Aleatët: PS dështoi me Kodin, gati poli i ri opozitar

Jul 13, 2012 | 13:05
Ndoka, Milo e Gjinushi

Krerët e PSD e PDS të zhgënjyer, Milo: Komplot kundër zgjedhjeve.

Gjinushi: PS ka lëshuar deri në nënshtrim ndaj qeverisë.

Aleatët e Partisë Socialiste do të punojnë për të krijuar një pol të ri forcash politike brenda opozitës. Pas miratimit me konsensus të Kodit të ri zgjedhor mes PD dhe PS, dhe mospranimin e kërkesës për korrektimin e sistemit zgjedhor, Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo folën hapur dje për t’u shkëputur nga koalicioni me PS, pasi sipas tyre ky kod nuk u jep atyre asgjë. “PSD dhe parti të tjera opozitare do të grupohen për të krijuar një forcë opozitare komplementare që do të kompensojë deficitin që krijohet nga Partia Socialiste. Ky grupim do të mbrojë interesat e atyre që nuk janë dakord me lëshimet e vazhdueshme deri në nënshtrim që bëhen ndaj qeverisë së Sali Berishës”, tha Gjinushi. Sipas tij, “gabimi i PS për të hequr dorë nga korrektimi i sistemit zgjedhor, është një gabim që do të ndikojë në zgjedhjet e 2013”.
Për kreun e Demokracisë Sociale, Paskal Milo, e ardhmja e koalicionit të majtë nuk do të jetë sipas konfigurimit aktual. “Opsionet nuk mungojnë. Ato do të shqyrtohen në momentin e duhur në kohën e duhur, kur ne të kemi ezauruar takimin, bisedimet me PS. Në rast se nuk do të gjendet një formulë bashkëpunimi me PS, ne do të mund të mendojmë dhe do të mendojmë për alternativa të tjera bashkëpunimi gjithnjë brenda kampit opozitar”, tha Milo.
Reforma
Duke folur për Kodin e ri Zgjedhor të miratuar me konsensusin e dy partive të mëdha, Milo tha se përmes këtij kodi, po përgatitet një komplot kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sipas tij, “kodi ishte një zgjidhje e ngutshme, e dëmshme, që deformon Kushtetutën dhe nuk lejon vullnetin e lirë të zgjedhësve”. “Për fat të keq, Partia Socialiste hoqi dorë nga këmbëngulja e saj për të garantuar identifikimin elektronik të zgjedhësve në të 12 qarqet e Shqipërisë, duke e reduktuar atë vetëm në 1 qark, po kështu edhe për numërimin elektronik. Ne po e ndjejmë që është duke u përgatitur një komplot tjetër kundra zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por shprehim në të njëjtën kohë edhe pezmatimin dhe pakënaqësinë tonë që PS nuk arriti t’u qëndrojë vendimeve të saj dhe të opozitës për të garantuar një infrastrukturë zgjedhore, me një proces administrimi zgjedhor, që do të çonte në zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Milo. Duke komentuar nenin për riformatimin e KQZ-së, kreu i Demokracisë Sociale shprehet  se PS gaboi, pasi PD përsëri do të ketë njeriun e saj në krye të KQZ-së. “Është një makiazh që po u bëhet disa neneve të Kodit Zgjedhor që i jep maxhorancës në pushtet avantazhe të padiskutueshme, duke i garantuar përsëri që të zgjedhë ajo kryetarin e KQZ-së përmes disa procedurave në dukje demokratike e transparente, por në fakt të kontrollueshme nga PD”, tha Milo. Ndërsa për socialdemokratin Gjinushi, procesi i zgjedhjes së kreut të KQZ-së nuk sjell asgjë të re. “Kanë qejf të thonë që edhe kur dështojnë të thonë fituam, për të treguar se nuk dolëm të humbur. Ky kod nuk ka asnjë garanci, sepse ky farë Kuvendi do të na nxirrka një anëtar të shtatë të pavarur me një formulë që është bërë absolutisht natën, një konkurs të hapur, por me dosje të mbyllura”, u shpreh Gjinushi. Një tjetër aleat i PS, Vangjel Dule, tha dje se kodi i ri nuk depolitizoi komisionet zgjedhore.
“Ne ishim dhe insistojmë se një strukturë e administrimit zgjedhor që nga KQZ e deri te komisionet e nivelit të dytë dhe të tretë do të ishte më e përshtatshme që të mos bëheshin nga militantë partiakë, po nga pjesëtarë të shoqërisë civile apo sektorëve të caktuar të administratës, të cilët me më shumë devotshmëri do i shërbenin procesit, duke u krahasuar me militantët partiakë”, tha Vangjel Dule, kreu i PBDNJ-së.

Kuvendi do të votojë pas një jave reformën zgjedhore
Ruçi kërkon draftin, Topalli: Pas tri ditësh

Reforma zgjedhore do të votohet në Parlament të enjten e ardhshme. Seanca plenare e së enjtes ka nisur me replika mes kreut të Grupit të PS, Gramoz Ruçi dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Gramoz Ruçi ka kërkuar dje që ligjvënësit të njihen me draftin e reformës zgjedhore, si dhe me kalendarin e këshillit legjislativ dhe Komisionit të Ligjeve për ndryshimet kushtetuese. “Sapo përfundoi mbledhja e Konferencës së Kryetarëve dhe u vendos që drafti për reformën zgjedhore të përfshihet në axhendën e ardhshme. Drafti duhet të vijë në Parlament në mënyrë që deputetët të njihen me të dhe mos të ndodhë që të vijnë ditën e enjte dhe më pas të diskutohet”, deklaroi Ruçi. Por, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, theksoi se ekspertët, të cilët do të merren me zbardhjen e draftit, kanë kërkuar të paktën 3 ditë kohë për ta zbardhur atë dhe pas do t’u paraqitet deputetëve për t`u miratuar në seancën e së enjtes. Sipas Topallit, pavarësisht dëshirës për ta votuar që dje, drafti i reformës zgjedhore mund të votohet vetëm seancën e së enjtes tjetër. Dy ditë më parë, anëtarët e Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore miratuan me konsensus propozimet për riformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe procesin e ankimimeve, çka do të mundësojë hapjen e kutive të votimit në rast të dyshimeve për parregullsi në procesin e numërimit.

