Ambasadorja polake: Mbështetje për integrimin

Jul 1, 2011 | 21:38

TIRANË- Ambasadorja e Polonisë në vendin tonë, konfirmon angazhimin e e presidencës së radhës të BE-së për vazhdimin e zgjerimit të familjes europiane dhe mbështetjen e Shqipërisë në këtë rrugë integruese.

Gjatë takimit të sotëm me kryeministrin, Sali Berisha, ambasadorja theksoi se një nga shtyllat e programit të Presidencës polake së radhës së BE-së është dhe mbetet vijimi i procesit të zgjerimit, si dhe mbështetja dhe ndihma ndaj Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në përpjekjet e tyre dhe përgatitjen për anëtarësim sa më të shpejtë.

Ajo informoi kreun e qeverisë me prioritetet e Presidencës polake të radhës së BE-së, të cilat përmblidhen në 3 shtylla kryesore; thellimi i integrimit evropian si burim zhvillimi dhe rritje ekonomike për mbarë Bashkimin Evropian, shtylla e dytë e fokusuar për një Evropë gjithnjë e më të sigurt dhe shtylla e tretë e prioriteteve të BE-së përfshin vizionin e një Evrope të hapur, përfshi këtu edhe promovimin e mëtejshëm të zgjerimit të BE-së, si politika që i shërbejnë BE-së por edhe vendeve të tjera.

Sipas saj, Presidenca polake e radhës së BE-së do të synojë thellimin e tregut të brendshëm evropian, duke synuar njëkohësisht edhe realizimin e objektivave financiarë, që do të bëjnë të mundur tejkalimin e efekteve të krizës globale.

© Panorama.al

Te lidhura