Me 9 nëntor mbushen 35 vjet nga shembja e Murit të Berlinit, që ndau jo vetëm Gjermaninë, por edhe Europën dhe botën. Shembja e tij i dha fund Luftës së Ftohtë (që fatkeqësisht është rikthyer në Europë e më gjerë. Ambasadori Bashkim Zeneli ka përgatitur për gazetën “Panorama” 2 shkrime; për ngritjen e Murit dhe për rënien e tij, që po i botojmë në numrat e sotëm e të nesërm të gazetës. Shkrimet janë të mbushura me fakte dhe dokumentacion të veçantë arkivor për ndërtimin e Murit dhe për rënien e tij, mbas 28 vitesh, jo thjeshtë si ngjarje “ditore”, por si një proces i tërë.
Nga Bashkim Zeneli
Mjeshtër i Madh
PJESA E PARË
Më 9 nëntor 1989 do të shembej Muri i Berlinit. Kjo ishte një orë e ndritur e historisë gjermane. Mbi Murin e Berlinit, me flamuj në duar do të këndonin e vallëzonin berlinezët. E gjithë bota mësoi se përbindëshi 28-vjeçar ra, u shemb. Që nga ky moment, Muri nga simbol i lirisë së munguar do të kthehej në simbol të rrugës drejt ribashkimit, drejt paqes, lirisë dhe demokracisë. Ai, për 28 vite kishte sjellë shumë vuajtje, dhimbje e ndarje. Tani fatet e Gjermanisë Lindore ndryshuan. Dhe vetëm ata që kanë njohur shtypjen e mjerimin, mungesën e lirisë në diktaturën e dytë (në RDGJ) vetëm ata do të dinin të çmonin më shumë se kushdo vlerën e lirisë…
Është e pamundur të flasësh për rënien e Murit të Berlinit pa u ndalur në disa fakte e ngjarje që në ndërtimin e tij më 13 gusht 1961. Ai ishte një proces i tërë…
Do të ndalem kryesisht në vitet 1960-1961 që ishin vite të tensionuara në RDGJ, por edhe vite të një sundimi të plotë të udhëheqjes sovjetike mbi Gjermaninë Lindore. Tensionet në vend rriteshin çdo ditë. Largimet e qytetarëve të Lindjes për në Perëndim ishin masive. Në vitin 1953 u larguan 350 mijë vetë dhe për tetë vite, nga viti 1953 deri në vitin 1961, kur u ndërtua Muri do të largoheshin afro gjashtë milionë gjermano-lindorë, pra 500 mijë në vit.
Edhe mbas ndarjes së Gjermanisë me katër zona dhe mbas ndarjes së Berlinit në katër sektorë të fuqive fituese të Luftës së Dytë Botërore, sovjetikët provokonin vazhdimisht me synimin për të mbajtur nën kontrollin e tyre të gjithë Berlinin.
Në qershor 1948 Lufta e Ftohtë në Berlin do të arrinte kulmin e saj. Diktatori Stalin do të vendoste bllokadën totale të gjithë rrugëve që çonin në zonën e Berlinit Perëndimor. Sovjetikët morën nën kontroll edhe sistemin e shpërndarjes së energjisë dhe të furnizimit me ushqime. Me këtë, sovjetikët kërkonin të shuanin aspiratën e berlinezëve për bashkimin e atdheut të ndarë, por edhe donin të përfshinin Berlinin Perëndimor nën pushtetin e tyre, një plan ky që, në një mënyrë ose një tjetër do të vazhdonte gjatë.
Por ishin amerikanët e britanikët ata që nuk do të linin Berlinin në dorën e sovjetikëve. Nën komandën e gjeneralit të famshëm amerikan Lucius D. Clay, së bashku me komandantin britanik Rex Ëaite mundësuan çarjen e bllokadës nëpërmjet urës ajrore.
Vetëm më 21 maj 1949 Stalini do të tërhiqej nga kjo aventurë e rrezikshme.
Berlini do të tronditej fuqishëm në qershor të vitit 1953. Problemet ekonomike dhe sidomos rritja e normës së punës me 10 % i ngritën në një revoltë të madhe punëtorët e ndërtimit në Berlinin Lindor. Ndërsa më 17 qershor e gjithë RDGJ do të përfshihej në protesta të fuqishme. Kërkesa tani ishte edhe politike: kërkonin zgjedhje të lira! Udhëheqja politike e S.E.D ishte pranë rënies. Por qeveria marionetë do të shpëtonte falë tankeve sovjetike që mbushën rrugët dhe shtypën me dhunë brutale protestën e fuqishme. U vranë 55 demonstrues dhe u plagosën qindra të tjerë. Mijëra gjermano lindorë u arrestuan. 1200 protestues do të dënoheshin më 5 mijë vite burg . I riu nga Berlini Perëndimor, Ëilly Gottling, do të dënohej me varje me litar si “nxitës” i trazirave.
