
asi studioi sondazhet politike për zgjedhjet e 2013-s dhe ka analizuar në kokën e tij skenarët e mundshëm, Silvio Berluskoni vendosi të rikandidojë përsëri për Kryeministër. Sipas sondazheve, me të në krye PDL, do të marrë 30 për qind të votave. Veç të tjerash, do t’i ndërrojë edhe emrin partisë. Sipas gazetës prestigjioze italiane, “Corriere della sera”, burime të afërta me ish-kryeministrin e Italisë kanë konfirmuar synimin e tij për ta drejtuar sërish Italinë, edhe pse njihet si Kryeministri i skandaleve dhe ka ende një gjyq të hapur ku akuzohet se ka paguar prostituta minorene për festat e tij bunga-bunga. Megjithatë, rezultatet e sondazheve e kanë joshur 74-vjeçarin që të jetë sërish i pari nga më të përfolurit e mediave ndërkombëtare. Ai është konsultuar me drejtuesit e partisë PDL (Popolo della liberta – Populli i lirisë), sipërmarrës dhe eksponentë ndërkombëtarë, dhe vendosi të rikthehet. Fushata e tij, sipas “Corrire”-s, pritet të rinisë në shtator. Sa për emrin e partisë dhe planet e tij për t’ia ndryshuar atë, nuk ka ende një variant të saktë. Përveç telasheve me proceset e tij të hapura gjyqësore, Berluskoni ka një tjetër sfidë të madhe përpara. Atij i duhet një program i fortë dhe i besueshëm ekonomik për Italinë, që po rrezikon të futet në vorbullën e egër të krizës së borxhit të eurozonës. Sapo Berluskoni ta bëjë zyrtarisht publike ambicien e tij, besohet se do të marrë “bombardimet” e mediave mbarëbotërore, që dinë çdo detaj të skandaleve dhe gafave të tij, aq sa në prag të dorëheqjes ka rrëmbyer titujt e parë për shumë javë me radhë.
Monti: Jo në qeveri pas 2013
Duke komentuar mbi politikat ekonomike dhe zërat se Italia do të prekë fondin e shpëtimit të BE-së, Kryeministri Italian, Mario Monti, tha se kjo nuk do të ndodhë dhe se vendi po i zbaton politikat e ekonomike sipas rekomandimeve. Ai shtoi më tej se e përjashton mundësinë e rikandidimit të tij si Kryeministër pas vitit 2013.











