Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, struktura dhe funksionimi i Agjencisë së Legalizimeve ka pësuar një sërë ndryshimesh, të cilat sanksionohen me një vendim të miratuar dje nga qeveria. Objektivi për të përfunduar brenda vitit 2013 procesin ka nxitur shtimin e drejtorive rajonale për ato zona ku dosjet janë më të shumta në numër. Kreu i ALUIZNI-t, Ardian Kollozi, pati theksuar se me ndryshimin e tarifave dhe afateve që lidheshin me procesin e legalizimit, hapi tjetër do të ishte ndryshimi i ritmit të punës duke e përshpejtuar atë. Kjo sipas Kollozit do të bëhej e mundur përmes procesit të decentralizimit. “Kërkojmë që të shtojmë drejtoritë dhe njësitë në territore sa më të administrueshme, sepse gjykojmë që kështu fitojmë ritme të reja për procesin e legalizimit”, është shprehur Kollozi.
Drejtoritë e reja
Ndryshimet në ligjin për funksionimin e ALUIZNI-t shtojnë numrin e drejtorive rajonale për një sërë qarqesh. Kështu, nëse në Tiranë sipas ligjit të vjetër kishte një drejtori rajonale dhe një sërë zyrash, me ligjin e ri do të kemi katër drejtori rajonale, të cilat do t’i kenë të ndara specifikisht dosjet me të cilat do të merren. Një nga këto drejtori do të ketë funksionin total të shqyrtimit të dosjeve të qytetarëve, ndërtimi informal i të cilëve është brenda territorit të Bashkisë së Tiranës. Një drejtori e dytë do të shërbejë për dosjet ku objekti i vetëdeklaruar u përket komunave të qarkut të Tiranës. Një drejtori tjetër do të shërbejë vetëm për bashkitë e tjera që janë pjesë e qarkut të Tiranës, kurse drejtoria e katërt do të shërbejë për kalimin e dosjeve që kanë të bëjnë me shtesat pa leje në ndërtimet me leje. Vendimi i djeshëm i qeverisë, përveç katër drejtove të Tiranës, shton edhe tri në Vlorë, dy në Elbasan, tri për Fierin, dy për Durrësin, dy për Korçën dhe një sërë drejtorish të tjera në disa qytete në vend. I gjithë synimi i rritjes së numrit të drejtorive rajonale ka të bëjë me rritjen e fluksit të dosjeve të miratuara që legalizohen për t’i dhënë fund procesit. Me një vendim të mëparshëm, qeveria rriti tarifat për shërbimet që kryhen pranë Agjencisë së Legalizimeve për t’i mundësuar kësaj të fundit fondet e nevojshme për shtimin e kapaciteteve, në mënyrë që përfundimi i procesit të bëhet brenda vitit 2013. Gjatë javëve të fundit, ALUIZNI ka thekuar se qytetarët duhet që të bëjnë pagesën e faturës financiare dhe do të marrin lejen e legalizimit brenda 48 orëve.
Drejtoritë sipas vendimit të ri
ALUIZNI ka Drejtorinë e Përgjithshme në Tiranëa) 4 drejtori në qarkun e Tiranës
b) 3 drejtori në qarkun e Vlorës;
c) 2 drejtori në qarkun e Elbasanit;
ç) 3 drejtori në qarkun e Fierit;
d) 2 drejtori në qarkun e Durrësit;
dh) 2 drejtori në qarkun e Korçës;
e) nga 1 drejtori për qarqet Berat, Gjirokastër, Dibër, Kukës, Lezhë dhe Shkodër.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











