Alibeaj: Spahiu, 43 mitingje në një vit

Feb 2, 2012 | 11:33

Komisioni hetimor për Spahiun

Komisioni hetimor për nënkryetarin e KLD miraton planin e hetimit, do verifikohet sistemi TIMS

“Të vijë në komision kur ta thërrasim, pa ndihmën e truprojave”

Komisioni hetimor Parlamentar për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, do të miratojë më 15 shkurt raportin që do t’i dërgohet Parlamentit. Në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni, ku kanë marrë pjesë vetëm përfaqësuesit e maxhorancës, është miratuar plani i punës, i cili përcakton se çfarë hetimesh do të kryhen për të provuar akuzat e maxhorancës. “Informacioni i mbledhur paraprak është përpunuar në dy drejtime kryesore. Në drejtimin e veprimtarisë ekstrafunksionale të anëtarit, njëkohësisht zëvendëskryetar i KLD-së dhe në drejtimin e veprimtarisë funksionale të tij, pra në ushtrim të detyrës si anëtar dhe zëvendëskryetar i KLD-së. Ka rezultuar nga një analizë sistematike e tyre se së pari: në aspektin statistikor rezulton se duke filluar së paku nga muaji mars 2011 e deri më 17 janar 2012, dita e fundit për të cilën ne kemi mbledhur të dhëna, funksionari i mësipërm ka realizuar mbi 43 veprimtari të tipit, organizim apo tubim, me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të tij, madje i pozicionuar në rolin e drejtuesit dhe projektuesit të tyre. Së paku pesë veprimtari të tilla në çdo muaj”, tha kryetari i Komisionit, Enkelejd Alibej, në mbledhjen e djeshme. “U ka dërguar letra të karakterit diplomatik përfaqësuesve të lartë shtetërorë të shtetit të Kosovës, ministrit të Brendshëm të Kosovës, madje edhe gjithë popullit kosovar, të shtetit të Serbisë, Presidentit dhe zëvendëskryeministrit të Serbisë dhe shtetit të Greqisë. Në përmbajtjen e këtyre letrave të trajtuara prej tij si veprime shtetërore të karakterit diplomatik ndërshtetëror nuk trajtohej asnjë çështje e sistemit gjyqësor”. Ai bëri të ditur gjithashtu se më 31 janar Komisioni i ka dërguar një letër nënkryetarit të KLD-së, të cilin e fton për të dhënë shpjegimet e tij përpara se të hartohet raporti përfundimtar. Në planin e punës së Komisionit është parashikuar verifikimi i mënyrës së menaxhimit të burimeve njerëzore të KLD-së, verifikimi i menaxhimit të mjeteve financiare të këtij institucioni si dhe verifikimi i masës së përdorimit të trupës gjyqësore dhe funksioneve gjyqësore për qëllime politike. Ndërkohë, me propozim të anëtarit të këtij komisioni, Gert Bogdani, do të zhvillohet edhe një korrespondencë me sistemin TIMS për marrjen e të dhënave se kur ka lëvizur jashtë shtetit Kreshnik Spahiu dhe sa kohë ka qëndruar. “E udhës do të ishte që zotëria, zv.kryetari Spahiu, të kthente një përgjigje në bazë të shkresës që i kemi dërguar si Komision, për periudhën që ai është i mundshëm për t’u paraqitur në Komision. Ne mund të diskutojmë edhe për datën përkatëse se kur do të thërrasim, pa ndihmën e truprojave në këtë rast, zotin Spahiu, të vijë pranë Komisionit, të sqarojë pozicionin e tij, pasi ky komision të ketë mbledhur këtë set të parë dokumentesh, faktesh dhe rrethanash. Miratimi i raportit do të bëhet më 15 shkurt”, tha Alibeaj në fjalën e tij.

