Janë ushqime të preferuara, sidomos nga të rinjtë. Fast-food-et, veçanërisht në Tiranë, i sheh plot e përplot.Sufllaqet, donerat sanduiçet apo patatet e skuqura shijojnë. Ndonëse konsiderohen si të pashëndetshme e si “bomba kalorike”, konsumohen nga qindra persona çdo ditë. Nëse përgatiten siç duhet, edhe pse të mbytura në vaj, zgjedhja i takon secilit prej nesh të shijojë atë që i pëlqen. Por, në rastin kur prej tyre kërcënohet rëndë shëndeti, situata ndryshon. Alarmi kësaj here vjen nga Instituti i Shëndetit Publik. Specialistët kanë monitoruar cilësinë e vajit që përdoret në fast-food-e. Në pjesën më të madhe të tyre është për faqe të zezë. Vaji ku skuqen patatet, qoftet dhe të tjera produkte ka raste ku nuk ndërrohet për javë të tëra. Duke u përdorur kështu ai pëson reaksione të tilla kimike që e shndërrojnë në një lëndë kancerogjene.
Monitorimi
Specialistët e ISHP-së kanë marrë pak kohë më parë mostra të vajit në 9 fast-food-e në Tiranë. Nga analizat ka rezultuar se 67% e tyre përdorin vaj me përmbajtje polare tej normave të lejuara nga Bashkimi Europian. Ato kanë rezultuar 3-4 herë më të larta. Deri tani, në kontrollet që janë bërë në fast-food-e, është monitoruar vetëm ndotja mikrobiologjike e produkteve. Këtë funksion e kanë kryer specialistët e Drejtorisë së Higjienës. Ndërsa për parametrat e vajit matje nuk janë bërë asnjëherë. I vetmi institucion që ngre alarmin është Instituti i Shëndetit Publik. Pas interesimit në Drejtorinë e Higjienës se kush është struktura monitoruese, zbuluam se ky rol tashmë i ngelet Autoritetit të Kontrollit të Ushqimit. Burime nga AKU bëjnë me dije se është në planin e punës kryerja e kontrolleve në këto subjekte, por ende nuk ka nisur. Gjatë këtij sezoni, helmimet nga ushqimet e përgatitura keq apo të ndenjura janë në rritje. Rreziku për shëndetin është disa herë më i lartë.
Normat e lejuara
Nga sa pohojnë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, në vendin tonë legjislacioni nuk e parashikon sa duhet të jenë normat e lejuara të produkteve polare në vaj. Në të gjitha vendet e Bashkimit Europian ato janë të përcaktuara me ligj. Sipas tij, norma e produkteve polare në vaj duhet të jetë deri në 25 për qind të sasisë. Kaq e ka pjesa më e madhe e vendeve, me përjashtim të disa shteteve që e lejojnë 30 për qind. “Në vendin tonë, nga mostrat që u analizuan, këto shifra rezultojnë mesatarisht 3-4 herë më të larta. Kjo dëshmon që përdoret i njëjti vaj për ditë me radhë për të skuqur ushqimet e ndryshme. Duhet të merren masa urgjente, pasi vaji në këtë mënyrë kthehet në një lëndë kancerogjene që kërcënon seriozisht shëndetin e popullatës”, thonë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik.
Si shndërrohet vaji
Nga sa shpjegojnë kimistët, për të pasur parametrat aktualë vaji për skuqjen e ushqimeve duhet të përdoret shpesh, deri me javë të tëra. “Vaji përbëhet nga disa produkte polare që janë të dëmshme për shëndetin. Kur ai përdoret në mënyrë të tillë, këto produkte shtohen në maksimum. Nga skuqja e herëpashershme e vajit produktet polare transformohen në produkte kancerogjene”, thonë specialistët e ISHP-së. Sipas tyre, gjatë konsumimit të ushqimit ato depozitohen në trupin e njeriut dhe shkaktojnë sëmundje të ndryshme, përfshi dhe sëmundjet kancerogjene. “Çdo lloj vaji ka një temperaturë të caktuar të skuqjes, e cila nuk duhet të tejkalohet. Prandaj rekomandohet që të lexohen etiketat dhe të ndiqen rregullat e përdorimit të tyre. Vajrat më të mira që rekomandohen për t’u përdorur janë vajrat me përmbajtje vegjetale dhe të rafinuar”, thonë specialistët. Por, qytetarët nuk janë të informuar mbi këtë risk që u kanoset. Nga të dhënat e ISHP-së rezulton se adoleshentët dhe të rinjtë janë ata që i frekuentojnë më shumë fast-food-et.
3-4 here
mbi normat e lejuara janë produktet polare në vajin që përdoret në fast-food-e. Nga skuqja e herëpashershme e vajit, produktet polare transformohen në produkte kancerogjene. Në këtë mënyrë, shëndeti i njeriut kërcënohet tepër, pasi një pjesë e mirë i konsumojnë shpesh këto lloj ushqimesh
67 per qind
e fast-food-eve përdorin vaj me përmbajtje polare tej normave të lejuara nga Bashkimi Europian. Deri tani, në kontrollet që janë bërë në fast-food-e, është monitoruar vetëm ndotja mikrobiologjike e produkteve. Këtë funksion e kanë kryer specialistët e Drejtorisë së Higjienës
Normat e lejuara
. Vendet e BE-së, 25 për qind të produkteve polare
. Vendet e tjera, 30 për qind të produkteve polare
. Vendi ynë, 3-4 herë mbi normat e lejuara
. Kur vaji është i papërdorshëm
. Vaji të mos kalojë deri në tymosje
. Duhet të jetë i hollë, të ketë ngjyrën e tij, dhe jo ngjyrën në nuancë të theksuar kafe
. Çdo lloj vaji ka një temperaturë të caktuar të skuqjes, e cila nuk duhet të tejkalohet
. Nuk duhet që të ketë mbeturina në fund, të cilat vijnë nga skuqja e ushqimeve të mëparshme
. Të mos hidhet vaji i ri mbi atë të parin që është përdorur disa herë, pasi mund të jetë tepër e rrezikshme
Çdo ditë në fast-food, 20% e të rinjve
Rreth 20 për qind e moshave të reja hanë pothuajse çdo ditë ushqime të shpejta, fast-food, me shumë yndyrë, kalori dhe, mbi të gjitha, pa vlera të vërteta ushqyese. Por jo vetëm kaq. Një pjesë e mirë e nxënësve, plot 10 për qind prej tyre, shkojnë në shkollë pa ngrënë mëngjes, ose dhe kur hanë, mëngjesi i tyre mund të quhet vetëm një gotë me qumësht. Peshku, zarzavatet, frutat për një pjesë të familjeve shqiptare janë të papërballueshme, ndërkohë që produktet e detit mund të konsumohen deri dhe vetëm një herë në vit. Rreth 20 për qind e nxënësve të shkollave të mesme të vendit konsumojnë çdo ditë hamburg dhe sanduiç, kurse 4% e tyre këto ushqime i përdorin tri herë në ditë. Të dhënat vijnë sërish nga Instituti i Shëndetit Publik. Janë intervistuar 1040 nxënës nga gjimnazet e Tiranës, Vlorës dhe Shkodrës. Qëllimi i këtij studimi ishte evidentimi i stilit të të ushqyerit te brezi i ri, si dhe faktorët socialë dhe ekonomikë që vetëm ndikojnë në cilësinë dhe sasinë e ushqimeve që ata marrin.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











