Aleanca PS-LSI, flet anëtari i kryesisë, Blushi: Me LSI rrëzojmë Berishën në Parlament

May 11, 2012 | 11:48

Ben Blushi

Intervista/ Anëtari i Kryesisë së PS: Gati për mocion ndaj Qeverisë nëse LSI na mbështet, zgjedhje brenda 3 muajve.

Anëtari i Kryesisë së PS: Gati për koalicion me LSI.

Anëtari i Kryesisë së PS-së, Ben Blushi, shprehet se PS-ja mund të ketë në të ardhmen një koalicion me LSI-në.
Në një intervistë për emisionin “Fakt” të gazetarit Çlirim Peka në UTV, ai flet për takimin e fundit të kreut të PS-së me Ilir Metën, si dhe mundësinë e zgjedhjes së Nanos President.
A jeni i gatshëm të pranoni Ilir Metën, sipas jush me bllok në dorë ka drejtuar Ministrinë e Ekonomisë, njeriu që shqiptarët, gjithmonë sipas jush, i bënë thirrje opozitës ta ndiqte mbrapa më 21 janar 2011?
Sigurisht që po. Nuk kam asnjë dilemë për këtë. Pavarësisht nga çfarë ka ndodhur, eventualisht ne mund të kemi një koalicion me LSI-në. Nëse ka njerëz që janë të papërgatitur për këtë që po ndodh, kjo tregon se kanë problem me fantazinë e tyre, nuk parashikojnë dot që një ditë ajo që u duket e pamundur, mund të jetë e mundur dhe në qoftë se ka një gjë që stonon në këta 20 vjet në Shqipëri, është aleanca e PD-së me LSI-në. Aleanca PS-LSI, pavarësisht nga çfarë ka ndodhur, mënyra si është folur, për ta prishur apo për ta ndrequr këtë marrëdhënie organike, kjo aleancë është biologjikisht e mundur. Është bashkimi i dy trupave që për arsye që dihen u ndanë dhe ribashkohen. Nuk hyj tek ata që janë shumë entuziastë, as euforikë për këtë që po ndodh, por hyj tek ata që mendonin se kjo gjë mund të ndodhte një ditë. Me sa duket, tani është koha. Mos prisni që ky proces të ndodhë pas një jave, dy javësh apo pas 3-4 muajsh. Është një proces që sa ka filluar, por është gjithmonë i pritshëm dhe meqë është i pritshëm, është i mundshëm.
A mos është e vonuar për Ramën kjo lëvizje, mund të ndodhte më herët?
Unë e kam të pamundur të them nëse mund të ndodhte më përpara. Eventualisht edhe tani s’mund të ndodhë sepse një takim nuk është marrëveshje detyrimisht. Kjo që po shohim akoma nuk është një marrëveshje. Palët kanë joshje për të arritur një marrëveshje, kanë interesa të përbashkëta për të arritur një marrëveshje. Për çfarë? Për Presidentin, pa dyshim. Më 2009-n Meta na kërkoi përqasje tjetër për Kodin dhe ne ishim kundër për arsyet tona. Nëse them që bëmë mirë apo keq, atëherë kjo nuk ka më vlerë. Ne humbëm zgjedhjet, ndoshta edhe për këtë arsye.
Ju thatë që e shihni të mundshëm koalicionin me LSI-në?
Unë kam qenë në 2006-n për President nga populli. PS vetë, Sali Berisha pa dyshim, Ilir Meta po për fat të keq, e kanë kundërshtuar. Sot mund të kishim një President nga populli, dhe kjo bisedë që bëjmë do e kishin shqiptarët në dorë. Ne do mbështesnim njërin-kundër tjetrit. Po të kishim një President nga populli, do të ishte sot një gjë tjetër, ndoshta do të ndërtoheshin aleanca të tjera.
Çfarë do të thotë PS që nuk pranojmë një President të PD? Nuk pranoni një President me 71 vota që e propozon Berisha, apo nuk pranoni që tryeza Rama-Berisha të propozojë kandidat?
Ne nuk ia heqim të drejtën Berishës, se kjo është e pamundur. Nuk i heqim dot mundësinë për të gjetur 71 vota në Parlament.
A ka të drejtë të propozojë Berisha? Këtë po thotë ai. Rama ka dhënë 3 cilësi për identikitin e Presidentin: që të ndihmojë integrimin, të respektojë Kushtetutën dhe në zgjedhjet e ardhshme të jetë neutral. Nano i plotëson këto 3 kritere?
