
Komisioni hetimor i Kuvendit përgatit raportin: Hetim penal Spahiut.
“U ka dërguar letra përfaqësuesve të Kosovës, Serbisë e Greqisë”
Komisioni hetimor për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka miratuar raportin përfundimtar që do t’i kalojë për votim Kuvendit. Kryetari i Komisionit hetimor, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se janë faktuar akuzat për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet publike për qëllime të paligjshme politike. Për këtë arsye, raporti i hetimeve do t’i dërgohet Prokurorisë dhe KLSH-së, për një hetim penal për shpërdorim detyre nga zyrtari Kreshnik Spahiu. “Kreshnik Spahiu, me dashje ka devijuar nga funksioni kushtetues i zv.kryetarit të KLD-së, njëherazi anëtar i saj dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike. Zoti Spahiu ka abuzuar në mënyrë flagrante dhe ka shpërdoruar kompetencat e menaxhimit administrativ dhe financiar të institucionit. Zoti Spahiu është larguar me misione afatgjata dhe në mënyrë të përsëritur në funksion të axhendës politike, pa njoftim të organeve kushtetuese me të cilat lidhet ushtrimi i detyrës së tij kushtetuese”, theksoi Alibeaj. Letrat e dërguara nga Kreshnik Spahiu në adresë të krerëve të shteteve fqinje janë cilësuar si një abuzim flagrant me detyrën nga anëtarët e Komisionit hetimor. “Funksionari kushtetues, Kreshnik Spahiu, duke iu referuar statusit të anëtarit zv.kryetar të KLD-së, u ka dërguar letra të karakterit diplomatik përfaqësuesve të lartë shtetërore të shtetit të Kosovës, ministrit të Brendshëm, madje edhe gjithë popullit kosovar, përfaqësuesve të lartë të shtetit të Serbisë dhe përfaqësuesve të lartë të shtetit të Greqisë. Duke abuzuar me asociacionin iluziv të paralelizmit midis zyrtarëve të lartë të huaj, letërmarrës, pretendohet të ndërtohet artificialisht edhe “madhështia” zyrtare dhe publike e figurës së letërdërguesit”, theksoi Alibeaj.
Financat
Sipas hetimeve të Kuvendit, rezulton se gjatë vitit 2011 Kreshnik Spahiu ka kryer gjithsej 15 udhëtime jashtë shtetit, nga të cilat ka qëndruar rreth 26 ditë kalendarike, pa përdorur lejen e zakonshme. Nga këto udhëtimeve, sipas Alibeajt, Presidenti Topi është vënë në dijeni vetëm në dy raste për këto udhëtime. “Në funksion të këtyre udhëtimeve, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar në kundërshtim me ligjin 65 % të shpenzimeve vjetore për udhëtim e dieta”, theksoi Enkelejd Alibeaj. Sipas hetimit, rezultojnë se këto lëvizje cilësohen si udhëtime individuale të Kreshnik Spahiut, të zhvilluara në funksion të axhendës së tij personale.
© Panorama.alRekomandimet e hetimit
1. T’i propozojë Kuvendit të miratojë raportin përfundimtar të Komisionit hetimor Parlamentar dhe konkluzionet.
2. T’i propozojë Kuvendit të konstatojë si të përmbushura kushtet e dëmtimit të pozitës dhe figurës së anëtarit, njëherazi zëvendëskryetar i KLD-së.
3. T’i propozojë Kuvendit të vendosë ndërprerjen e menjëhershme të qëndrimit në detyrë të anëtarit të KLD-së, të zgjedhur nga Kuvendi, z. Kreshnik Spahiu.
4. T’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë të nisë procedurat ligjore për zgjedhjen e anëtarit të ri të KLD-së, në cilësinë e përfaqësuesit të Kuvendit.
5. T’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë të vendosë dërgimin e këtij raporti përfundimtar prokurorit të Përgjithshëm, me qëllim që të vlerësojë gjetjet e këtij raporti për ushtrimin e ndjekjes penale.
6. T’i propozojë Kuvendit të vendosë dërgimin e këtij raporti përfundimtar KLSH-së, me qëllim që të vlerësojë gjetjet e këtij raporti për të mundësuar kthimin e shumave financiare të përvetësuara pa të drejtë nga z. Kreshnik Spahiu.
7. T’i propozojë Kuvendi të vendosë dërgimin e këtij raporti përfundimtar pranë KLD-së, me qëllim ekzekutimin e ndërprerjes së menjëhershme të qëndrimit në detyrë si anëtar i KLD-së të z. Kreshnik Spahiu.











