
Aldo Renato Terrusi do kishte dashur që të mos e lidhte asgjë me ish-diktatorin shqiptar Enver Hoxha, megjithatë e shkuara nuk mund të ndryshojë. Pëlqimi që Enver Hoxha kishte në të ri për të ëmën italiane do të ishte fatale për familjen e tij. Për të dëshmuar mbi historinë e familjes së tij, Terrusi ka shkruar edhe një libër që ka promovuar muaj më parë në Tiranë. Me vete kishte marrë edhe një libër që ish-diktatori ia kishte dhuruar të ëmës me autograf. Pikërisht këtë libër, nesër Terrusi do t’ia dhurojë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Tiranë. Akti i dhurimit do të zhvillohet në sallën e leximit në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (rr. “Jordan Misja”), ku do të zhvillohet edhe një ceremoni e thjeshtë në bashkëpunim me Ambasadën Italiane dhe Institutin e Krimeve të Komunizmit. Libri që Terrusi do të dorëzojë në Arkiv, mban titullin “Les cent vues de Paris” (“100 pamjet e Parisit”). Ky libër i ishte dhuruar Aurelia Poselli-t, nënës së Terrusit, më 21.08.1930 nga Enver Hoxha, në shenjë simpatie dhe miqësie gjatë viteve që jetonin në Gjirokastër. Në faqen e brendshme të librit shkruhet: “Në shenjë miqësie. Enver Hoxha, student për Mjekësi. Gjirokastër, 21, VIII, 1930”. Në të vërtetë, Enver Hoxha nuk ka qenë veçse një student botanike, i cili me sa duket donte të shitej ca më lart në sytë e vajzës italiane, e cila shquhej për bukurinë e saj. Refuzimi i Aurelias për të vazhduar miqësinë me të si edhe martesa e saj me Giuseppe Terrusin, drejtor i bankës italo-shqiptare në Vlorë, sipas Aldos, shkaktoi tragjedinë familjare në vitet në vazhdim. Hoxha u hakmor ndaj familjes Terrusi, duke burgosur të atin pa asnjë akuzë të qenësishme fillimisht në Vlorë e më pas në burgun e Burrelit, ku edhe ndërroi jetë në vitin 1952. Në kërkim të eshtrave të të atit, në fillim të viteve ’90, Aldo Terrusi shkeli për herë të parë në Shqipëri. Të gjithë këtë rrugëtim nëpër Shqipëri, në vendet ku ka jetuar i ati, në burgjet ku ai vuajti dënimin dhe takimet me ata dëshmitarë të paktë dhe miq të babait të tij, Terrusi, i lindur në Vlorë në vitin 1945, i rrëfen në librin me titull “Rikthim në vendin e shqiponjave”.