Ne kemi kërkuar një proces. Procesi garanton statusin. Statusi që ka 3-4 vjet që mohohet për arsye politike, zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet lokale, bojkoti, e kanë shtyrë në tri vitet e fundit. Procesi politik i Presidentit, nëse palët ulen në tavolinë dhe vendosin të zgjedhin një President siç ndodhi në 2002-shin, ky është Presidenti më i mirë, të jeni të bindur që Shqipërisë do t’i jepet si bonus statusi këtë vit. Një President i njëanshëm cenon këtë gjë. Nëse Berisha merr nënkryetarin e partisë së tij dhe e bën President, çfarë prisni të themi ne?
Zoti Nano mund të jetë si kandidat i Ramës?
Kjo gjë po rezulton çdo ditë e më e pamundur, jo për arsyet tona, sepse sot Berisha tha që “unë do tentoj të zgjedh një President nga PD-ja dhe e djathta”. Për aq sa kuptoj unë, kjo e përjashton.
Nëse Berisha do të binte dakord për Metën President, PS-ja ia jep votat?
Është shpejt për të folur. Ne kundërshtojmë në parim atë që Berisha pohon. Kundërshtojmë një President ekskluzivisht të PD-së.
Metën e kundërshtoni vetë, apo jo?
Nuk negociojmë për një President në mënyrë ekskluzive të PD-së. Kërkohet të ulemi në tavolinë për të folur. Ne përjashtojmë çdo kandidat që imponon një proces të njëanshëm.
Nëse Berisha zgjedh një President pa LSI dhe Meta largohet, jeni gati të ndërtoni një aleancë me të për të rrëzuar Sali Berishën?
Absolutisht. Ne jemi të gatshëm përditë për ta rrëzuar Berishën në Parlament.
Jeni gati ta bëni Metën Kryeministër për të rrëzuar Berishën?
Këtë nuk e them dot. Jemi të gatshëm çdo ditë të rrëzojmë Berishën në Parlament nëse aty bëhen 71 numra kundër Berishës. Nëse ky koalicion nuk zgjedh dot një President që është një nga testet e mëdha të këtij koalicioni, ky koalicion ka rënë.
Bërja e një mocioni së bashku me LSI-në duke nxjerrë një Kryeministër tjetër, është strategji e dobishme për PS-në për zgjedhjet e 2013-s?
Nuk ka opozitë që mund ta shtynte një ditë nevojën për të rrëzuar qeverinë në Parlament. Kjo është si të pyesësh dikë për funksionet e veta organike. Ne nuk jemi në kushte laboratorike. Politika për të cilën ju flisni është në laborator, por jo në terren. Nëse nesër kemi sigurinë që me një mocion që e paraqesim në mëngjes, që votohet pasdite dhe numërohet në darkë, Sali Berisha rrëzohet, nuk diskutohet që do ta bëjmë këtë gjë pa hezitim.
Ka një perceptim sikur Rama po pret humbjen e Berishës, ju po prisni humbjen e Ramës. Nëse Meta kthehet, ai nuk vjen për një ministër më shumë, ambicia e tij është për lider të së majtës. Ju duket sikur ai po pret humbjen e Ramës që të marrë PS?
I dhatë përgjigje vetë, sepse Meta kthehet tek e majta, por jo te PS. Nëse kthehet në të majtë, jo detyrimisht kthehet te PS. Meta ka bërë zgjedhjen e jetës së vet në vitin 2003. Duhet të ketë qenë një nga ditët që është menduar më shumë sepse e dinte që po krijonte një divorc politik me partinë e tij. Ajo zgjidhje i ka qëndruar dhe po i reziston kohës. Sot është kthyer në një njeri i cili ndikon në zgjedhje, siç na ndodhi ne në zgjedhjet e vitit 2005. Provoi në vitin 2009 që mund të mbante në pushtet një parti si PD-ja.
Nëse PS-LSI bëjnë 71 vota gjatë këtij viti të fundit, është më mirë Ilir Meta Kryeministër për një vit, apo më mirë me këtë qeveri deri në fund?
Në qoftë se partitë na mbështesin për të rrëzuar qeverinë, do gëzojnë frytet e këtij rrëzimi. LSI e para, sepse të tillë janë numrat në Parlament. Se çfarë ndodh nga dita që rrëzohet kjo qeveri, shkojmë në zgjedhje pas 3 muajsh? Këtë do të preferoja unë. Në kushtet kur Kodi Zgjedhor dhe ky është një nga presingjet që ne po bëjmë, të mbyllet në dy javët e ardhshme dhe qeveria rrëzohet me këtë llogari numrash, unë do preferoja të shkonim në zgjedhje të parakohshme. Nëse shkojmë në zgjedhje, ne nuk e negociojmë çfarë do që të ndodhë, Kryeministri i takon partisë më të madhe. Ky është parim politik.

© Panorama.al

Te lidhura