“Ndërtimi i socializmit” nxiti largime masive për në perëndim. Në vitin 1957, udhëheqja sovjetike i kërkon udhëheqjes së lindjes që “forcojë masat për ruajtjen e kufirit”. Me 27 shtator, Hrushovi lëshon ultimatumin për demilitarizimin e Berlinit Perëndimor (pjesë e sektorëve të aleatëve perëndimorë) dhe kthimin e tij në një “qytet të lirë”. Qëllimi: për të shmangur çdo mundësi në perspektivë për Ribashkimin e Gjermanisë. Në çdo moment mund të plaste konfrontimi midis sovjetikëve dhe aleatëve perëndimorë në Berlin.
Në shkurt të vitit 1960, Hrushovi kritikon ashpër udhëheqësit e RDGJ “për masat e pamjaftueshme për ruajtjen e kufirit” dhe për “një propagandë aspak efikase kundër kapitalizmit gjerman”. Udhëheqësi komunist Ulbricht urdhëron forcimin në mënyrë drastike të kufirit me 1400 km që ndanin Lindjen me Perëndimin e Gjermanisë. Nxitet me çdo mjet lufta e ftohtë.
Në shtator të vitit 1960, Hrushovi viziton Berlinin. Ai i kërkon vasalëve të tij të RDGJ t’i raportojnë hollësisht mbi masat për ruajtjen e kufirit. Pavarësisht kësaj, situata e largimeve masive rritet çdo ditë. Në shkurt të vitit 1961, Ulbrichti i dërgon një letër Hrushovit ku shprehet se “zhvillimi i dukshëm ekonomik i RFGj është shkaku kryesor që vetëm në periudhën 1949-1959 janë larguar për në Perëndim 4 milion vetë.
Një muaj më vonë, me 22 mars 1961, në një mbledhje në kuadër të Traktatit të Varshavës, Ulbrichti do të informonte se “vetëm një muaj më parë janë larguar 53 mijë vetë dhe nga këto, 21 mijë nga Berlini Lindor. Kapitalistët monopolistë në Perëndim po nxisin për largime forcat tona më të kualifikuara”.
Me 15 qershor 1961, në një konferencë shtypi me gazetarët, Ulbrichti pyetet nga Frankfurter Rundschau: A do mund të arrihet shpallja e Berlinit Perëndimor si qytet i lirë, siç kërkon Hrushovi dhe çfarë pasojash do të kishte kjo masë nëse kufiri shtetëror i RDGj do të vihej tek Porta e Branderburgut? Ulbrichti përgjigjet: Në Gjermaninë Perëndimore ka njerëz që mendojnë dhe kërkojnë që ne të ndërtojmë një mur… por askujt të mos i shkojë në mendje se ne do të ndërtojmë një mur! Çështja e Berlinit tashmë është temë e diskutimeve, jo vetëm në Moskë, por edhe në kryeqytetet kryesore perëndimore.
Me 3 dhe 4 qershor, në Samitin e Vjenës, Presidenti i sapozgjedhur amerikan do të takohej me Hrushovin. Biseda ishte e tensionuar. Hrushovi, me kërcënim përsërit ultimatumin për të krijuar një “Berlin të lirë”. Një ultimatum, që do të çonte me siguri në një konflikt ushtarak, e ndoshta edhe bërthamor, midis Lindjes dhe Perëndimit. Presidenti Kennedy i përgjigjet ftohtë dhe jo pa shqetësim: “Siç duket, këtë vit do të kemi një dimër të ftohtë”. Dhe, vetëm një javë pas këtij takimi, Kennedy, në një fjalim historik, që u quajt “Three Essentials”, midis të tjerash, do të deklaronte me vendosmëri se “do të mbrojmë lirinë e Berlinit, po qe nevoja edhe me mjete ushtarake”. Kjo e trondit udhëheqësin sovjetik…
Largimet për në Perëndim janë të pandalshme dhe me çdo mjet e mundësi. Mungesa e lirive demokratike sa vjen e thellohet. Arrestimet politike për “tradhtarët e socializmit” shtohen pandërprerë.
