Amerika, simboli i lirisë dhe progresit

Jul 1, 2012 | 11:44

AGIM NEZA

Këto ditë populli amerikan feston 236-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ditë është një festë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Është dita kur amerikanët festojnë Pavarësinë kudo që ata ndodhen. Dita zyrtare e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara u bë 4 korriku i vitit 1776, dita kur Kongresi Kontinental votoi për miratimin e Dokumentit të Pavarësisë. Në këtë dokument deklarohej se qeveritë kanë të drejtën të ekzistojnë vetëm për të mbrojtur të drejtat e popullit të tyre.
Në Deklaratën e Pavarësisë thuhej gjithashtu se populli ka të drejtën të ndryshojë qeverinë, nëse ajo u mohon atyre të drejtat. Komisioni që hartoi Deklaratën e Pavarësisë u udhëhoq nga Tomas Xheferson, ku merrnin pjesë edhe personalitete që kontribuuan për Pavarësinë e Amerikës dhe për demokracinë e saj si Xhon Adams, Benxhamin Franklin, Roxher Sherman etj.
Amerikanët mblidhen çdo 4 korrik jo vetëm për të festuar triumfin e demokracisë, historinë, qeverisjen, traditat e SHBA, me fjalime politike, parada, fishekzjarrë, karnavale, koncerte, piknikë, lojëra bejsbolli, pritje në ambasada etj., por edhe për të skicuar më tej të ardhmen e saj.
Në këtë përvjetor duket se forca e vërtetë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk vjen as nga shkalla e pasurisë, dhe as nga forca e armëve, por nga fuqia e idealeve të amerikanëve, që nënkuptojnë demokracinë, lirinë dhe shpresën për ta pasur Amerikën gjithmonë të papërkulur dhe të suksesshme.
Askush më shumë se sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka kontribuuar për të ndihmuar demokracinë të triumfojë si sistem universal. SHBA kanë qenë dhe mbeten mbështetëse për të triumfuar ndaj përvojave të hidhura të të gjitha atyre vendeve që përjetuan fashizmin, nazizmin, diktaturën komuniste, regjimet ushtarake dhe qeveritë diktatoriale. Mbështetja e SHBA ndikoi që dëshira e zjarrtë e popujve për liri të rritej dhe në sajë të kësaj mbështetje, popujt vazhduan të marshonin të sigurt drejt fitores së demokracisë. E tillë ishte edhe Shqipëria, e cila e përjetoi demokracinë vetëm pas viteve ‘90.
Arsyeja e këtij shkrimi nuk është thjesht për të kujtuar një datë të përvjetorit të Pavarësisë apo për t’u përcjellë një urim, nëpërmjet gazetës “Panorama”, të gjithë amerikanëve, por në thelb është se SHBA, si shteti më i fuqishëm i botës, ka qenë një aleat dhe mbështetje për Shqipërinë dhe shqiptarët që nga krijimi i shtetit shqiptar e gjer ditët e sotme. SHBA kanë kontribuuar në njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë (Presidenti Uillson), në konsolidimin e demokracisë, në anëtarësimin në NATO dhe në mbështetjen që u ka dhënë shqiptarëve të Kosovës për pavarësinë e saj.
Kësisoj, kjo festë është në memorien e shqiptarëve edhe për faktin se marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë janë të shkëlqyera, niveli i bashkëpunimit dhe miqësisë që përjeton populli shqiptar për Amerikën dhe popullin amerikan vështirë se haset diku tjetër. Gjatë këtyre 20 viteve të demokracisë, të gjitha qeveritë shqiptare kanë pasur dhe kanë një admirim të madh për Shtetet e Bashkuara, duke u angazhuar për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Gjatë këtyre 20 viteve, SHBA ka qenë aleati ynë strategjik. Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyer në fushën politike, ekonomike, të sigurisë e të mbrojtjes, si dhe luftës kundër terrorizmit. Ky bashkëpunim ka qenë një mbështetje e vazhdueshme për reformat dhe stabilitetin e vendit tonë.
