Alimuçaj, Strasburgu, 8 mijë euro gjobë Shqipërisë

Feb 8, 2012 | 11:32

Vehbi Alimuça

Gjykata Europiane: Ish-kreu i VEFA-s u mbajt në burg i sëmurë.

Vehbi Alimuça, ish-kreu i kompanisë piramidale VEFA, arrin një fitore morale në Strasburg kundrejt gjykatave shqiptare. I dënuari për vjedhje me anë të mashtrimit në shuma të mëdha përfitoi një dëmshpërblim prej tetë mijë eurosh, për shkak të mbajtjes së padrejtë në burgjet shqiptare, ndërkohë që ishte diagnostikuar se vuante nga zemra. Më 2 qershor 2005, ndërsa vuante nga sëmundja në burgjet shqiptare, Alimuçaj dorëzoi aplikimin e tij në Strasburg, ndërsa vendimi ka ardhur ditën e djeshme më 7 shkurt 2012. Sipas vendimit që u shpall nga trupi gjykues i kryesuar nga Nicolas Bratza, Shqipëria gjobitet me tetë mijë euro gjobë për mbajtjen e pajustifikuar në burg të sigurisë së lartë pa mjekim të Vehbi Alimuçës. Bëhet fjalë për mbajtjen e ish-kreut të VEFA-s në qeli gjatë kryerjes së dënimit të dhënë ndaj tij me 20 vjet heqje lirie, për akuzën e vjedhjes me anë të mashtrimit më shumë se një herë ndaj 579 mijë kreditorëve. Alimuçaj qëndroi në arrest nga viti 1999, kur u vu në pranga nga Policia dhe më pas, në vitin 2002, dosja penale ndaj tij kaloi në Gjykatën e Lartë, ku dënimi për vjedhje me anë të mashtrimit u la në fuqi. Personazhi që u bë i njohur në vitin 1997 për aktivitetin e tij në thuajse gjithë Shqipërinë, la qelinë tetë vite pas dënimit, në vitin 2010, pasi u mbajt shumicën e kohës në burgjet 313 në Tiranë dhe në qelitë e sigurisë së lartë në Peqin. Në vitet 2002 dhe 2007, Alimuçaj përfitoi ulje të 11 viteve të dënimit me anë të amnistive, ndërsa në vitin 2010 përfitoi nga falja e Presidentit uljen e vitit të fundit të dënimit që i kishte mbetur. Në pesë vitet e fundit të qëndrimit në burg, Alimuçaj në mënyrë të përsëritur iu drejtua gjykatave me kërkesën për lirim të menjëhershëm dhe shtrim në spital, pasi siç deklaronte, vuante nga probleme serioze të shëndetit dhe qëndrimi në qeli po i rrezikonte jetën. Gjykatat refuzuan lirimin e tij nga qelia deri në vitin 2010, kur Alimuçaj përfitoi nga një amnisti e Presidentit, e cila falte dënimin e mbetur për ata persona që duhej të qëndronin jo më shumë se dy vjet në qeli deri në shlyerjen përfundimtare të dënimit. Ndërkohë që u lirua, Alimuçaj nuk e tërhoqi ankimin e bërë në Gjykatën e Strasburgut, e cila urdhëroi Shqipërinë t’i paguajë 8 mijë euro Alimuçës në formë dëmshpërblimi.

© Panorama.al

Te lidhura