Alo, dua një dietë

Jul 17, 2011 | 13:02

Ushqime dietike në shtëpi dhe në vendet tuaja të punës. Një gjetje që nuk minimizon vetëm çështjen e vullnetit, por mbi të gjitha një praktikë lehtësuese që vjen më afër personave të cilët kërkojnë me ngulm rënien nga pesha.

Nëse jeni të lodhura duke kopjuar dietat e gatshme të mikeshave tuaja apo duke qëndruar për orë të tëra me “kokë” në kuzhinë, në procesin e ndarjes së produkteve në gramaturë, përgatitjes së ushqimit dhe recetës “magjike” të ditës që do të të ndihmojë për të humbur disa kilogramë, tashmë vjen një zgjidhje më praktike në emër të komoditetit dhe prakticitetit të klientit. Dieta Taxi është mania e kohëve të fundit të cilën e kanë përqafuar jo vetëm individët e zakonshëm, ata të ngarkuarit me punë dhe që jetojnë me axhenda, por edhe personazhet publikë shqiptarë. Tashmë, ushqimet dietike mbërrijnë në shtëpitë tuaja, në zyrat e vendet e punës dhe kudo ku mund të ndodheni gjatë orarit të drekës apo të pasdites. Drejtueset e dy qendrave dietike më të njohura në Tiranë, Blerina Bombaj dhe Enkeleida Ferollari, dëshmojnë për këtë risi, duke shpalosur versionet e tyre, taktikat e nevojshme dhe disa këshilla të vlefshme për rënien në peshë dhe ruajtjen e linjave perfekte trupore.

Enkeleida Ferollari,
dietologe dhe drejtuese e qendrës “Silhouette”

Një nga risitë e fundit të qendrave dietike është edhe dërgimi i ushqimit në shtëpitë apo zyrat e klientëve. Pse kjo praktikë?
Dieta “taxi” është shërbim i dërgimit të dietës së përgatitur në shtëpi, në zyrë ose kudo që dikush mund të jetë. Është një shërbim komod dhe që e bën më të lehtë procesin e ndjekjes së një regjimi ushqimor hipo apo hiperkalorik sipas nevojave për rënie apo marrje peshe, por edhe për të mbajtur një peshë të dëshiruar duke ngrënë ushqime të shëndetshme dhe të kontrolluara.
Dhe si bëhet përzgjedhja e dietës për një klient të caktuar?
Dieta është e personalizuar, gjë që do të thotë se kaloritë dhe përzgjedhja e ushqimeve janë të mirëpërcaktuara sipas nevojave personale të gjithsecilit. Përpara se të përcaktohet dieta, kryhet vizita që konsiston në matjet përkatëse të përbërjes së trupit (analiza e gjakut) dhe të intervistës me pacientin. Pas të dhënave hartohet dieta nga specialisti, për marrje, rënie, mbajtjen e peshës së dëshiruar apo për të pasur nën kontroll parametra të ndryshëm të shëndetit (tensionin, yndyrat, diabetin, etj).
Ndarja në porcione ditore e ushqimit bëhet duke kategorizuar shijet me vaktet dhe metabolizmin e klientit, si funksionon?
Duhet të konsumohen 5 vakte në ditë, vakte të shpeshta dhe të vogla. Mëngjesi duhet të jetë një nga vaktet kryesore, të cilin  shumë njerëz e neglizhojnë, kjo për arsye të një mënyre të tillë të edukimit, apo të një ideje të gabuar, që duke eliminuar vaktin, sidomos mëngjesin, do të bien nga pesha. Duhet të konsumohen dreka, darka dhe dy vakte të ndërmjetme, ai i paradites dhe zemra e pasdites. Në përcaktimin e dietës dhe të menysë merren parasysh shijet personale të gjithsecilit dhe nevojat për energji në bazë të moshës, gjinisë, përmasave të trupit dhe stilit të jetës që kryen gjithsecili.
Ku qëndron sekreti i një ushqimi që vjen në shtëpi dhe i një diete të përgatitur në kushtet e shtëpisë apo të kopjuar nga dikush tjetër?
Ne ofrojmë edhe shërbimin e përgatitjes së recetave dietike në shtëpi. Dietat e kopjuara nga interneti mund të shkaktojnë rënie të masës muskulore, dëmtim të lëkurës, të veshkave sepse për dieta të ndryshme, metabolizmi i njeriut reagon ndryshe. Ndaj duhet treguar kujdes. Alternativa e dërgimit të ushqimit me recetë në shtëpi është zgjedhja e duhur.
Tani që është sezon veror, ku thuajse shumica e klientëve janë me pushime dhe nuk e ndjekin dot ushqimin e ardhur në shtëpi ose  dietën, a ka një zgjidhje?
Zgjidhja është të shijojnë pushimet me të gjitha kënaqësitë që ato ofrojnë edhe në ushqim. Kjo nuk do të thotë që të tejkalohen masat gjatë gjithë ditëve të pushimeve. Do të ishte e rekomandueshme të kryheshin pushime aktive, që do të thotë të shoqëruara edhe me aktivitete të ndryshme argëtuese, lojëra, not, shëtitje për ata që kryejnë pushime malore etj.
Klientët tuaj janë femra dhe meshkuj, e në këtë kategori ka edhe persona publikë? Cilët janë ata?
Janë të shumtë. E vetmja gjë që mund të të them është se trajtojmë shumë personazhe publikë të të gjitha fushave, të politikës, artit, medias dhe të shumë profesioneve të ndryshme.
Disa nga personazhet publike që kanë praktikuar “Dietën Taxi” të “Silouhette”-ës janë Hygerta Sako, Arian Çani, Monika Kryemadhi etj.

LODHJA

Ka ndodhur që klientë të caktuar të mos kenë qenë korrekt me dietën, duke pasur rezultate të vonuara, gjë që më pas i ka lodhur… Por, në një kohë të mëpasshme ata janë rikthyer duke qenë psikologjikisht të përgatitur për të arritur qëllimin e rënies.

 

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura