Vetëm guximi nuk mjafton në përvojat e saj, shpesh edhe të paimagjinueshme për një femër. Ngjitja e maleve të Shqipërisë, deri te maja më e lartë, ajo e Jezercës, në 2764 m lartësi, dhe maja e Olimpit në 2917 m, janë vetëm një pjesë e eksperiencave për 25-vjeçaren alpiniste.
Gjithçka nisi rastësisht, me dëshirën për të shijuar ndryshe fundjavat me miqtë dhe shoqërinë e ngushtë. Aty ishin të ngërthyera të gjithë tipat e emocioneve, nga ato të bukurat dhe pozitivet, tek frikërat, ankthi, përqendrimi i nevojshëm. Për Dorina Moskun, vajzën nga Korça të diplomuar për Inxhinieri Informatike, deri përpara se të përjetonte eksperiencat si alpiniste në ngjitjet e majave më të larta, asfare nuk i kishte shkuar mendja në gjëra kaq të rrezikshme. Por, pas ngjitjes së parë, asaj të majës së Korabit, malit më të lartë në vend në 2764 me lartësi, kuptoi se të tillë adrenalinë, vështirë se mund ta përftonte nga ndonjë lloj tjetër sporti. Megjithëse frika, shpesh edhe rreziku ishin bashkëshoqërues në çdo hap të 25-vjeçares si në ngjitje ashtu edhe në zbritjet e maleve të larta, ajo nuk kish ndër mend të ndalej. Provoi ekspedita të reja, plot të papritura, prej nga përftonte emocione të reja. Synimi i radhës është maja e malit Triglav (Slloveni), ndërsa Dorina ka nisur të ndërtojë në kokë skemën e kësaj ekspedite, aq të dëshiruar nga ajo.
Thuajse të gjithë këto ditë të nxehta vere flasin për detin, pushimet, ndërsa ne bëjmë të kundërtën, bisedojmë për malet, borën. Dorina cila është lidhja jote me to?
Përfshirja ime në alpinizëm ka qenë krejt e rastësishme, ndoshta e ndikuar edhe nga pasioni im i madh për të udhëtuar. Nisi si një alternativë për të kaluar kohën e lirë, kryesisht fundjavat. Me kalimin e kohës, dëshira për ecjet në natyrë, për të parë vende dhe peizazhe të reja, për të njohur më mirë vendin tonë, filloi të shtohet gradualsht, duke u kthyer në një pasion të ri. Tani që është sezon veror, përpiqem të shijoj maksimalisht edhe plazhin, detin, notin. Dihet që dimri vjen shpejt, ndaj mundohem që çdo stine t’i vjel nektarin e saj, edhe pse mund të rastisë gjatë verës ngjitja e ndonjë mali, si ai i Jezercës, përvojë të cilën e kam përjetuar shumë mirë.
Deri më tani kemi dëgjuar për gjininë mashkullore të përfshirë në alpinizëm, ndërsa femrat që praktikojnë këtë kategori sportive janë të pakta në numër. Ju diferencon kjo gjë?
Jam e vetëdijshme që është një sport i vështirë, por pas rastësisë së fillimit të kësaj eksperience, kuptova se më pëlqen si sport, ndaj zgjodha ta vazhdoj. Më pëlqejnë sfidat dhe në këtë rast kam sfiduar edhe vetveten. Të ngjiturit në mal është një përvojë sa e bukur, aq edhe e rrezikshme në një moment pakujdesie, apo humbje kontrolli, sidomos për femrat. Por, për periudhën gati dyvjeçare që unë jam e angazhuar në këtë lloj sporti, nuk ndiej kurrfarë rreziku, përveçse kënaqësi.
Cila ka qenë përvoja juaj e parë si alpiniste?
Ajo që unë konsideroj të parën, është ngjitja e malit të Korabit (maja më e lartë në Shqipëri dhe e treta në Ballkan, 2764 m), në marsin e vitit të kaluar. Filluam ecjen nga fshati Radomirë. Isha ngjitur edhe dy ose tri herë të tjera në mal, por këtë herë, asnjëra prej të kaluarave nuk i ngjante, madje as nuk i afrohej kësaj të fundit. Kishte shumë dëborë (mund të zhyteshe në dëborë deri tek beli, duke zbritur), ishte kohë e keqe, me erë të fortë e mjegull dhe terreni më dukej i vështirë, i pjerrët. Për mua ishte hera e parë që përjetoja diçka të asaj natyre dhe, si e tillë, ndoshta lodhja dhe frika që më shoqëroi një pjesë të mirë të ngjitjes ishte normale. Arritja në majë ishte një ndërthurje gëzimi, për atë që gjatë tri-katër orëve të fundit ishte fitorja më e madhe, dhe keqardhjeje për faktin që mjegulla e dendur nuk na lejonte të kishim asnjë pamje të relievit poshtë malit. Kisha dëgjuar se pamja nga maja e Korabit është shumë e bukur dhe për këtë arsye u mërzita disi, por sidoqoftë mbizotëronte ndjenja e gëzimit. Zbritja ishte mjaft e lodhshme dhe e gjatë, pasi ndoqëm një shteg tjetër, më të thjeshtë se ai i ngjitjes, por shumë më të gjatë. Pjesa më e bukur e asaj zbritjeje kanë qenë momentet kur rrëshqisnim përgjatë shpateve të malit, sa herë kjo ishte e mundur. Gjatë pjesës së fundit të zbritjes dhe kthimit në Tiranë kam qenë në një gjendje shumë të bukur humori të mirë (kisha ngjitur majën më të lartë të Shqipërisë), por edhe mjaft e lodhur. Ditët e para, pas asaj fundjave, flisja shumë dendur për Korabin.
Ju keni praktikuar alpinizmin edhe jashtë shtetit. Çfarë dallimesh kanë në momente krahasimi këto dy eksperienca për ju?
Ngjitja e Olimpit, vitin e shkuar, në majën më të lartë Mitikas 2917 m, ka qenë ajo që më ka lënë përshtypjen më të thellë, gjatë dhe pasi kisha ngjitur majën e malit. Ndoshta, fakti që në fëmijëri më ka tërhequr shumë mitologjia greke, ka ndikuar mjaftueshëm për të pasur njëfarë entuziazmi pak të tepërt, që në nisjen nga Tirana. Ditën e parë jemi ngjitur 1000 m, deri në lartësinë 2100 m dhe ditën e dytë, u nisëm nga kjo lartësi për të arritur majën. Shtegu gjatë ditës së parë ka qenë nëpër pyll të dendur, ku mund të dalloheshin qartë brezat e bimësisë me rritjen graduale të lartësisë. Ndërsa ditën e dytë, shtegu ishte shumë më ndryshe. Fillonte me rrallim të pemëve, derisa zëvendësoheshin nga shkurret. Vende-vende kishte edhe dëborë. Edhe zbritjen nga maja deri atje ku kishim filluar ngjitjen një ditë më parë, e kam shijuar po aq. Pamjet që ofronte mali gjatë gjithë shtegut ishin me të vërtetë të këndshme, gjë që e bënte të tillë edhe ngjitjen.
Në këto dy vite që ke zgjedhur të bësh alpinizëm në vende të ndryshme të Shqipërisë, a ka pasur ndonjë ekspeditë të rrezikshme për ty?
Për mua, mali më i vështirë që kam ngjitur, ka qenë Jezerca (korrik 2012), që gjithashtu më ka lënë mbresë të thellë. Është mali më i lartë i Alpeve tona dhe pamjet që ai ofron gjatë ngjitjes e sidomos nga maja, janë me të vërtetë shumë të bukura. Ngjitjen e këtij mali e kam bërë nga Valbona, kështu që gjatë gjithë rrugës kam shijuar natyrën dhe peizazhet shumë të bukura e të egra të Valbonës. Por terreni ishte i vështirë, më i vështiri që kam ngjitur deri tani dhe sidomos zbritja ishte mjaft e lodhshme. Afër majës ishte një pjesë e shkurtër, ku kishte ngjitje vertikale. Ishte diçka e re për mua, që për një çast më hutoi. Ndërsa zbritja e saj ishte më e vështirë, sidomos për shkak të frikës se mos i rrëzoja gurë personit që ishte duke zbritur poshtë këmbëve të mia. Ishte pak e çuditshme të shihje dëborë vende-vende, në mes të korrikut, që sa vinte e bëhej më e shpeshtë afër majës. Ka qenë një ngjitje ku kam përjetuar shumë frikë, vërtet për shkak të rrezikshmërisë që paraqiste si terren.
Kur frika ia lë vendin triumfit të misionit të kryer, pra arritjes në majën e malit, çfarë përjetimi emocional është për ju?
Për mua çdo eksperiencë ka qenë e bukur në vetvete. Gjatë ngjitjes ka shumë gjëra për të shijuar, të tilla si pamjet që ofron mali, natyra përreth, ajri i pastër dhe mbi të gjitha, kënaqësia e arritjes së majës. Edhe rreziku është i pranishëm, kuptohet (në momente të caktuara kam ndier edhe frikë), kështu që kujdesi dhe përqendrimi gjatë ecjes janë të domosdoshme, jo vetëm për të mos rrezikuar veten, por edhe për të mos u bërë rrezik për pjesën tjetër të grupit. Mali ofron shumë gjëra të bukura dhe, midis të tjerave, edhe qetësi mendore. Ndjesia e të gjendurit në natyrë të paprekur, të shijuarit e kësaj ecjeje, janë një mënyrë shumë e mirë për t’u qetësuar dhe për t’u shkëputur herë pas here nga jeta e përditshme. Përveç kësaj, duke pasur dëshirë shumë të madhe për të udhëtuar dhe për të njohur sa më shumë vende të reja, ky sport është një mënyrë për të plotësuar këtë dëshirë. Gjithsesi, kënaqësia e ngjitjes së malit, sidomos pasi ka përfunduar gjithçka, është ajo që ngelet dhe në rastet kur bëhet fjalë për ngjitje të vështira, kjo ndjenjë është edhe më e fortë.
Jo pak bujë mediatike bëri ngjitja e flamurit shqiptar në majën e malit Everest pak kohë më parë nga një grup alpinistësh shqiptarë. Po, ju Dorina synoni në të tilla nivele?
Pa diskutim që edhe unë kam piketat e mia, të cilat kërkoj t’i arrij. Për shembull ngjitja e radhës është vërtet sfidë për mua. Besoj se do të jetë mali Triglav (Slloveni). Këtë eksperiencë besoj do ta përjetoj në muajin shtator, duke menduar për të tjera ekspedita të këndshme të paprovuara më parë nga unë.
ERMIRA ISUFAJ











