
Trajneri kërkon të thyejë tabunë angleze në Champions.
“Formacioni? Për Paton dhe Boatengun vendos në fund”
Milani e ndjek kualifikimin për në çerekfinale të Ligës së Kampioneve që prej vitit 2007. Deri tani, kuqezinjtë janë skualifikuar në fazën finale gjithmonë përballë skuadrave angleze (Arsenal, Mançester Junajtid dhe Totenhem). Ndërkohë, trajneri Masimiliano Alegri kërkon kualifikimin e tij të parë në çerekfinalen e Champions-it.
Si ka mundësi që Milani është skualifikuar gjatë viteve të fundit nga dora e skuadrave angleze?
Ne nuk jemi inferiorë ndaj anglezëve. Është thjesht një çështje tekniko-taktike. Vjet, në ndeshjen e parë bëmë vetëm një gabim ndaj Totenhemit, ndërsa në atë të kthimit meritonim fitoren dhe kualifikimin, por nuk ia arritëm.
Si mundet Arsenali?
Duhet të tregohemi të kujdesshëm në mbrojtje. Nëse pësojmë gol në “San Siro”, do ta kemi të vështirë. Gjithashtu, duhet të bëjmë kujdes nga kundërsulmet e Arsenalit, të cilët kanë në skuadër një futbollist si Henri. Ai mund të realizojë gola që të tjerët as që i mendojnë. Përveç Henrit dhe Van Persit, anglezët bëjnë një lojë kolektive, e cila është për t’u pasur zili.
Ibrahimoviç ka thënë se nuk e ka më fiksim Champions-in. Po ju ç’mendim keni?
Pavarësisht asaj që ka thënë Zlatan, unë e di mirë që ai kërkon të fitojë edhe ndeshjet miqësore, jo më këtë kompeticion. Ibra është në kulmin e formës së tij dhe kundër anglezëve kam besim se do të bëjë një ndeshje të madhe. Ai do na dhurojë golat, fitoren dhe kualifikimin kundër Arsenalit.
Ndiheni më mirë tani që janë kthyer Boateng, Pato, Nesta dhe Abiati?
Pa dyshim që rikthimi i tyre është shumë i rëndësishëm për ne. Por, më duhet ta vlerësoj edhe një herë gjendjen e tyre, pasi ata sapo janë kthyer nga dëmtimet e tyre respektive. Pas kaq shumë javësh pushim, duhet parë nëse mund të luajnë 90 minuta. Vështirë që Boatengu të luajë nga fillimi, por gjatë minutave të fundit mund të ndryshojë mendim. E njëjta gjë vlen edhe për Paton.
Po El Sharaui do të luajë që nga fillimi kundër anglezëve?
El Sharaui po luan shumë mirë, por është 19 vjeç dhe nuk dua ta ngarkoj me shumë përgjegjësi.
E ndieni besimin e klubit përpara kësaj sfide të rëndësishme?
Sigurisht, presidenti i ka qëndruar gjithmonë pranë skuadrës, por edhe vizita e djeshme e Barbara Berluskonit në “Milanelo” e konfirmon një gjë të tillë.
Sa e rëndësishme ka qenë për Milanin fitorja kundër Udinezes?
Ka qenë një fitore e rëndësishme, e cila na lejoi të kapim kreun e tabelës së klasifikimit. Skuadra arriti ta përmbyste rezultatin e takimit në një fushë të vështirë, çka e nderon atë.
Milani në shitje, Barbara vë veton
Gjatë një interviste të gjatë për të përditshmen “Repubblica”, vajza e presidentit të Milanit, Barbara Berluskoni, e ka mohuar të ketë pasur përplasje në familjen Berluskoni mbi të ardhmen e klubit, meqenëse kohë më parë është përfolur shumë se presidentja e “Mediaset” dhe njëkohësisht vajza e presidentit Silvio Berluskoni, Marina, është lodhur së firmosuri çeqe për të mbajtur klubin kuqezi. “Babai ynë nuk ka ndër mend ta shesë klubin. Ai është i apasionuar pas Milanit. Nga ana tjetër, dua të theksoj se nuk ekziston asnjë lloj debati ndërmjet administratorit të klubit, Adriano Galiani, dhe motrës sime Marina”. Lidhur me rikthimin e të atit në krye të klubit, Barbara ka thënë: “Prezenca e tij në krye të Milanit do i jepte diçka më tepër klubit dhe skuadrës”.
© Panorama.al











