
Ambasadorët e SHBA, BE-së dhe OSBE-së me krerët e PD e PS.
Berisha: Pi kafe me Ramën. Kreu i PS: Ai llastohet si teze.
Ambasadorët më të rëndësishëm në Tiranë kanë negociuar gjatë dje për të arritur në një takim mes Sali Berishës dhe Edi Ramës një ditë para votimit në raundin e parë për President. Turin e takimeve e nisi dje ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili në orën 10:15 ishte në Kryeministri, ku zhvilloi një takim me kreun e Ekzekutivit për rreth 60 minuta. Pas takimit me Kryeministrin Berisha, nga të dy palët nuk pati asnjë deklaratë. Në mesditë, trojka e ambasadorëve, ambasadori i SHBA-ve, Arvizu, ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui dhe zv.ambasadori i OSBE-së, Dan Redford, mbërritën në selinë rozë. Pasi kanë biseduar me kreun socialist Rama dhe bashkëkryetarin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, për rreth një orë e 10 minuta, ambasadorët konfirmuan se ka një linjë dialogu mes palëve, që duhet të vijojnë deri në gjetjen e konsensusit.
“Ka një mundësi që me sa duket nuk është marrë ende në konsideratë. Nuk kam dëgjuar një emër konkret, por procesi është më i rëndësishëm sesa emrat. Ka interes të përbashkët, palët kanë rënë dakord për interesin e përbashkët”, deklaroi Arvizu.
Ambasadori Sekui deklaroi: “Ne nuk bëjmë asnjë negociatë, jam dakord me Arvizunë dhe mendoj se ka një perceptim të faktit se ka një mundësi që duhet gjetur. Ka dialog mes forcave politike rreth rëndësisë për procesin, dhe këtë mundësi që lidhet edhe me integrimin e vendit. Perspektivat e integrimit mbeten solide dhe për këtë nuk duhen humbur mundësitë. Ne nuk diskutojmë për emra, po për procese”. Ndërkohë, numri dy i OSBE-së, Dan Redford, bëri apel që dialogu duhet të vazhdojë. “Ajo që duam të shohim ne, dhe besoj se kjo doli qartë nga bisedat e sotme, është që të zhvillohet dialog, gjë që është pozitive. Ky dialog qartësisht po zhvillohet dhe duhet të vazhdojë. Pa dyshim, ne duam të shohim që dialogu të arrijë në një përfundim, në mënyrë që Presidenti të zgjidhet me konsensusin më të gjerë të mundshëm, në mënyrë kushtetuese. Gjithashtu, si OSBE, ne duhet të sigurohemi që debati për reformën zgjedhore të përmbyllet në kohë, së bashku me reformën parlamentare. Koha po ecën dhe mesazhi ynë është: bëni përpara”.
Qëndrimet
Ambasadorët nuk kanë mundur ta bindin deri dje Kryeministrin Berisha për një takim me kryesocialistin Edi Rama për zgjedhjen e Presidentit, por dhe për reformat që pritet të votohen pas zgjedhjes së tij. Edhe dje në mesditë, pas takimit me kreun e PBDNJ-së Vangjel Dule, Kryeministri Berisha konfirmoi se një takim me Ramën nuk është i nevojshëm. “Të gjitha marrëveshjet e mëdha me z. Rama i kam arritur pa u takuar me të. Kushtetuta e Shqipërisë nuk është më kurrë ajo që ishte dhe, kjo erdhi pa u takuar. Jemi takuar dhe kemi diskutuar për shumë gjëra dhe tetorin që shkoi, dhe ai e ka shumë vështirë të pranojë shumë gjëra në aparencë. Ne kemi arritur shumë gjëra të rëndësishme pa u takuar. Rëndësi ka të arrijmë në Presidentin konsensual”, u shpreh Kryeministri Berisha. Mësohet se kryesocialisti Rama është i gatshëm të ulet në tryezën e bisedimeve me kreun e maxhorancës për të bërë negociatat e tij për një President që të marrë dhe pëlqimin e opozitës.