Me 20 qershor 1961, Ulbrichti thërret në takim ambasadorin sovjetik në Berlin, Mihail Perutshin dhe i flet atij për gjendjen alarmante të largimeve masive dhe të pakënaqësisë ne rritje ndaj udhëheqjes komuniste. Dështimin e socializmit, Ulbrichti e shihte vetëm tek largimet që nxisnin kapitalistët e Perëndimit. Ai i kërkon ambasadorit që të informojë menjëherë Hrushovin duke i thënë se “nëse kjo situatë e kufijve të hapur do të vazhdojë më tej, atëherë rënia e RDGj do të jetë e pashmangshme. Si komunist, nuk marr përsipër përgjegjësitë për atë që mund të ndodhë”. Hrushovi tronditet nga kjo deklaratë dhe në një mbledhje të Byrosë Politike thekson se “çdo vonesë do të na kushtojë shtrenjtë dhe do të na krijohen probleme edhe në kuadër të Traktatit të Varshavës. Ne nuk duhet të lejojmë që Perëndimi të nxisë qytetarët, e sidomos të rinjtë, që të arratisen”
Me 25 qershor 1961, Hrushovi thërret në Moskë ambasadorin e tij në Berlin dhe e porosit: “Menjëherë do t’i komunikosh Ulbrichtit që të ndërtojë një mur në Berlin. Kjo nuk duhet të vihet në diskutim nga askush”.
Të njëjtën gjë i thanë edhe ambasadorit gjermano-lindor edhe në Moskë, Hans Kroll: “Unë i kam thënë në kohë Ulbrichtit që të mbyllë çdo shteg në kufi. Tani të ndërtoni një mur në Berlin.” Willy Brandt, në atë kohë kryetar bashkie i Berlinit Perëndimor do të theksonte se “Hrushovi e quan ndërtimin e murit si një zgjidhje urgjente, – një operacion zjarrfikës për të shpëtuar RDGJ-në. Por nuk është aspak kështu. Ky ishte një urdhër që ndan jo vetëm Berlinin, por edhe Europën, edhe botën.” (Për Berlinin ai ka shkruar shumë, veçanërisht në librin “Ein Leben, ein Jarhundert”, botim i Rowohlt, Berlin.)
Në Berlinin Lindor shumë pak dinin për përgatitjet për ndërtimin e murit. Edhe për Bonn- in kjo ishte e papritur. Franz Jozef Strauss do të shkruante: “Ne nuk dinim asgjë për Murin, dhe na lindi pyetja: çfarë duan të bëjnë sovjetikët me këtë?! Askush nuk e kishte menduar se do arrihej në ndërtimin e një muri.”
Në RDGJ, në mënyrë të menjëhershme shtohet prania ushtarake sovjetike. Puna për ndërtimin e Murit do të niste me 7 korrik 1961, nën drejtimin e Honeckerit dhe të kolonelit sovjetik Marashenko. Vetëm tre-katër vetë nga Byroja Politike kishin dijeni për këtë. Më 1 gusht 1961 në Moskë zhvillohet mbledhja e udhëheqësve të vendeve të Traktatit të Varshavës. Aty Hrushovi deklaron prerë: Muri do të ndërtohet më 13 gusht. Asnjë kalim të mos lejohet për në RFGJ.
Ulbrichti, pas kthimit nga Moska, informon Byronë Politike dhe ndërtimi i murit do të merrte emrin Rose (Trëndafili). Një cinizëm i pashembullt! Tani në RDGj janë të vendosura 23 divizione ushtarake sovjetike dhe komandant është Marshalli Kavjer, dy herë hero i Bashkimit Sovjetik për çlirimin e Gjermanisë nga nazistët. Tani ka një mision regresiv kundër paqes dhe lirisë së gjermanëve.
Me 12 gusht do të publikohej një deklaratë e Traktatit të Varshavës në të cilën thuhej se “mbyllja e kufirit u bë me propozim të vendeve anëtare për të bllokuar veprimtarinë provokative të Perëndimit kundër vendeve të kampit socialist”.
Me 13 gusht 1961, në mesnatë do të shuheshin dritat tek Portat e Branderburgut. Me dhjetëra tanke u vendosën në vijën kufitare të Berlinit. Tanket sovjetike drejtoheshin nga gjeneralë të artilerisë. 10 mijë forca të armatosura nga punëtorët dhe fshatarët, së bashku me ushtarë kufiri, ishin në gatishmëri të lartë. Në këtë operacion “Rose” për sigurinë e ndërtimit të murit do të angazhoheshin shtatë mijë trupa ushtarake. Atë natë të kobshme të 13 gushtit u bllokuan 80 pika kalimi dhe u hodhën blloqet e para të betonit dhe rrathëve me tela. Në ora 3 të mëngjesit të 13 gushtit Radio Berlini njofton se “kufiri mes RDGj dhe RFGj është mbyllur”!
