Ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së zhvillojnë takime me kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama, lidhur me krizën politike në vend. Paraditen e djeshme, ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, zv. ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Debora Jones, dhe ambasadori i Prezencës së OSBE-së, Eugen Volfarth, kanë dëgjuar qëndrimet e të dyja palëve lidhur me situatën pas zgjedhjeve të 8 majit. Sipas zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave, gjatë këtij takimi kreu i Ekzekutivit ka shprehur edhe një herë qëndrimin e tij për të bashkëpunuar me opozitën për të gjitha reformat që kërkojnë shumicë të cilësuar. “Kryeministri Berisha u rikonfirmoi ambasadorëve vendosmërinë dhe vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për të qene tërësisht e hapur dhe transparente për të bashkëpunuar me opozitën për reformën elektorale dhe për të gjitha reformat në shërbim të integrimit dhe anëtarësimit në BE, të cilat kërkojnë konsensus të gjerë”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. Gjithashtu, sipas të njëjtit burim, lidhur me situatën e ditëve të fundit kryeministri Berisha është shprehur se “në këtë kontekst ishte edhe ftesa që iu dërgua opozitës nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, z. Astrit Patozi, por pavarësisht se ajo mori përgjigje negative nga ana e opozitës, ne mbetemi të hapur për një bashkëpunim të bazuar në respekt të Kushtetutës dhe shtetit ligjor”. Berisha tha po dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së “se kemi të bëjmë me një qeveri fashiste, orientale dhe ky ishte termi i fundit i një fjalori që ka mërzitur aq shumë veshët e shqiptarëve dhe që vet shqiptarët ditën të qëndrojnë ndaj tij në zgjedhjet e 8 majit”. “Zoti Rama beson se bojkoti ishte një strategji e suksesshme. Po të lexojë mesazhin e shqiptarëve, uroj që ta lexojë, ai mund të nxjerrë një konkluzion tjetër. E vërteta është se në qoftë se 8 maji u ftua nga ana e tij si një referendum kundër qeverisë, rezultoi në të kundërtën e tij, rezultoi si një mbështetje plebishitare për qeverinë”, u shpreh Kryeministri në grupin e PDMesditën e djeshme, përpara se të takoheshin me kreun e qeverisë, tre ambasadorët e huaj në vendin tonë janë takuar edhe me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Rreth orës 12:00, diplomatët e huaj janë parë të hyjnë në selinë rozë ku kanë qëndruar për rreth 90 minuta. Edhe gjatë këtij takimi, temë kryesore ka qenë kriza politike në vend.











