve për angazhimet që ata kanë ndaj publikut dhe përgjegjësitë për të shlyer dëmet sipas kontratave të lidhura me publikun. Theksi në tregjet e lira vendoset tek tarifimi i kujdesshëm dhe i drejtë i produktit dhe jo tek miratimi i çmimeve”, thuhet në deklaratën e AMF. Nga ana tjetër, ky autoritet vlerëson se tarifa që i ofrohet konsumatorit, përmban edhe elemente shpenzimesh administrative sipas eksperiencës së shoqërive të veçanta.

Çmimet e reja

 

Në Europë
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare gjykon se shtrenjtimi i çmimeve për sigurimin e mjeteve motorike pas procesit të liberalizimit ka ndodhur njëlloj edhe në vende të tjera të botës. “Historia e tarifimit të sigurimeve në vendet e tjera të Europës dëshmon se zbatimi i tarifave sipas rregullave të tregut është e vetmja mënyrë për të shtyrë shoqëritë e sigurimit që të ulin koston e sigurimit në afatgjatë, pavarësisht se historikisht në vitet e para pas liberalizimit, çmimet edhe në këto vende kanë pësuar rritje të ndjeshme”, shprehet AMF.

 

© Panorama.al

Te lidhura