U ndërtua një mur, në radhë të parë, politik! U nda një popull! Në RDGj, që nga viti 1961 u ndërtuan 156 km mur dhe nga këto, 46 në Berlin. Një mur 3.6 m i lartë dhe 1.2 m i gjerë. Në 1400 km u vendosën rrathët me tela dhe sinjalistikën e kohës GSZ-80. Nisi historia e dhimbshme e një ndarje të madhe! Njerëzit në të dy anët e Berlinit janë të shtangur. Askush nuk fle atë natë. Nuk po kuptonin asgjë, dinin vetëm së u ndanë!
Willy Brandt, kryebashkiak i Berlinit, para të gjithë politikanëve gjermano-perëndimorë mban qëndrimin e tij epik! Në një deklaratë për shtyp, herët në mëngjes ai shprehet: “Bllokimi i kufirit është një lloj kampi përqendrimi”. “Populli i Berlinit pret që fuqitë perëndimore të ndërmarrin hapa energjike të qeveria sovjetike”. Ai shkon aty ku po hidheshin blloqet e betonit dhe fare pranë, ballë për ballë, u drejtohet punëtorëve dhe ushtarëve gjermano-lindorë: “mos e lejoni veten të përdoreni si lecka. Tregoni sa të mundeni dinjitet njerëzor. Mos qëlloni mbi bashkatdhetarët tuaj”.
Të nesërmen me 14 gusht, ai u drejtohet shefave kryesorë të qeverive të perëndimit: Shefat e qeverive perëndimore po bëjnë pushime, sikur nuk ka ndodhur asgjë… Kennedy po merr rreze dielli në jahtin e tij në Massachustets, Harold Macmilan ka dalë për gjueti shapkash në Skoci dhe De Gaulle po pushon i qetë dhe i pashqetësuar në Colombey-lex Duex-Egiser. Ndërsa kancelari ynë 80 vjeçar Adenauer, për çudinë e të gjithëve, vazhdon fushatën elektorale të 17 shtatorit dhe nuk po thotë asnjë fjalë”. Me tej Brandt vazhdon:” Berlini Perëndimor është i tëri i zgjuar dhe zien nga zemërimi popullor. A mos do të kemi një Hungari tjetër!?”
Dy ditë me vonë i shkruan një letër Presidentit Kennedy: “Berlini pret tani nga ju më shumë se vetëm fjalë. Berlini pret aksion politik”. Berlini, papritmas është portë e mbyllur; nuk është më portë e lirisë! Shtypi gjerman reagon ashpër ndaj qeverisë gjermane që mblidhet vetëm pas tre ditësh. Bild shkruan se “nuk është aspak e ndershme që Kancelari Adenauer në fushatë elektorale sulmon rivalin e tij politik. Tani ne nuk kemi nevojë për luftë ringu politik. Tani na intereson çështja gjermane”. “Perëndimi nuk po bën asgjë”. “Ne jemi të zhgënjyer”.
Të parët që reagojnë janë amerikanët. Me 20 gusht, Presidenti Kennedy dërgon në Berlin Zëvendëspresidentin Johnson. Mbështetje e fuqishme për çështjen gjermane. Ai u thotë udhëheqësve gjermanë se “SHBA garanton vetëm Berlin Perëndimor”. Në Berlin, tani tanket sovjetike dhe amerikane ishin ballë për ballë, në një distancë vetëm 20 metra, jo vetëm në Check Point Charlie.
Kancelari Adenauer do të vinte në Berlin me 22 gusht dhe kërkon ndjesë publike për vonesën, duke thënë se “këtë gabim nuk do të mund ta shlyej kurrë”.
Por, pavarësisht murit dhe bllokimit të kufirit në 1400 km të tij, largimet për në perëndim nuk ndalen. Dhe ka dalë edhe urdhri i kobshëm që të qëllohet për vdekje kushdo që tenton të arratiset.
Vetëm nga dita e ndërtimit të murit, me 13 gusht 1961 deri me 31 dhjetor 1961, pra për 4 muaj, vriten, në tentativë për të kaluar Murin, 62 vetë.
Që me 20 shtator 1961, vetëm 5 javë pas ndërtimit të Murit, udhëheqësi komunist Ulbricht do të deklaronte se “kundër tradhtarëve, shkelës të kufirit, do të përdoret forca e armëve”!
Dhe kështu do të vazhdonte për 28 vite, derisa Muri u shemb, me 9 nëntor 1989./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al