Pas përfundimit të Konferencës “Fqinjësia shqiptare”, mbajtur një ditë më parë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka shtruar një darkë, ku ka bërë bashkë kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Siç mësohet, dhe shihet edhe nga fotoja, në darkë kanë qenë të pranishëm edhe Teuta Arifi, zyrtare e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), partisë shqiptare në pushtet në Maqedoni, ish kryeministri socialist, Pandeli Majko dhe kandidati i propozuar për President të Republikës, Artan Hoxha.
Sajti kosovar, JNK raporton se në darka vegjetarine është shtruar në Pallatin e Brigadave. Thuhet se Berisha dhe Kurti kanë biseduar për shumë kohë me njëri- tjetrin.
Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje, forcës së tretë më të madhe politikë në Kosovë mbështet hapur tezën e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Ai ishte ftuar për një fjalë në konferencën e një dite më parë.
Konferenca “Fqinjësia shqiptare” është mbështetur nga “Rockfeller Brother Fund” dhe Bashkia e Tiranës , ku janë diskutuar tema si politika, zhvillimi ekonomik, infrastruktura, edukimi dhe media me panelistë nga të gjitha hapësirat shqiptare.
© Panorama.al