Në këtë 236-vjetor të SHBA duhet të kujtojmë dhe vlerësojmë rolin dhe kontributin e të gjithë ambasadorëve shqiptarë dhe ambasadorëve të SHBA për forcimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve midis shteteve tona. Në këtë shkrim, duke qenë se është festa e Pavarësisë të Amerikës, do të sjell për lexuesin vetëm emrat dhe kontributin e ambasadorëve amerikanë të akredituar në Tiranë si: Ulysses Grant-Smith, emëruar më 22 shtator, 1922; Charles C. Hart, emëruar më 27 maj, 1925; Herman Bernstein, emëruar më 17 shkurt, 1930; Post Wheeler, emëruar më 26 gusht, 1933; Hugh G. Grant, emëruar më 9 gusht, 1935 dhe e përfundoi misionin kur forcat italiane pushtuan Tiranën më 7 prill 1939;
Christofor Hill, i ngarkuar me punë, 15 mars 1991; William E. Ryerson (2 dhjetor 1991- 13 tetor 1994); Joseph E. Lake (5 korrik 1994 – 15 mars 1996); Marisa R. Lino (2 korrik 1996 – 20 maj 1999); Joseph Limprecht (7 korrik 1999 – 19 maj 2002); James F. Jeffrey (3 tetor 2002 – maj 2004); Marcie B. Ries (18 tetor 2004 – 30 tetor 2004); John L. Withers II (28 qershor 2007 – 2010); Alexander Armando Arvizu (10 nëntor 2010 në vazhdim).
Gjithashtu, kontribut të veçantë në marrëdhëniet midis dy shteteve kanë dhënë edhe përfaqësues të tjerë të Ambasadës Amerikane në Tiranë, si konsujt dhe stafi i zyrës konsullore, atashetë ushtarakë dhe kulturorë, si dhe sekretarët ekonomikë dhe politikë si Lynn Gurian, Thomas Jadzgerdi, Jenifer H. Moore etj.
Në këtë ditë gëzimi, ku duhet të jetë i pranishëm edhe humori, krahas mesazheve zyrtare të ambasadorëve amerikanë që kemi përjetuar gjatë këtyre viteve të demokracisë, do të veçoja disa mesazhe të një natyre tjetër, që kanë përcjellë ambasadorët amerikanë në Shqipëri, si: lyerja e pemëve me gëlqere nga ambasadori Rajson në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”; dëshira e ambasadorit Limpreht për të promovuar bukuritë shqiptare dhe për t’i shijuar ato çdo fundjavë me miqtë e tij shqiptarë; leximi i librave me përralla në një emision televiziv i ambasadorit Withers, duke synuar të përcjellë mesazhe për klasën politike; inkurajimi që i dha zoti Withers prokurores së Përgjithshme Ina Rama duke e puthur në të dyja faqet para kamerave televizive te Prokuroria e Tiranës, si mesazh që të godasë korrupsionin, se ka mbështetjen e Shkëlqesisë Withers, dorëzimi nga ambasadori Withers i librave të dhuruar nga autorë shqiptarë në Biblotekën Kombëtare, kur zoti Withers mbaroi mandatin si ambasador; ndikimi i ambasadores Mariza Lino te Presidenti Meidani për të lënë cigaren; përveshja e mëngëve të këmishës dhe heqja e xhaketës nga ambasadori Arvizu si dhe vëzhgimi për orë të tëra i numërimit të votave të kandidatëve Basha dhe Rama për kryetar Bashkie të Tiranës; sugjerimi i Shkëlqesisë Arvizu për kandidatët për President në një emision televiziv, se për të marrë votat e opozitës kandidati duhet të shkojë të pijë kafe me përfaqësues të opozitës e të tjera, e të tjera…
SHBA, nëpërmjet ambasadorëve të tyre ka dhënë një kontribut të veçantë dhe ka inkurajuar marrëdhëniet bashkëpunuese të Shqipërisë me të gjitha vendet e rajonit në dobi të paqes, stabilitetit dhe progresit të vazhdueshëm në drejtim të reformave.
Askush më mirë se SHBA nuk e ka përcjellë mesazhin se një Europe të lirë dhe në paqe i duhet një rajon i qëndrueshëm dhe i integruar ballkanik. SHBA kanë kontribuuar në harmonizimin e politikave rajonale, të cilat kanë gjeneruar stabilitet dhe siguri më të madhe për Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Europës Juglindore.
