
Arkëtimi i shumës do ulë borxhin, rrit presionin ndaj bankave për kredi dhe shton ndjeshëm investimet.
Përdorimi i anulimit pa argumente, po s’u arrit shifra maksimale.
Në rast se Shqipëria do të kishte bursë, sigurisht që pas hapjes së ofertave të Albpetrol aksionet e kompanisë së naftës do të kishin fluturuar në vlera të frikshme. Kuotat e kompanisë u ngritën brenda ditës, nga një pritshmëri prej 300 milionë euro, në një vlerë që varionte nga 790 në 850 milionë euro. Ky kapërcim brenda dite i ka rritur vlerën e aksioneve të Albpetrolit, të paktën me tri herë. Kjo është arsyeja që qeveria shqiptare po shpreson përditë e më shumë që shitja e Albeprol të mos bjerë nën këtë vlerë. Në të kundërt, në vendimin për kushtet e tenderit, qeveria duket se ka parashikuar edhe mbrojtjen. Burime nga qeveria tregojnë se në rast se nuk arrihet kjo vlerë maksimale, pra kompania amerikane nuk i plotëson kushtet, qeveria do të zbatojë atë pjesë të vendimit për kushtet e tenderit, që e lejon të anulojë të gjithë procedurën e privatizimit pa dhënë arsye. Oferta e dytë në linjë është rreth 303.8 milionë euro, dhe të gjitha gjasat janë që tenderi të anulohet që të mos arrihet në këtë shifër.
Ekonomia
Pritshmëritë për një arkëtim nga privatizimi të rreth 1 miliard USD mund të ndryshojnë të gjithë parashikimet buxhetore. Në buxhetin afatmesëm është parashikuar që borxhi publik të qëndrojë edhe për dy vite të tjera në nivelin e 59.9 për qind të GDP. Pra, rrezikshëm në kufijtë e shkeljes së disiplinës fiskale. Por në parashikimin buxhetor shifra e të ardhurave nga privatizimi është 0. Arkëtimi i 850 milionë eurove sigurisht që do të ndikonte direkt në uljen e këtij raporti të frikshëm të borxhit. Ky do të ishte shpëtimi i parë i financave shqiptare, ulja e borxhit dhe garantimi i stabilitetit financiar, që do të thotë një garanci shtesë për të gjithë ekonominë. Një shumë e tillë parash do të ulte kërkesën e qeverisë për financim të borxhit nga bankat, duke i detyruar këto të fundit të rrisin kreditimin, duke lehtësuar kushtet për bizneset dhe qytetarët. Pra, një përfitim shtesë për ekonominë. Pjesa e dytë e përfitimit dhe ajo më direkte për të gjithë popullsinë dhe ekonominë e vendit, do të ishte rritja e frikshme e shpenzimeve dhe investimeve qeveritare. Injektimi i një shume të tillë në ekonomi nëpërmjet rritjes së investimeve do të krijonte menjëherë një situatë të re për bizneset shqiptare. Këto të fundit do të angazhoheshin në punët e reja publike, duke pasur edhe sigurinë e pagesave në kohë për një investim. Nga ana tjetër, një pjesë e këtyre parave mund të përdoreshin për shlyerjen e investimeve të kryera dhe ende të palikuiduara të bizneseve. Në fund, 850 milionë euro janë shumë më tepër se 303 milionë euro. Sot Alpetrol ka një çmim tjetër nga ai që kishte parashikuar qeveria, dhe në rast se ky çmim nuk arrihet, atëherë duhet rikërkuar sërish një ofertë e përafërt.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











