Ambasadori i OSBE-së: Birra Korça, investim i suksesshëm

Jun 14, 2011 | 11:00
Ambasadori i OSBE, Eugen Volfarth me presidentin Hysenbelliu, gjatë vizitës së djeshme në fabrikën “Birra Korça”

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, ka treguar interes të njohë nga afër fabrikën e birrës “Korça”, gjatë një vizite që kreu në rajonin juglindor, ku ka dhënë mesazhe për zhvillimet politike dhe ato ekonomike në vend.Atë mirëkuptim që nuk po arrin ta gjejë politika, duket se e ka vendosur biznesi me ecurinë e tij të kënaqshme dhe këtë e vuri në dukje si ambasadori i OSBE-së, ashtu dhe vetë investitori i birrës “Korça”, Irfan Hysenbelliu, si dhe presidenti i shoqatës “Biznes Albania”, Luan Bregasi. Ambasadori i OSBE-së, i shoqëruar nga investitori i fabrikës së birrës “Korça” dhe partnerë të tij në këtë biznes, që në ambientet e para të fabrikës shfaqi kënaqësinë që po njihej me një nga investimet më të rëndësishme e të suksesshme në Shqipëri. Ndërsa u njoh në çdo repart të fabrikës me funksionimin e saj, Volfarth dëgjoi si rrallëherë edhe zërin e një biznesmeni që del në mbrojtje të investimeve me interes kombëtar në vend. “Ne mund të jemi konkurrentë me birrën ‘Norga’, e cila, si në shumë vende të botës, mbështetet me kredi bankare, por e kemi mbështetur këtë partner dhe kërkojmë gjithashtu mbështetje edhe nga bankat në këtë periudhë”, tha investitori i fabrikës së birrës “Korça”, Irfan Hysenbelliu, presidenti i “IHB Group”. Ai i tregoi ambasadorit mbi ecurinë e biznesit shqiptar në vite, duke përmendur faktin që 20 vite më parë biznesmenët kanë pasur vështirësi për shuma të vogla investimi, ndërsa tani këto fonde nuk janë problem, por duhet parë vizioni i së ardhmes që gjërat të mos kthehen më mbrapsht. “Ne si biznes jemi edhe konkurrentë, edhe miq”, u shpreh z. Hysenbelliu, duke i shprehur ambasadorit të OSBE-së se dhe politika duhet të ndjekë shembullin e biznesit në vend. Ambasadori i OSBE-së, që dha gjithashtu mesazhin e një respekti të përbashkët si në politikë, edhe në biznes, theksoi se vizita në fabrikën e birrës “Korça” ishte mbresëlënëse. “Shija e një birre i jep shije një qyteti, dhe unë që vij nga një krahinë me një bar të njohur birrarie. Jam krenar edhe për këtë që shoh sot këtu”, u shpreh

Në ambientet e brendshme të fabrikës

Volfarth. “Ju keni të gjitha pajisjet teknologjike dhe njohuritë e duhura për të krijuar këtë birrë të mrekullueshme. Ju jeni një biznesmen i suksesshëm dhe nuk keni nevojë që t’ju them unë se si do të krijoni politikën tuaj, por për politikën në përgjithësi duhen të dyja palët, siç duhen dy këmbët për të ecur”, deklaroi ambasadori. Si të gjithë vizitorët e shumtë që kanë parë fabrikën e birrës “Korça”, edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë vuri në dukje se në këtë fabrikë është teknologjia e duhur, e cila jep vlerë së bashku me traditën që ruhet dhe mirëmbahet në të. Vizita e ambasadorit Volfarth në fabrikën e birrës “Korça” nuk ishte thjesht një interesim për një nga bizneset më të suksesshme në vend. Investitori Hysenbelliu vuri në dukje gjatë kësaj vizite se stabiliteti politik në vend ka shumë rëndësi edhe për zhvillimin e biznesit. “Zgjedhjet tashmë mbaruan. Ne si biznesmenë kërkojmë vëmendjen ndaj nesh dhe mund të zhvillojmë një tryezë të përbashkët me ju si ambasadorë për çështjet e biznesit të shëndoshë”, shprehu dëshirën e tij investitori Hysenbelliu. Kërkesa e tij u vlerësua si një propozim shumë i mirë nga ambasadori i OSBE-së, i cili theksoi se politikëbërja gjithmonë kërkon bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe biznesin.

Presidenti i “BiznesAlbania”: Birra “Korça”, legjenda e birrarisë shqiptare

Presidenti i Shoqatës “BiznesAlbania”, Luan Bregasi, ishte i pranishëm dje në ambientet e fabrikës së birrës “Korça” bashkë me ambasadorin e OSBE-së. Duke shprehur vlerësimet e tij për këtë prani të rëndësishme të ambasadorit të OSBE-së, Volfarth dhe disa investitorëve të tjerë në “Birra Korça”, Bregasi u shpreh se kjo fabrikë e meriton këtë vlerësim për vetë emrin e madh që ka krijuar në tregun shqiptar dhe më gjerë. “Një nga qëllimet e kësaj vizite në fabrikën e birrës ‘Korça’ është në respekt të kësaj sipërmarrjeje dhe të rolit që ajo ka në tregun shqiptar. Kjo birrë është tashmë legjenda e birrarisë shqiptare”. Ai theksoi se vizita e z. Volfarth në këtë fabrikë dha një mesazh: që duhet ndërtuar modeli i mbështetjes së sipërmarrjeve private, një model ky që edhe politika duhet ta ndjekë për më shumë bashkëpunim. “Pikërisht sot ai i dha mbështetje zhvillimit të sipërmarrjeve private dhe biznesit”, deklaroi presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi.

 

KORÇE/ GEZIM ASHIMI

© Panorama.al

Te lidhura