Reforma, Islami: Shumë zhurmë për asgjë!

Ish-deputeti i PS komenton në Facebook përfundimin e reformës zgjedhore
“PS të shpjegojë pse u tërhoq nga kërkesat ekstreme”

Kastriot Islami

Ish-deputeti socialist, Kastriot Islami, një nga bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore në 2009, sa i takon çështjes së sistemit zgjedhor, u shpreh dje se zhurma për një reformë të thellë, nuk solli asnjë risi. Sipas tij, asgjë nuk ka ndryshuar nga reforma e katër viteve më parë, kur ai ishte bashkautor. “Shumë zhurmë për asgjë, për çështjet themelore asgjë për të shënuar, mbeten në thelb të pandryshuara. Në fakt, nuk kishte si të ishte ndryshe, zhurma e opozitës ishte pa argumente dhe pa asnjë bazë. Natyrisht drejtuesit e opozitës që mezi dolën nga ky qorrsokak do t’ua shesin votuesve të tyre që janë të gëzuar e të kënaqur me ndryshimet, sepse nuk kanë asnjë mënyrë tjetër që t’u shpjegojnë atyre përse nga kërkesat ekstreme dhe të paarsyeshme për tre vjet, tani kthehen aty ku ishin në 2008, pra aty ku duhet të ishin normalisht. Votuesit do ta kuptojnë të vërtetën e këtyre ndryshimeve që nuk ndryshojnë asgjë në thelb, vetëm atëherë kur Kodi Zgjedhor të zbatohet… Pra në vitin 2013, katër vjet pas humbjes në vitin 2009…”, shprehet Islami në adresën e tij në Facebook. Për ish-deputetin socialist, i cili ka qenë mjaft kritik ndaj qëndrimit të bojkotit të PS pas zgjedhjeve të 2009-s, me draftin e ri për Kodin e ri Zgjedhor, selia rozë përmbyll dhe fazën e qëndrimit radikal të saj. “Pas radikalizimit banal (2009-2010), atij naiv (2010-2011), mesa duket po përmbyllet edhe faza e radikalizimit të maskuar (2011-2012)”, shprehet Islami. Për ish-deputetin socialist, opozita hoqi dorë nga qëndrimi i saj radikal falë dhe presionit të bërë nga faktori ndërkombëtar. “Veprimi ndërkombëtar dha rezultatin e duhur, opozita hoqi dorë nga bllokimi i progresit që do të bllokonte fitimin e statusit të vendit kandidat për në BE. Opozita hoqi dorë nga kërkesat ekstreme për reformën zgjedhore, dhe bëri shumë mirë, ndërkohë që maxhoranca u tregua inteligjente të lëshonte diçka në aspektin formal që opozita të ruante faqen për të dalë nga ky qorrsokak. Rëndësi ka që të merret statusi. Shqipëria fiton duke fituar statusin, shqiptarët fitojnë duke fituar statusin…”, shprehet Islami në adresën e tij në Facebook.

Mediu: Reforma, proces absurd që nuk e garanton votën e lirë

Fatmir Mediu

Partitë e djathta e shohin si dështim Kodin Zgjedhor të miratuar me konsensusin e dy partive të mëdha. Kreu i republikanëve, Fatmir Mediu, i cili priste nga Komisioni i posaçëm i Reformës trajtimin e korrektimit të sistemit zgjedhor, shprehu votën kundër ndaj këtij drafti. “Është një proces absurd, tërësisht jo transparent, i cili nuk ka synuar një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, komplekse që shqetëson të gjithë qytetarët shqiptarë që të jenë të lirë të votojnë dhe të përfaqësohen në Kuvend sipas votës së tyre, por ka tentuar vetëm të zgjidhë mosmarrëveshjet mes dy partive kryesore. Unë e kam shprehur qëndrimin tim, qëndrimi im është kundër kësaj reforme zgjedhore”, tha Fatmir Mediu, kreu i PR-së. Demokristiani Ndoka e cilësoi reformën zgjedhore një pazar politik. “PS dhe Partia Demokratike vendosën edhe kësaj radhe përmes një pazari politik, i cili kurrsesi nuk mund të quhet konsensus, që votat e partive të tjera t’i marrin nëpërmjet ligjit duke u përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Ndoka.

Gratë, letër Kuvendit
Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, një ditë pas arritjes së konsensusit për reformën zgjedhore, i është drejtuar me një letër Kuvendit, ku shpreh shqetësimin për diskriminimin e grave dhe vajzave në politikë. “Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë po ndjek me shqetësim punimet dhe rezultatet e Komisionit të Reformës Zgjedhore, lidhur me kuotën gjinore në Kodin e ri Zgjedhor. Ne kemi përshëndetur të gjitha arritjet që Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore ka pasur në muajt e fundit, por nuk mund të rrimë pa përmendur me keqardhje zhgënjimin tonë teksa shohim se po i njëjti komision po diskriminon haptazi politikisht gratë dhe vajzat në Shqipëri”, shkruhet në këtë letër drejtuar Kuvendit.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura