Aleanca Kuqezi akuzoi kreun e Financave për afera në shitjen e licencës.
Aleanca Kuqezi ka protestuar dje para Ministrisë së Financave lidhur me skandalin e Lotarisë Kombëtare, duke e quajtur qëndrimin e ministrit Ridvan Bode si një akt tradhtie kombëtare.
Sekretari i Politik i AK-së, Eduard Kaca, deklaroi dje se ministrat bixhozxhinj nuk mendojnë për interesat e qytetarëve shqiptarë, por për të kënaqur me favore klientët e qeverisë. “I ndodhur në ditët e fundit të regjimit të ndryshkur dhe kalbur, Sali Berisha ka hapur thesin e pasurive kombëtare dhe po i shet këto pasuri në mënyre klienteliste përmes ministrave bixhozxhinj, jo vetëm sepse luajnë kazino, por sepse mentaliteti i tyre politik lidhet ngushtë me bixhozin qeveritar. Aleanca Kuqezi dënon këtë akt tradhtar të ministrit të Financave, Ridvan Bode, i cili është njëri prej ushtarëve më të bindur të Sali Berishës në strategjinë e rrënimit ekonomik të shqiptarëve. Mentaliteti bixhozxhi dhe klientelist i qeverisë së Sali Berishës duhet të marrë fund dhe këtë do ta bëjnë vetëm shqiptarët, duke i dhënë votën Aleancës Kuqezi. Aleanca Kuqezi zotohet përpara shqiptarëve se do të administrojë me fanatizëm pasuritë dhe asetet kombëtarë, duke i kthyer ato në shërbim të mirëqenies se shqiptarëve, një politikë që Aleanca Kuqezi do ta zbatojë me të ardhur në pushtet përmes votës së shqiptarëve”, deklaroi dje Eduard Kaca. Për Aleancën Kuqezi, Lotaria Kombëtare është një aset i gjithë shqiptarëve dhe si i tillë, duhet administruar në interesin më të mirë të qytetarëve dhe buxhetit të shtetit. “Për Aleancën Kuqezi shitja e Lotarisë Kombëtare te sektori privat, qoftë ky opozitar, qeveritar, apo dhe i huaj është tradhti në kurriz të shqiptarëve që po vuajnë krizën ekonomikë që qeveria përpiqet ta mbulojë ditë pas dite. Kjo epoke korruptive e historisë së shtetit shqiptar duhet të marrë fund sa më parë jo vetëm sepse xhepat e shqiptarëve po rrënohen gjithnjë e më shumë, por edhe në shenjë nderimi për 100-vjetorin e pavarësisë”, theksoi sekretari politik i AK-së.
FATION BINJAKU











