Aleksandër Moxhi: Për Bogdanin ka “sirena” greke e turke

Aug 25, 2011 | 14:00

Aleksandër Moxhi, djali i personazhit të famshëm të futbollit italian, Luçiano Moxhit, njëherësh edhe menaxher i sulmuesit shqiptar Erjon Bogdani, ka sqaruar dje situatën e lojtarit 34-vjeçar në merkato. Në një bisedë për mediat italiane, Moxhi konfirmoi se interes konkret për Bogdanin ka vetëm nga skuadra greke dhe turke. “Nuk kam pasur asnjë ofertë konkrete deri më tani. Të vetmet klube të interesuara janë nga Greqia dhe Turqia”, – është shprehur agjenti i sulmuesit të Kombëtares shqiptare. Bogdani kërkon dy vite kontratë te Çezena, në të kundërt do të zgjedhë një tjetër skuadër për sezonin e ri. Megjithatë, pas golit që shënoi ndaj Askolit, ku kualifikoi skuadrën në Kupën e Italisë, gjërat duket se kanë ndryshuar. Tifozët e kanë vënë nën presion klubin dhe kërkojnë që Bogdani të qëndrojë patjetër te Çezena, edhe pse dihet që lojtari nuk hyn në planet e trajnerit Xhiampaulo. Mendohet se kjo javë do të jetë vendimtare për të ardhmen e shtatlartit shqiptar. Në një intervistë për mediat italiane, drejtori sportiv i klubit të Vareses, Mauro Milanese, ka shprehur hapur dëshirën për të afruar në skuadër Bogdanin. I pyetur se cilin dëshironte mes sulmuesve Tiriboki, Altinieri, Budan, Suçi dhe Paoluçi, drejtori sportiv i klubit, që militon në Serinë B, deklaroi: “Po përfliten shumë emra, por mund të them se Bogdani është një lojtar që më pëlqen ta sjell te Vareze. Unë po pres një përgjigje nga ai. Na duhet një sulmues që ka eksperiencë në Serinë A dhe Bogdani i përmbush këto kërkesa. Shpresoj të vijë në ekipin tonë”.

Ujkani, i paduruar per startin

Në një konferencë për shtyp për mediat italiane, portieri shqiptar i Novarës, Samir Ujkani, ka thënë ndër të tjera se mezi pret të luajë në Serinë A. “Për mua do të jetë një ndeshje e veçantë ajo ndaj Palermos në javën e parë. Unë kthehem të luaj në Serinë A dhe, si për koincidencë, përballem ndaj Palermos”, – është shprehur Ujkani. I pyetur për ndeshjen e radhës së Kombëtares kundër Francës, Ujkani shtoi: “Ne absolutisht duhet të fitojmë në shtëpi ndaj Francës, për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim”.

© Panorama.al

Te lidhura