
Ambasadorja gjermane në vendin tonë, Karola Holtkemper, u bëri apel forcave politike për përfundimin në kohë që reformës zgjedhore brenda afatit të përcaktuar. Deklaratën Holkemper e bëri dje nga Bulqiza, ku takoi një grup minatorësh dhe u informua për problemet e tyre. “Sa i përket reformës zgjedhore, ishte shumë e dëshirueshme që kjo të realizohej dhe të përfundonte në datën 12, dhe shpresojmë të përfundojë. Në këtë drejtim, të dyja partitë politike kanë bërë progres”, deklaroi Holtkemper pas takimit me minatorët. Ambasadorja gjermane dhe deputeti Qemal Minxhozi diskutuan për disa minuta me minatorët, të cilët paraqitën ankesat e tyre. Minatorët sqaruan se edhe pse kanë zhvilluar protesta e greva, kërkesat e tyre nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje, as ngritjen e pagës, as në rritjen e kushteve të punës, të cilat kanë mbetur po ato që ishin vite më parë. Sipas sekretarit të Sindikatës së Minatorëve, Baki Bajraktari, mungojnë rrobat e punës. Ai shtoi se në galeri ende punohet si në mesjetë me karroca dore. Ambasadorja gjermane, Holtkemper, tha se shumë kompani gjermane kanë shfaqur interes dhe janë ofruar për të operuar me projekte në minierën e Bulqizës, por që të rezultojnë projekte të suksesshme duhet që të ketë një kuadër të përgjithshëm kushtesh që duhen plotësuar, dhe ky kuadër i përgjithshëm deri tani nuk ka pasur sukses pikërisht se nuk ka qenë i pjekur dhe respektuar nga palët. h.p.











