Aleatët e Partisë Socialiste kërkojnë në Kolegjin Zgjedhor pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë.Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë, pjesë e Aleancës për të Ardhmen, ka depozituar në Gjykatë një kërkesë-padi pas rrëzimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të kërkesës për rezultatin e Tiranës. “Kërkojmë shfuqizimin e Vendimit Nr. 827, datë 2.6.2011 të KQZ-së dhe konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Vendimit Nr. 711, datë 3.5.2011 të KQZ-së. Shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në zonën zgjedhore Bashkia Tiranë, për shkak të shkeljeve të ligjit dhe përsëritjen e tyre”, thuhet në kërkesë-padinë e Partisë së Pensionistëve. Kërkesa fillestare e tyre është shfuqizimi i vendimit të KQZ-së për nxjerrjen e rezultatit të Bashkisë së Tiranës ku Lulzim Basha është fitues me 81 vota më shumë.
Argumentet
Partia e Pensionistëve, me kryetar Selami Jenishehrin, ka përdorur si argumente në këtë kërkesë-padi mosrakordimin e numrave mes zgjedhësve që kanë marrë pjesë në votime dhe numrit të votave që janë gjetur në kutinë e votimit. “Në tabelë jepet si e dhënë: numri i zgjedhësve që kanë votuar 256 507 persona, ndërkohë jepet po ashtu si e dhënë: fletë votimi të gjetura në kuti 257 377 fletë. Logjikisht këto dy shifra duhej të përputheshin, ose më e keqja, fletë votimi të gjetura të ishin më pak se numri i votuesve, pasi ndonjë mund ta ketë marrë fletën me vete, por jo, del një diferencë krejt e çuditshme. Në kutitë e votimit dalin 870 fletë më shumë se numri i votuesve”, thuhet në padinë e kësaj partie. Sipas kësaj force politike, shpallja e fituesit ka ardhur si rezultat i përdorimit të këtyre të dhënave kontradiktore, prandaj i gjithë vendimi bie, pasi të dhënat janë alogjike.
Votat e munguara
Një argument tjetër i përdorur në kërkesë-padi është mosrakordimi i shifrave për numrin e fletëve të votimit të shënuara në tabelat e rezultateve dhe atyre të gjetura në kuti. “Po ashtu, në tabelë jepet e dhëna tjetër: vota të pavlefshme 6730, vota të vlefshme 250 885, ndërsa fletë votimi të gjetura në kuti janë 257 377 fletë. Mirëpo kjo shifër e fundit duhej të ishte totali i dy kategorive të lartpërcaktuara, por jo. Po të mbledhim votat e vlefshme me ato të pavlefshme, del shuma 257 615, pra 238 vota janë më shumë se ato që janë gjetur në kuti. I bie që 238 vota janë jashtë kutive”, theksohet më tej në kërkesë-padi. “Pra, në vetë tabelën ka dy kontradikta thelbësore: e para janë gjetur 870 fletë votimi më shumë se numri i votuesve; dhe e dyta: 238 vota të përfshira në këtë tabelë nuk janë gjetur në kutinë përkatëse të votimit, po ku??? Mjafton kaq për të provuar se ky proces zgjedhor minimalisht nuk është kryer konform ligjit dhe një ‘dorë’ e paligjshme ka ndërhyrë në të, duke ndjekur jo vetëm një procedurë të paligjshme, por në fund dhe një tabelë rezultatesh krejt alogjike”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjatë shqyrtimit të kërkesave ankimore për rezultatin e Bashkisë së Tiranës, rrëzoi me gjashtë vota pro kërkesën e Partisë së Pensionistëve. Kjo forcë i kërkoi KQZ-së që të shtynte vendimmarrjen për kryeqytetin, pasi është ankuar në Gjykatën Kushtetuese për dy nene të Kodit Zgjedhor. Por kjo kërkesë nuk u mor parasysh nga anëtarët e KQZ-së, të cilët e hodhën poshtë atë.
Pensionistët rrëzuan Kodin Zgjedhor
Partia e Pensionistëve u bë e njohur pasi bindi Gjykatën Kushtetuese të rrëzojë dy nene të Kodit Zgjedhor. Pas një kërkese të kësaj partie, Kushtetuesja shfuqizoi nenet 68 dhe 71 të Kodit, që detyronin partitë joparlamentare të mblidhnin 10-15 mijë firma për të marrë pjesë në zgjedhje. Në zgjedhjet lokale të 8 majit, Partia e Pensionistëve ka marrë 497 vota, 488 prej të cilave në Tiranë.