Sot, SHBA kanë një vizion dhe strategji për një botë më të mirë. Strategjia e SHBA është një strategji partneritetesh që afirmon rolin jetësor që kanë NATO dhe aleanca të tjera që kanë SHBA, duke përfshirë edhe OKB-në. Kjo strategji është e rrënjosur në promovimin e lirisë dhe dinjitetit në të gjithë botën, që ka të bëjë me shtetin ligjor, lirinë e fjalës, lirinë e fesë, tolerancën fetare dhe etnike, të drejtat dhe respektin për gratë, dhe respektin për pronën private etj.
Strategjia e SHBA është për të siguruar një botë ku të gjithë njerëzit të jetojnë me dinjitet, në liri dhe në paqe.
Demokraci do të thotë komunikim midis njerëzish, të cilët shkëmbejnë mendime me njëri-tjetrin për hallet e përbashkëta dhe punojnë për një të ardhme më të mirë. Demokracia kërkon kompromis, tolerancë dhe bashkëpunim. E ardhmja u përket atyre që duan të ndërtojnë, jo të shkatërrojnë. E kjo është bërë realitet në Amerikë. Por, këtë mund ta bëjmë më mirë edhe ne shqiptarët.
Në këtë 236-përvjetor të Pavarësisë së Amerikës, të gjithë i bashkon fort shpresa e përbashkët se mund ta bëjnë botën një vend më të mirë për brezin e tanishëm dhe ata të ardhshëm. E këtë mund ta bëjmë edhe ne shqiptarët.
Megjithëse kanë kaluar 236 vjet, demokracia amerikane ka qenë dhe mbetet e suksesshme për faktin se drejtuesit e politikës amerikane, pavarësisht sukseseve që ka arritur në standardin e jetesës dhe zhvillimin ekonomik, ata janë realistë dhe përgjegjësia e tyre nënkupton për të bërë më të mirën për vendin dhe qytetarin. Vizioni i Presidentit Obama është realist, i ndjeshëm për qytetarin amerikan dhe optimist për një të ardhme më të mirë kur ai thekson se: “E dimë se ka nëna e etër që pasi do të përcjellin për në gjumë fëmijët, do ta kalojnë natën zgjuar duke vrarë mendjen se si do ta përballojnë pagesën e kredisë, faturat e dritës, ilaçet apo shkollën e fëmijëve. Duhet të krijohet një energji e re, duhet të hapen vende të reja pune, të ngrihen shkolla, të përballohen rreziqe e të ndreqen aleanca. Përpara na pret një rrugëtim i gjatë. Do të ngjitemi në rrëpira”.
SHBA kanë promovuar dhe promovojnë dinjitetin njerëzor dhe demokracinë jo vetëm në Amerikë, por edhe në botë, me qëllimin që paqja të ruhet, të mbrohet dhe të zgjerohet.
Ish-sekretari i Shtetit të SHBA, Kolin Pauell, thekson se: “Koncepti i sotëm i administratës amerikane, i trashëguar nga themeluesit e shtetit amerikan, është se burimet e fuqisë dhe sigurisë kombëtare për një vend nuk kërcënojnë më sigurinë e të tjerëve. Politika nuk ka pse të jetë gjithmonë një garë ku fitorja e dikujt është patjetër humbje e dikujt tjetër”.
SHBA, si vendi më demokratik ku jetojnë e punojnë shtetas amerikanë me origjinë nga Irlanda, Shqipëria, Kina, Japonia, Meksika, Spanja etj., dhe ku të gjithë kanë barazi të plotë dhe mundësi për një jetë më të mirë, është një mesazh edhe për ne shqiptarët se si mund të funksionojë me sukses demokracia. Në këtë ditë feste, eksperienca  amerikane tregon se: “Demokracia lulëzon atëherë kur për të kujdesen qytetarë që janë të gatshëm që me lirinë e fituar me sakrifica, të marrin pjesë në jetën shoqërore duke shprehur mendimet e tyre në debate; duke zgjedhur përfaqësues që e kanë treguar veten të denjë me veprimet e tyre dhe duke pranuar nevojën e tolerancës dhe të kompromisit në jetën shtetërore. Shtetasit e një vendi demokratik gëzojnë të drejtën për liritë e individit, por ata mbajnë gjithashtu edhe përgjegjësinë që u takon për ndërtimin e një të ardhmeje që do të vazhdojë të mbështetet në vlerat themelore të lirisë dhe të vetëqeverisjes”.

© Panorama.al

Te lidhura