Replika në distancë
Sali Berisha: Edhe një herë thirrja ime është të vlerësosh ofertën e sinqertë që kjo maxhorancë i bën opozitës. Të zgjedhim Presidentin, dhe prapë them, kemi të dy palët, fatmirësisht ekspertë dhe specialistë shumë të mirë. Tani ky nuk u beson, ky është dallimi, se ja do ulem unë, do ulem unë me të. Më thoni mua, çfarë do të më mbushë mendjen mua, se njeh më mirë se Damiani doktrinën elektorale?! Jo more zotëri, nuk ma mbush mendjen! Se ata që merren gjithë ditën me të, e njohin më mirë. Ne mund të përcaktojmë një kornizë, disa parime, por ne nuk jemi njerëzit e veçantive, sepse ajo është një doktrinë.
Edi Rama në Twitter: Të bardhën të zezë e të zezën të bardhë Kryeministri e ka mësuar në shkollën e Enverit, s’ia kalon kush këtu! Po unë përsëris: Vullnet politik, jo dokrra!
Sali Berisha: Doktrina elektorale është një doktrinë në të drejtën dhe më mirë e njohin ata të cilët kanë 15 – 20 vjet që merren me të. Pra, ne ua përcaktuam sistemin, e zgjodhi ai vetë, sistemin spanjoll, dhe e pranuam, përcaktuam rajonal, pastaj të tjerat do t’i bëjnë ata që e njohin. Formulat do t’i bëjnë matematicienët, nuk do bëhemi matematicientë ne, të heqim dorë nga kjo praktikë që nuk të sjell…, të ulemi bashkë, por punën kush do ta bëjë? Kjo nuk e zgjidh problemin.
Edi Rama në Twitter: Reformat i ka bllokuar Kryeministri, se s’ka vullnet politik për zgjidhje politike, jo teknicienët e matematicienët! Dialog, d.m.th. vullnet, jo kafemuhabet!
Sali Berisha: Nenet i shkruajnë ata që zotërojnë doktrinën e tyre. Edhe një herë e ftoj për realizëm, por për të pirë kafe me mua, të pijë kur të dojë, nuk është kjo zgjidhja, nuk i japin kafenetë reformat.
Edi Rama në Twitter: Saliu llastohet çuditshëm si teze nazemadhe që po i luten për kafe, ndërkohë që sot tryezën e dialogut politik e kërkon interesi kombëtar!
Takimi: Arvizu, i vetëm te Berisha
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ishte vetëm dje te Kryeministri Berisha. Duket se misioni i tij me Kryeministrin ishte më konfidencial, pasi ka preferuar që të shoqërohet me përfaqësuesit e tjerë diplomatikë vetëm në takimin me kreun e opozitës, Edi Rama. Biseda mes Kryeministrit Berisha dhe ambasadorit amerikan nuk u zbardh si herë të tjera, por shqetësimi kryesor dje ishte vendosja e një dialogu mes Kryeministrit dhe kreut të opozitës për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.
Rama: Të gatshëm të flasim me PD për reformat
Kryesocialisti tha dje se në takimin me tre ambasadorët e rëndësishëm në Tiranë, shprehu gatishmërinë për të qenë pjesë e procesit të dialogut, duke mbetur i hapur për miratimin e katër pikave të kërkuara nga PS. “Si përfundim, unë e siguroj opinionin publik dhe e sigurova vetëm pak minuta më parë edhe Trojkën e ambasadorëve, se Partia Socialiste nuk do të reshtë së përpjekuri për të hapur rrugën e arsyes politike të kombit në këtë moment delikat e historik, duke komunikuar, dialoguar, bashkëpunuar me çdo palë politike e mundësisht me të gjitha palët politike, nëse edhe PD e dëshiron, që të gjejnë një zgjidhje të denjë dhe të qëndrueshme për çdonjërën nga katër pikat”, u shpreh dje Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar.
Arvizu takon kryebashkiakun Basha
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, zhvilloi dje pasdite një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Takimi u zhvillua në ambientet e Bashkisë së Tiranës, ndërsa nuk u bë e ditur asnjë nga temat e diskutuara. Takimi zhvillohet një ditë para votimit në raundin e parë të kreut të ri të shtetit, ndërsa ende ambasadori Arvizu nuk kishte marrë një përgjigje pozitive nga Kryeministri Berisha për një takim me Edi Ramën. Lulzim Basha mbetet një nga politikanët me influencë në Partinë Demokratike.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











