ALUIZNI: Penalizim kush s’paguan faturat

Aug 30, 2011 | 12:05
Agron Akshija

SHKODER – “Nëse personat nuk bëjnë pagesat e faturave të legalizimit brenda një muaji që nga koha e marrjes së faturës, atëherë ata penalizohen. Por, nëse kjo pagesë nuk bëhet për një vit të tërë, atëherë aplikuesve për legalizim i humbet e drejta për të vazhduar këtë proces”. Drejtori i ALUIZNI-t për Shkodrën, Agron Akshija, e ka bërë këtë deklaratë për çështjen e legalizimit. Në një prononcim për mediat ai u bën thirrje të gjithë të interesuarve që të vijnë pranë zyrave të ALUIZNI-t, pasi edhe pse është muaji gusht, puna aty vazhdon normalisht me kapacitet të plotë. “Me gjithë vështirësitë që kaloi rajoni i Shkodrës me përmbytjet e dhjetor-janarit, ku stafi i kësaj agjencie u përfshi në procesin e verifikimit dhe regjistrimit të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet, procesi i legalizimit pati njëfarë shkëputjeje. Por, megjithatë, kjo agjenci ka vazhduar aktivitetin e saj të rëndësishëm dhe normal, siç është ai i legalizimit”, ka shtuar Akshija. Edhe gjatë muajit gusht ka vazhduar puna për kryerjen e faturave, bërjen e pagesave dhe lidhjen e kontratave për kalimin e pronësisë. ALUIZNI në Shkodër është në pritje për kalimin edhe të 460 legalizimeve të reja ndërtimore për Bashkinë e Shkodrës, që duke iu bashkëngjitur numrit ekzistues të dosjeve të përfunduara, e kalon numrin e 6200 dosjeve të përfunduara dhe të gatshme për t’u legalizuar vetëm për qytetin e Shkodrës. Akshija ka sqaruar edhe një herë se leja e legalizimit do të bëhet e mundur që të nxirret vetëm në momentin kur personi do të shlyejë detyrimet financiare. Pas lejes së legalizimit mund të bëhet regjistrimi i kësaj prone në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në momentin që paraqitet ky dokument, procedura është e mbyllur tek ALUIZNI.               r.d

© Panorama.al

Te lidhura