Padia e Partisë së Pensionistëve
Në tabelë jepet si e dhënë: numri i zgjedhësve që kanë votuar, 256 507 persona, ndërkohë jepet po ashtu si e dhënë: fletë votimi të gjetura në kuti, 257 377 fletë. Logjikisht, këto dy shifra duhej të përputheshin, ose më e keqja, fletë votimi të gjetura të ishin më pak se numri i votuesve, pasi ndonjë mund ta ketë marrë fletën me vete. Por jo, del një diferencë krejt e çuditshme. Në kutitë e votimit dalin 870 fletë më shumë se numri i votuesve.
Në tabelë jepet e dhëna tjetër: vota të pavlefshme, 6730. Vota të vlefshme, 250 885, ndërsa fletë votimi të gjetura në kuti janë 257 377 fletë. Mirëpo kjo shifër e fundit duhej të ishte totali i dy kategorive të lartpërcaktuara. Por jo. Po të mbledhim votat e vlefshme me ato të pavlefshme del shuma 257 615, pra 238 vota janë më shumë se ato që janë gjetur në kuti. I bie që 238 vota janë jashtë kutive.
Kërkojmë shfuqizimin e Vendimit Nr. 827, datë 2.6.2011 të KQZ-së dhe konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Vendimit Nr. 711, datë 23.5.2011 të KQZ-së. Miratimin e tabelës përmbledhëse për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë, konform nenit 123, pika 1, të Kodit Zgjedhor.
Shfuqizimin e Vendimit Nr. 827, datë 2.6.2011 të KQZ-së dhe konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Vendimit Nr. 711, datë 23.5.2011 të KQZ-së. Shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në zonën zgjedhore Bashkia Tiranë, për shkak të shkeljeve të ligjit dhe përsëritjen e tyre.
Këshillat bashkiakë në Korçë, PS merr shumicën në 3 bashki
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje ndarjen e mandateve për komunat dhe bashkitë e qarkut të Korçës. Bashkitë e Korçës, Pogradecit dhe Maliqit do të kenë shumicë socialiste. Në Këshillin Bashkiak të qytetit të Korçës, koalicioni i majtë ka fituar 18 mandate, ndërsa ai i djathtë 16 dhe një e ka fituar PBDNJ-ja. Në Maliq të majtët kanë kryesimin e Këshillit me 8 mandate të fituara ndaj 7 të të djathtëve, ndërsa në Pogradec koalicioni i PS-së ka marrë 13 mandate ndaj 12 të koalicionit të PD-së. Situata paraqitet krejt ndryshe përsa u përket komunave të këtij qarku. Në 18 komuna që janë kaluar dje në KQZ, 13 prej tyre i ka fituar koalicioni i PD-së, ndërsa katër koalicioni i PS-së. Në një komunë, Drenovë, PD e PS kanë nga 8 mandate, ndërsa një mandat e ka fituar PBDNJ.
Padia e Ramës për shpifje, shtyhet gjyqi me Berishën
TIRANE – Për të disatën herë radhazi, Gjykata e Lartë shtyu dje sërish në një datë të re procesin gjyqësor të përballjes mes kreut të opozitës, Edi Rama, dhe kreut të qeverisë, Sali Berisha. Bëhet fjalë për kërkesë-padinë e kreut të Partisë Socialiste mbi shfuqizimin e urdhrit të Prokurorisë së Përgjithshme për “mosfillim të procedimit penal” ndaj kryeministrit Berisha për akuzat e “shpifjes” dhe “fyerjes”. Shkak i shtyrjes së seancës së djeshme u bë mosprania në proces e përfaqësuesit të akuzës. Kryesuesja e seancës, gjyqtarja Shpresa Beçaj, relatoi një shkresë zyrtare të depozituar në gjykatë. Në këtë kërkesë, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme pohohej se prokurori Alfred Progonati nuk mund të paraqitej në proces. Në vijim, në shkresë kërkohej shtyrja e seancës dhe caktimi i një date të re. Në seancë ishin të pranishëm vetëm avokatët mbrojtës të palëve, përkatësisht avokatja Erinda Ballanca për kryeministrin Berisha dhe avokatët Agim Hysi dhe Arjan Salahu për kryeopozitarin Rama. Pasi mori edhe mendimin e palëve, Kolegji Penal vendosi ndërprerjen e seancës dhe shtyrjen e saj.
Kërkesë për bashkimin e padive
Partia e Pensionistëve i ka drejtuar dje një letër Kolegjit Zgjedhor ku kërkon bashkimin e padisë me atë të Partisë Socialiste. “Duke qenë se ne si parti e kemi depozituar padinë tonë në orën 14:00, kurse PS pas orës 16:00, i bie që padia e tyre të bashkohet me tonën, pra gjykimi të vijojë me relatoren e çështjes të caktuar me short për padinë tonë me gjyqtaren znj. Meriban Mullaj”, thuhet në letrën e kryetarit të Partisë, Selami Jenishehri, drejtuar trupës së gjyqtarëve.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











