Allias, dy të vrarë për martesën

Jul 4, 2011 | 11:38
Banesa ku ndodhi vrasja në Allias

Tragjedia në familjen Elmazi, banuese në Allias, është rënduar më shumë dje kur i zoti i shtëpisë, Fatmir Elmazi, gjeti vdekjen në Spitalin Ushtarak në Tiranë.Një ditë pas ndarjes nga jeta të gruas së tij, shtetases Anife Elmazi, i shoqi i saj, 44-vjeçari Fatmir Elmazi, nuk ka arritur të mbijetojë nga katër plagët e marra në bark me armë zjarri Kallashnikov.  Ndërkohë që autori i masakrës, shtetasi Ylli Sherifi, rreth 40 vjeç, prishi martesën e njëanshme të vajzës së tij duke vrarë nënën e dhëndrit, pasojat e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së premtes janë rëndur më tej ditën e djeshme. Vetëm një ditë pas përcjelljes për në banesën e fundit të Anife Elmazit, familja rome ka marrë vesh lajmin për vdekjen e kryefamiljarit. Dy prindërit kanë paguar me jetë martesën e djalit të tyre me vajzën e shtetasit Ylli Sherifi. Ndaj tij tashmë shtohet akuza edhe për një vrasje tjetër me dashje, ndërkohë që në spital ndodhet i plagosur nga ngjarja e se premtes edhe shtetasi Ervin Ademi, 26 vjeç. Policia ka thënë dje se shtetasi Ervin Ademi është jashtë rrezikut për jetën, pasi ka marrë vetëm një plumb në krah, çka nuk i ka sjellë dëmtime në organizëm.
Martesa
Historia që përfundoi me dy të vdekur në Allias nis në momentin kur vajza e shtetasit Ylli Sherifi, vetëm 16 vjeçe, prishi fejesën e parë. Ajo nuk pranoi të martohej me personin që i kishte rekomanduar babai dhe familja e saj. Vetëm pak kohë më pas, vajza e të akuzuarit për vrasje të dyfishtë zgjodhi për bashkëshort djalin e dy viktimave. Pesë ditë më parë, nusja kishte shkuar në shtëpinë e familjes Elmazai në Allias, aty ku ata banojnë me qira prej pak ditësh. Pas largimit të vajzës nga shtëpia, babai i 16-vjeçares bën denoncim në polici, pasi fillimisht nuk ishte informuar se vajza ishte larguar me dëshirën e saj. Policia gjen vendndodhjen e vajzës dhe, pasi shoqëron të dy palët në komisariat, mëson se 16-vjeçarja me dëshirë kishte shkuar në familjen Elmazi për të kaluar jetën aty. Veçse këtë gjë e kishte bërë mesa duket pa pëlqimin e babait të saj, shtetasit Ylli Sherifi. Të afërmit e dy viktimave, Anife e Fatmir Elmazi, thonë se babai i vajzës u pajtua me familjen e dhëndrit në prani të policisë, edhe pse nuk kishte qenë dakord me vajzën. Në këto rrethana, askush nuk mund ta parashikonte atë që ndodhi më pas.
Masakra
Vetëm pak ditë pas pajtimit në polici, mbrëmjen e së premtes, Ylli Sherifi, banues në atë zonë, mbërrin para portës së banesës së Fatmir Elmazit në Allias. Me një kallashnikov në dorë, ai thërret të zotin e shtëpisë dhe i thotë t’i hapte portën se do t’i jepte rrobat e nuses. Autori i krimit u ka thënë viktimave se kishte me vete rrobat e vajzërisë së nuses dhe donte t’i dorëzonte. I zoti i shtëpisë, Fatmir Elmazi, ka hapur derën por është përballur me breshërinë e plumbave të automatikut Kallashnikov. Ai ka marrë katër plagë në bark dhe ka rënë përtokë. Gruaja që kishte dalë pas të shoqit për të parë kush ishte te dera u ndodh përballë tytës së armës, ajo mori plagë të rënda dhe vdiq të shtunën në spital. I plagosur rëndë mbeti edhe shtetasi Ervin Ademi, 26 vjeç, që ndodhej po ashtu në oborrin e banesës ku ndodhi masakra. Menjëherë pas ngjarjes, Policia e Tiranës ka vënë në pranga autorin e vrasjes së dyfishtë. Ai u arrestua pak metra larg vendit të ngjarjes, ndërsa shërbimet e policisë sekuestruan edhe armën e krimit, një automatik Kallashnikov.

Kërkohet “arrest me burg” për autorin e masakrës

TIRANE – Policia e Prokuroria e Tiranës kanë dokumentuar autorësinë e vrasjes së bashkëshortëve Anife Elmazi dhe Fatmir Elmazi. Vetëm pak orë pas krimit të trefishtë, autori i vrasjes u arrestua në rrugicat e zonës, ndërsa në duar mbante automatikun kallashnikov me të cilin qëlloi në derën e shtëpisë së viktimave. Pas arrestimit, mësohet se shtetasi Ylli Kujtim Sherifi, rreth 40 vjeç, e ka pranuar krimin në polici. Ai ka thënë se djali i dy viktimave i kishte rrëmbyer vajzën rreth 16 vjeçe. Nga ana tjetër, shtetasi Ylli Sherifi është identifikuar si autor i krimit edhe nga të afërmit e familjarët e dy viktimave që e kanë njohur babain e vajzës në vendin e ngjarjes. Pas hetimeve paraprake, Prokuroria ka përgatitur kërkesën drejtuar Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg pa afat” deri në fund të hetimeve për autorin e masakrës në Allias.

Martesa që zgjati vetëm katër ditë

TIRANE – Vajza rreth 16-vjeçare e shtetasit Ylli Sherifi, i cili vrau dy persona për martesën e adoleshentes, është kthyer në banesën e familjes së saj në Allias të Tiranës. Ditën e djeshme, vajza e cila kishte shkuar në familjen Elmazi si nuse e djalit të dy viktimave, është kthyer sërish në shtëpinë e vajzërisë. Ajo ka gjetur në banesë vetëm nënën e saj, pasi babai ka rënë në pranga me akuzën e “vrasjes me dashje në rrethana të cilësuara” ndaj dy personave dhe “vrasjes së mbetur në tentativë” ndaj shtetasit Ervin Ademi, 26 vjeç. Pas ngjarjeve që kanë ndodhur mes dy familjeve, mesa duket gjithçka ka marrë fund edhe për martesën që shërbeu si shkak për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e djalit të tyre. Vetëm katër ditë para se të ndodhte masakra në derën e shtëpisë, vajza e shtetasit Ylli Sherifi kishte ikur nga familja e saj dhe ishte vendosur te familja Elmazi. Këta të fundit, nga ana tjetër, kishin vetëm pak kohë që banonin me qira në shtëpinë ku ndodhi krimi, pranë shkollës “Bajram Curri” në Allias të kryeqytetit.

 

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura