Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, është parë dje pasdite në një nga lokalet në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, teksa takonte deputetin e PS-së, Ben Blushi. Pas takimit, Blushi dhe Arvizu nuk bënë komente për mediat, por vetëm e përcollën shtypin e interesuar me buzëqeshje. Kjo javë ka qenë intensive në takime për ambasadorin amerikan në Tiranë. Aleksandër Arvizu e nisi javën me një takim informal me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Konsumimi i kafes së përbashkët erdhi pak ditë pas vizitës që kryebashkiaku Basha kreu në SHBA me personalitete të njohura, ku bëri të ditur strategjitë për Tiranën si dhe e ftoi biznesin amerikan të investojë në kryeqytetin shqiptar. Nuk është hera e parë që Arvizu takon Bashën në ambiente publike. Hera e fundit ishte pak para se Basha të nisej në Uashington. Edhe në këtë takim, ashtu si dhe në takimin e djeshëm me Blushin, bashkëbiseduesit nuk dhanë asnjë koment rreth temave të diskutuara, por e përcollën shtypin e interesuar me buzëqeshje. Vetëm dy ditë më pas, diplomati amerikan në Tiranë zhvilloi një takim në zyrën e Edi Ramës, në selinë e Partisë Socialiste. E ndërsa vetë Rama do ta komentonte këtë takim që zgjati rreth 90 minuta me një fjalë në Twitter, Arvizu iu përgjigj interesimit të mediave rreth temave të diskutuara. Çështja e Presidentit ishte një nga temat e diskutuara me kryesocialistin. Ai e lidh zgjedhjen e kreut të shtetit me votimin në Parlament edhe të dy zyrtarëve të tjerë të rëndësishëm, prokurorit të Përgjithshëm dhe kreut të SHISH-it. “E kam thënë edhe në të shkuarën, përpiqem t’i qëndroj larg termit President konsensual, sepse ky term specifik nënkupton gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Por, më pëlqen të përdor atë term që unë e kam përdorur më herët, që ka të bëjë me konsultime aktive mes palëve kryesore të interesuara”, u shpreh ambasadori. Arvizu tha gjithashtu se “folëm edhe për një çështje që e kemi biseduar edhe më parë, e cila ka të bëjë me një vizitë të zotit Rama në SHBA, për të cilën folëm parimisht”. Mësohet se ditët në vazhdim, ambasadori amerikan në Tiranë do të zhvillojë takime informale dhe me politikanë të tjerë të rëndësishëm të së majtës.











