Bashkimi Europian përsërit apelin që forcat politike në vend të bashkëpunojnë për realizimin e reformave që kërkojnë një konsensus të gjerë në Parlament. Ambasadorja gjermane në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper, tha dje nga qyteti i Korçës se pas zgjedhjeve të 8 majit vendit i duhet një Kod i ri Zgjedhor dhe për këtë palët duhet të jenë në një mendje. Ambasadorja e bëri komentin politik për mediat nga Korça, ku ndodhet e ftuar për Festën e Birrës. “Është e nevojshme të kemi një Kod të ri Zgjedhor. Ripërcjell edhe njëherë të njëjtin mesazh ndaj forcave politike, të cilat duhet të kenë më tepër bashkëpunim”, u shpreh ajo. E pyetur mbi vlerësimin e saj për zgjedhjet e 8 majit tani që ato kanë përfunduar dhe pritet vetëm zhvillimi i procesit elektoral në një komunë që të dalë edhe rezultati përfundimtar, diplomatja gjermane tha se ajo nuk mund të flasë pa dalë më parë raporti i ODIHRit. “Akoma nuk kemi raportin e OSBE-së, ndaj për mua është e vështirë që të konstatoj vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Është kaluar nga numërimi i plotë në një të pjesshëm, dhe më tej ka ardhur një rinumërim i votave”. Ndërkohë, e pyetur se sa larg është Shqipëria nga Bashkimi Europian pas këtyre zgjedhjeve, ambasadorja i është përgjigjur se distanca gjeografike nuk ka ndryshuar. Misioni i OSBE/ODIHR-it është duke pritur të përfundojnë zyrtarisht zgjedhjet që të dalë me një raport për procesin që u mbajt më 8 maj, por edhe atë të pjesshëm të 31 korrikut. Sipas zyrtarëve të lartë të këtij misioni, ndryshe nga vitet e tjera, fjala e tyre e fundit do të thuhet vetëm kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të miratojë tabelën përfundimtare.
SEKUI: S’JANË PLOTËSUAR KËRKESAT
Ambasadori i KE-së në Tiranë, Etore Sekui, gjatë një takimi me Presidentin Topi, i bëri apel klasës politike të bashkëpunojë për integrimin e vendit në BE. “Shqipëria nuk i ka plotësuar 12 përparësitë e kërkuara nga Europa e Bashkuar, prandaj është shumë e rëndësishme që si maxhoranca, ashtu dhe opozita, të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive në këtë drejtim, përndryshe, perspektiva europiane e vendit tonë rrezikon të mbetet ende larg aspiratave dhe interesave madhore të popullit shqiptar”, u shpreh Sekui.











