Albana Vokshi tërheq paditë për shpifje ndaj 3 deputetëve të PS

Jul 7, 2012 | 14:31
Deputetja e PD, Albana Vokshi

TIRANE – Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, “tërhiqet” nga paditë për shpifje kundër deputetëve socialistë. Gati dy vjet pasi depozitoi një “breshëri” padish për dëmshpërblim nga nëntë deputetë të PS-së, Vokshi duket se është tërhequr nga të paktën tri prej tyre. Gjykata e Tiranës ka pushuar paditë e deputetes kundër kolegëve të saj majtë Taulant Balla, Eltar Deda dhe Mimi Kodheli. Vendimet në fjalë janë shpallur përkatësisht në datat 22, 27 dhe 27 qershor të këtij viti. Referuar vendimeve gjyqësore, bëhet e ditur se shkaku që gjykata ka pushuar gjykimin në të tri rastet, për shkak të mosparaqitjes së palës paditëse, në këtë rast deputetja Vokshi, ose përfaqësuesi i saj ligjor. “Në seancën gjyqësore të datës 22.06.2012, paditësja Albana Vokshi nuk u paraqit në gjykim, megjithëse kishte dijeni për datën dhe orën e gjykimit, ndërmjet mbrojtësit të saj, av. Isuf Shehu, i cili pa ndonjë shkak ligjor nuk u paraqit në gjykim”, thuhej në arsyetimin e vendimit të padisë kundër deputetit Balla. I njëjtë ishte arsyetimi edhe në dy vendimet e tjera. Nga të tre deputetët, Vokshi kërkonte dëmshpërblime që varionin nga 1 euro për deputeten Kodheli në 20 mijë euro për deputetin Deda. Albana Vokshi iu drejtua Gjykatës me një “shi” padish kundër deputetëve socialistë në nëntor të vitit 2010. Në vijimësi, në qershor 2011, Gjykata pranoi padinë kundër deputetit Eduart Shalsi, në tetor 2011 padinë kundër deputetit Artan Gace dhe Sajmir Tahiri dhe në shkurt 2012 padinë kundër deputetit Erion Braçe. Sipas vendimeve gjyqësore, ata detyroheshin të dëmshpërblenin paditësen Vokshi në shuma që në total shkonte në 7.3 milionë lekë. Ndërkohë në Gjykatë vijon gjykimi i padive kundër deputeteve Olta Xhaçka dhe Vasilika Hysi. Objekt i padive të Vokshit është “shpërblimi i dëmit jo pasuror”, sipas pretendimeve të deputetes se të paditurit kanë bërë deklarata mediatike shpifëse ndaj emrit të saj.                       ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura