Alonso shkëlqen në Hokenhaim

Jul 23, 2012 | 11:55

Fernando Alonso i ka dhënë Botërorit 2012 një goditje ndoshta vendimtare pikërisht në mes të sezonit. Piloti spanjoll i Ferrarit ka arritur një triumf të merituar në pistën e Hokenhaimit. Dy herë kampioni i botës në Formula 1 ka kryesuar garën e djeshme nga fillimi e deri në fund, duke luftuar një herë me Fetelin dhe më pas me Batonin, dy rivalët që janë përpjekur t’i rrëmbejnë fitoren. Dita e diel ka qenë thelbësore për Ferrarin, që në këtë fundjavë ka treguar se është e fortë në pistë të lagur dhe në të thatë. E nga ana tjetër, Alonso është duke bërë hapa të rëndësishëm në Botëror, çka e tregojnë tri garat e fundit, pa lënë hapësira për dyshime. Aktualisht, ai kryeson me 154 pikë, 34 më shumë se ndjekësi i tij më i afërt, Mark Veber. Fetel është renditur i dyti (më pas është penalizuar me 20 sekonda për parakalim të parregullt dhe e ka mbyllur në vendin e pestë) dhe Baton i treti, me Hamiltonin që është tërhequr nga gara. Nuk bashkohet me festën e “kokëkuqes” Felipe Masa, i cili e ka mbyllur garën në vendin e dymbëdhjetë.

© Panorama.al

Te lidhura