Harrojeni Albërien romantike e melankolike në baladat e saj të fundit. Në klipin e saj të ri, që sapo ka përfunduar xhirimet, këngëtarja Albërie Hadërgjonaj do të shfaqet në stilin hi tech, që as keni për ta njohur. Kënga titullohet “Stil elektronik” dhe, si për t’iu përshtatur fabulës dhe ritmit të këngës, ajo do të shfaqet si një jashtëtokësore që zbret nga hapësira me anije kozmike. Stilisti Joni Peçi ka ideuar look-un dhe veshjen e saj, ndërsa ajo shfaqet si një UFO, me veshje agresive dhe ekzaktësisht të stiluara pas trupit, ku portretin e fytyrës ia mbulojnë një palë syze shumë të mëdha. Në klip do të jetë figurant një djalë i ri me flokë shumë të gjatë, që e bën dhe më intrigues klipin, ndërsa për veshjet e Albëries janë përdorur dhe copëza pasqyrash të thyera. Ky është klipi i parë i këngëtares, ku ajo do ia dedikojë imazhin e saj perfeksionit dhe ritmit gjatë gjithë këngës, duke sfiduar edhe këngëtaret 20-vjeçare.











