Është argëtues po aq sa stina e verës dhe titullohet “Poke”, një emër i frymëzuar nga rrjeti social “Facebook”. Dhe jo pa qëllim, pasi ideja për realizimin e këtij emisioni argëtues të të shtunave në “Top Channel” është inicuar nga komunikimi virtual përmes internetit. Albana Osmani është autorja dhe prezantuesja e këtij programi të ri që po transmetohet në ekranin e këtij televizioni. Vetë Albana pohon për këtë projekt të ri se “programi është veror dhe i konceptuar me lajme nga të gjitha fushat. Ideja ime ishte për një format shumë interaktiv dhe dinamik. Në minutazhin e tij “Poke” do të jetë i pasuruar me të gjitha llojet e komunikimit virtual të ditëve të sotme, si edhe shumë intervista me personazhe”. Gjithashtu pjesë e “Poke” do të jenë dhe lajmet nga show-bizz-it shqiptar, duke folur për ngjarjet me më bujë, por të trajtuara “flash”. Albana Osmani shfaqet në këtë format të ri, pas eksperiencës së saj për herë të parë si prezantuesja e “Fun Club” në Top Channel, programi i të dielave me protagonistë personazhet e skualifikuar nga “Big Brother”, i prezantuar më parë nga Eno Popi.











