Altin Basha: “Portokalli” sjell aktorë dhe karaktere të reja

Sep 9, 2012 | 11:51

30 shtatori do të jetë nata e parë e spektaklit “Portokalli” për këtë sezon në “Top Channel”, ndërkohë që nis kështu maratona e humorit e të dielave, që e ka kaluar deri tani shifrën 200 të shfaqjeve. Të gjithë janë kureshtarë të dinë për surprizat e natës së parë të spektaklit, që për të katërtin sezon do të vazhdojë të prezantohet nga Eneda Tarifa dhe Salsano Rrapi. Për sa u përket ndryshimeve në konceptin e spektaklit, regjisori Altin Basha tha për gazetën “Panorama” se: “Këtë sezon do të sjellim një “Portokalli” me disa ndryshime në përmbajtje dhe në skenografi”. Për sa u përket aktorëve dhe karaktereve që ata do të sjellin, Basha pohoi se ”jemi ende duke zhvilluar audicione për pranimin në trupën e njohur të aktorëve të rinj që mund të jenë katër deri në pesë aktorë”. Ndërkohë, shtoi Basha, nuk do të ketë asnjë largim nga trupa e aktorëve të sezonit të kaluar, përveçse ata do të vijnë ndryshe, pra me karaktere të reja”. Sezonin e pranverës, trupës së “Portokalli” iu shtua aktori i njohur i kinemasë, Gent Hazizi dhe një aktor tjetër i ri. “Portokalli”, në gati 8 vite shfaqje ka fiksuar në memorien e publikut disa karaktere të spikatura. Prej dy vitesh. show realizohet në formulën “Portokalli Channel”, ku aktorët sjellin pjesët e tyre si në një programacion të plotë televiziv.

© Panorama.al

Te lidhura