Hetimet e Komisionit
. Verifikimi i veprimtarisë me natyrë politike të anëtarit-zëvendëskryetar të KLD-së, kohëzgjatjen, intensitetin, përmbajtjen dhe raportin e saj me sistemin gjyqësor;
. verifikimi i mënyrës së menaxhimit të burimeve njerëzore të KLD-së nga ana e anëtarit- zëvendëskryetar;
.  verifikimi i mënyrës së menaxhimit të mjeteve financiare dhënë nga buxheti i shtetit për KLD-në prej anëtarit-zëvendëskryetar;
.  analiza e shpenzimeve të veprimtarisë ekstrafunksionale të veprimtarisë së tij;
.  verifikimi i mënyrës dhe masës së përdorimit të trupës gjyqësore, për qëllime të organizimit dhe mbështetjes së veprimtarisë së Aleancës Kuq e Zi;
.  verifikimi i mënyrës dhe masës të përdorimit të trupës gjyqësore dhe funksioneve gjyqësore për qëllime politike;
.  verifikimi i përmbushjes së detyrave funksionale të zëvendëskryetarit në kuadër të KLD-së, në lidhje me rritjen e performancës së administratës gjyqësore;
.  verifikimi i përmbushjes së detyrave funksionale të anëtarit zv.kryetar në kuadër të KLD-së në lidhje me trajnimin e trupës gjyqësore, në lidhje me karrierën, vlerësimin profesional, me transferimet e gjyqtarëve, promovimin si dhe kontrollin e gjyqtarëve;
.   verifikimin e përmbushjes së detyrës funksionale të anëtarit të KLD-së në lidhje me përmbushjen e detyrimeve, përsa i përket respektimit të procesit të emërimit të kryetarëve të gjykatave;
.  verifikimin e vlerësimit që organizmat ndërkombëtare kanë dhënë në këtë periudhë në lidhje me performancën e organit drejtuar nga funksionari i mësipërm.
Mjetet e kërkimit të provës dhe burimet
.  Kontroll/këqyrje të dokumentacionit të ndodhur pranë KLD-së;
.  kërkimi dhe marrja e materialeve filmike prej mediave televizive kombëtare dhe lokale që kanë në fokus veprimtarinë ekstrafunksionale të funksionarit-anëtar-zv.kryetar të KLD-së;
.  mbajtja e procesverbalit për ekspertizat, dëshmitë e marra;
.  ekspertizë analizuese kushtetuese-ligjore (nxjerrja e praktikës relevante të Gjykatës Kushtetuese, të Kuvendit si dhe të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut);
– ekspertizë financiare;
– dokumente zyrtare;
– dëgjimi i organit kushtetues;
– informacioni nga TIMS mbi lëvizjet e nënkryetarit të KLD-së.

PD-PS miratojnë kalendarin trejavor
Rikthehet konsensusi në Kuvend, përfshihen edhe kodet me 84 vota

Nga mbledhjet e konferencës së kryetarëve

Konferenca e Kryetarëve ka miratuar dje me konsensus kalendarin trejavor për periudhën 6 shkurt-24 shkurt 2012. Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të Kuvendit, bëhet e ditur se në kalendar është përfshirë diskutimi në komisione i Kodit Civil dhe Kodit Penal, të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar dhe që janë pjesë e paktit PD- PS të arritur në muajin nëntor të vitit të kaluar. “Ndër të tjera, kalendari përmban shqyrtimin brenda këtij harku kohor në komisione dhe seancë plenare të projektligjeve me tre të pestat si ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin Civil. Ndërsa do të diskutohen në komisione parlamentare, midis të tjerave edhe projektligje shumë të rëndësishme, si projektligji ‘Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e Drejtësisë Administrative’”, thuhet në njoftimin për shtyp. Burime nga mbledhja e djeshme e Konferencës së Kryetarëve bënë të ditur se miratimi në Parlament i dy kodeve do të bëhet gjatë javës së dytë të muajit shkurt, ndërsa miratimi i Gjykatës Administrative, sipas kalendarit të përcaktuar më parë mes dy forcave politike, do të bëhet në fund të marsit. Ndërkohë, burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se kanë ngritur një grup pune, i cili po harton amendimet për dy kodet që do të diskutohen në komisione fillimisht si dhe për Gjykatën Administrative. Në përbërje të grupit të punës është edhe anëtarja socialiste e Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura