Albademil: Nuk ka prova se kemi vrarë në Gërdec

Feb 14, 2012 | 12:10

Nga gjyqi i Gerdecit

Kompania që ndërtoi fabrikën kundërshton gjobitjen me 75 milionë lekë

Gërdeci, seancën e ardhshme mbrojtja e Delijorgjit, më pas vendimi

Kompania e Mihal Delijorgjit, “Albademil”, kërkoi dje pushimin e akuzave ndaj saj në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Akuzat e ngritura nga Prokuroria ndaj shoqërisë “Albademil” si person juridik, për përgjegjësi penale në shpërthimin tragjik të Gërdecit më 15 mars 2008 duhet të rrëzohen, si të pabazuara. Kështu pretendoi dje në Gjykatën e Tiranës mbrojtësja ligjore e shoqërisë “Albademil” sh.p.k., avokatja Elira Kokona. Duke iu drejtuar treshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado, avokatja kërkoi pushimin e çështjes penale ndaj shoqërisë “Albademil”, organeve të saj drejtuese të përbërë nga asambleja e dy ortakeve Patrick C. Henry III e Mihal Delijorgji, Administratorit Mihal Delijorgji dhe drejtorit ekzekutiv të fabrikës, Dritan Minxolli. Mbrojtësja kërkoi deklarimin e pafajshëm të shoqërisë për akuzën e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, në bashkëpunim, si edhe të “shkatërrimit të pronës me eksploziv”. Në vijim, avokatja Kokona kërkoi shfuqizimin e sekuestros konservative të llogarive bankare të “Albademil”. Njëkohësisht, mbro-jtësja kërkoi lirimin e pronave dhe shumave në valutë të huaj dhe në lekë, pasuri të subjekteve të treta, jo të pandehur në këtë proces, si dhe shumat që janë pronë e shoqërisë “Park Construction”. Në seancën e diskutimit përfundimtar të akuzës më 1 nëntor 2011, prokuroria kërkoi deklarimin e fajshëm të shoqërisë “Albademil”, gjobitjen e saj me 75 milionë lekë, si dhe “heqjen e të drejtës së ushtrimit të çdo lloj veprimtarie që ka lidhje me armët dhe municionet luftarake dhe lëndët plasëse” për një periudhë kohe prej 20 vjetësh. Pas pretencës së mbrojtjes së kompanisë “Albademil”, në procesin gjyqësor të Gërdecit ka mbetur vetëm mbrojtja e Mihal Delijorgjit dhe më pas pritet që gjykata të shpallë vendimin.
MBROJTJA
Në një material prej 98 faqesh, avokatja Kokona argumentoi se akuzat e Prokurorisë janë të paligjshme, të pabazuara dhe si të tilla duhet të rrëzohen. Duke diskutuar ligjshmërinë e akuzave të ngritura ndaj klientit të saj, avokatja tha se prokuroria nuk sjell prova të mirëfillta në lidhje me akuzën e “vrasjes”. “Në asnjë nga provat e administruara në proces nuk u provua se organet drejtuese të shoqërisë, ortakët e saj, administratorët e saj apo vartësit e saj kanë vepruar në emër të shoqërisë për të ‘vrarë’ apo ‘shkaktuar dëme'”, u shpreh avokatja. Mbrojtësja hodhi poshtë edhe dyshimet e Prokurorisë se organet drejtuese të “Albademil” kishin ndikuar për të shtuar numrin e kamionëve që transportonin municione në Gërdec. Sipas avokates, “Albademil” sh.p.k., jo vetëm që e kishte të pamundur, por nuk kishte asnjë përfitim prej furnizimit me municione në mënyrë të çrregullt e në mungesë të një grafiku për sasinë e ngarkesave. Në lidhje me shkakun e shpërthimit, avokatja pohoi se në proces nuk u provua  shkaku i shpërthimit, i cili solli pasojat tragjike në njerëz dhe dëmet materiale.

Lirim i pronave
Mbrojtësja ligjore e personit juridik “Albademil” sh.p.k. kërkoi dje lirimin e pronave dhe shumave në valutë të huaj dhe vendëse të shoqërisë “Park Constuction”. Bëhet fjalë për prona të sekuestruara nga Prokuroria financieres së kësaj shoqërie, me pretendimin se janë pronë e shoqërisë “Albademil”. Sipas avokates, shumat janë 7 700 dollarë amerikanë, 25 190 euro dhe 1 milion e 57 mijë lekë. Po ashtu u kërkua dhe shfuqizimi i sekuestros mbi llogaritë bankare të “Albademil” sh.p.k.

Eksperimenti hetimor
Ashtu si edhe një pjesë e mirë e të pandehurve të tjerë të procesit, mbrojtja e “Albademil”sh.p.k., ngriti pretendime dje mbi eksperimentin hetimor për shkakun e fillesës së zjarrit në Gërdec. “Kjo gjykatë rrëzoi apo injoroi në mënyrë arbitrare, gati të gjitha kërkesat e mbrojtjes, përfshirë këtu tri kërkesa për kryerjen e eksperimentit të rënies së zjarrit”, tha mbrojtësja.

Armand Bajrami

© Panorama.al

Te lidhura