
Ish deputeti i PS-së, Kastriot Islami, është takuar dje në ish- Bllok me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Aleksandër Arvizu. Pasditen e djeshme, Islami dhe zyrtari i lartë amerikan kanë qëndruar për rreth 120 minuta me njëri-tjetrin në lokalin “Bonapart” duke konsumuar kafe. Temat e bisedës prekën disa çështje, por nuk bëhen të ditura detaje. Pak ditë më parë, Arvizu ka zhvilluar një takim të së njëjtës natyrë me deputetin tjetër të Partisë Socialiste, Ben Blushi. Burime nga takimi bënë të ditur një ditë më pas, se gjatë bisedës u prekën edhe zhvillimet brenda selisë rozë. Më tetë shkurt, Arvizu takoi edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili sapo kishte ardhur nga një vizitë në SHBA. “Projektet strategjike të zhvillimit të Tiranës dhe gatishmëria e shprehur nga institucionet amerikane për të mbështetur edhe financiarisht këto projekte, kanë qenë në qendër të bisedës që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka zhvilluar me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, gjatë një takimi miqësor në një lokal të Tiranës, pas kthimit të z. Basha nga vizita në SHBA. Basha dhe ambasadori Arvizu kanë biseduar edhe për mundësitë e tërheqjes së investitorëve amerikanë për të shtrirë aktivitetin në Tiranë, por edhe për t’u bërë pjesë e realizimit të projekteve të zhvillimit të Tiranës”, thuhej në njoftimin zyrtar të Bashkisë së Tiranës pas takimit. Në një intervistë televizive pak javë më parë, ambasadori amerikan vlerësoi Bashën si një yll në ngjitje në politikën shqiptare, ndërsa Blushin për qëndrimin që mbajti pas protestës së dhunshme të 21 janarit, ku deklaroi se nëse deputetët socialistë do të ishin në krye të protestës, nuk do të kishte viktima.











