Alarmi, tre muaj për shpëtimin e euros

Jun 14, 2012 | 12:36

ANASTAS ANGJELI

Kur miliarderi amerikan Xhorxh Soros, gati dy javë më parë dha “alarmin” se “Europa ka tre muaj për të shpëtuar euron”, me gjithë skepticizmin e “disave”, duket se ky jo vetëm që s’ishte një “alarm i rremë (nuk ka se si njeriu miliarder, vëzhgues shumë skrupuloz i krizave dhe tronditjeve më të mëdha të tregjeve financiare të jepte një alarm të tillë), por tashmë po shndërrohet në një diskutim serioz dhe çdo ditë që kalon nga ky “afat” po e shndërron këtë “alarm” në një “rrezik real”. Ky shqetësim u përcoll nga kreu i FMN-së, Christine Lagarde, në thirrjen e bërë prej saj ndaj institucioneve europiane për të shpëtuar euron, duke folur në një intervistë për CNN. “Duhen ndërmarrë veprime brenda tre muajve për të shpëtuar euron”, theksoi Lagarde. Ajo i bën thirrje vendeve europiane që të vazhdojnë konsolidimin fiskal “gradualisht dhe në mënyrë të vendosur”. Pra, pa u kapur nga shkurtime (shpenzimesh buxhetore) që shkaktojnë recension.
“Me shpëtim, – tha Lagarde, – nuk duhet të kuptojnë shtrëngim të rripit, siç po dëgjoj kohët e fundit”.
A shënon kjo një kthesë midis pikëpamjes së “shtrëngimit të rripit”, pra shtrëngesës fiskale dhe pikëpamjes së masave që dëshmojnë efekte mes sinergjisë – lidhjes së rritjes ekonomike dhe punësimit? Çfarë po ndodh me fatin e euros?
PERSE TRE MUAJ PER SHPETIMIN E EUROS?
Së pari, kriza e eurozonës, me gjithë masat e marra, vazhdon të thellohet dhe po ndikon për keq në ekonominë globale, veçanërisht në rigjallërimin e ekonomisë amerikane.
Kështu, ndërsa ekonomia më e fuqishme e botës ka dhënë shenjat e rigjallërimit të saj duke hedhur hapat e parë të kapërcimit të krizës (përmes rritjes ekonomike dhe uljes së papunësisë – rreth 8%), shqetësimi i një frenimi të këtij gjallërimi vazhdon. Kjo është e lidhur më tepër me “avashllëkun” që ekonomia europiane, veçanërisht eurozona, po reagon ndaj krizës dhe efekteve të saj. Drejtuesit më të lartë të shtetit dhe ekonomisë amerikane, përfshi dhe Presidentin Obama, nuk kanë nguruar të shprehin shqetësimin e tyre për “mungesën e dinamizmit” dhe “mungesën e veprimeve të shpejta” në marrjen e masave për përballimin e krizës në eurozonë. Presidenti amerikan ka deklaruar se kriza në Europë është pjesërisht përgjegjëse për dobësinë e vazhdueshme ekonomike në SHBA. Prandaj, në qoftë se ekonomia e eurozonës zhytet në recesion, do të ngadalësojë ritmet e shërimit të ekonomisë amerikane”. Obama theksoi se ata kanë zgjidhje në dispozicion, duke iu referuar nevojës për rikapitalizimin e bankave të dobëta, e cila, siç u shpreh, duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur. “Këto vendime janë në duart e udhëheqësve europianë, të cilët, për fat të mirë, e kuptojnë seriozitetin e situatës dhe nevojës urgjente për të vepruar”, tha Obama. Zgjidhjet janë të vështira, por janë zgjidhje. Shtetet e Bashkuara po ofrojnë këshilla, por vendimet janë tërësisht në duart e liderëve europianë”, vijoi Presidenti.
Pra, rrjedhoja e këtij efekti dhe lidhjeje të ndërsjellë mes ekonomisë amerikane dhe europiane dikton marrjen e masave të shpejta dhe të forta nga ana e Europës, me qëllim që rigjallërimi i të dyja ekonomive të vazhdojë. Kalkulimet dëshmojnë se përtej këtij kufiri kohor, efektet e kësaj krize dhe vete fati i bashkimit monetar EURO është në rrezik.
Së dyti, ngjarjet në Greqi, thellimi i krizës së borxheve, sidomos “kaosi” i krijuar pas raundit të parë të zgjedhjeve politike dhe pritshmërisë së raundit të dytë këtë fundjavë, kanë vënë në pikëpyetje fatin e Greqisë në raport me qëndrimin e saj brenda apo jashtë eurozonës. Bllokimi aktual i ekonomisë greke, kriza e financave publike, mungesa e likuiditetit (që nga fundi i vitit 2009 deri më sot depozitat bankare greke janë ulur me rreth 80 miliardë euro, ndërkaq shteti grek ka aktualisht rreth 2 miliardë euro, shumë që vlerësohet të jetë e mjaftueshme deri më 20 korrik në mënyrë që makina shtetërore të funksionojë pa probleme, duke konsideruar këtu që shteti grek planifikon të përdorë dhe 3 miliardë euro nga Fondi i Stabilitetit Financiar, pas miratimit të veçantë të këtij fondi nga ana e trojkës, shuma këto të pamjaftueshme për të paguar pagat dhe pensionet për këtë periudhë), konfuzioni në qëndrimin ndaj paketës së ndihmës etj., po e çon Greqinë drejt falimentit. E pra një dalje e pritshme, tashmë jo e pamundur e Greqisë nga eurozona, jo vetëm që nuk do ta ndalte efektin domino, tashmë të filluar, por do ta përshpejtonte atë. Ndërkohë, konsiderimi i skenarëve për zëvendësimin e euros me dhrahmi, që tashmë i kanë kaluar kufijtë e Europës (deri në Kinë) dhe pasojat në ekonominë greke dhe më gjerë, nuk janë thjesht një hipotezë. Kështu që të gjithë presin që opinioni publik grek të “frikësohet” disi nga perspektiva e largimit nga eurozona dhe t’i japë një shumicë të vogël një koalicioni (qeveritar) që është i gatshëm të zbatojë marrëveshjen e sotme me BE-në, BQE-në dhe FMN-në (trojka u kërkon udhëheqësve politikë, përfshi dhe udhëheqësit e SIRIZA-s për zbatimin e këtij memorandumi).
Por, mendimi i shumicës së ekspertëve është se vështirë se ndonjë qeveri mund të plotësojë kushtet e marrëveshjes dhe kriza greke ka gjasa të arrijë kulmin në vjeshtë. Është kjo arsyeja që në një shkrim ekskluziv të versionit në gjuhen gjermane “Financial Times”, theksohet se “BE dëshiron të lirojë prangat e Athinës”, duke shprehur dëshirën e Europës për ta mbajtur Greqinë në zonën e euros.
Vetë Presidenti i Këshillit të Europës, Herman Van Rompuy, nga ana e tij konfirmoi dje se “ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbajtur Greqinë në zonën e euros, por edhe ajo të respektojë angazhimet e veta”. E pra, edhe kjo analizë e shkurtër për situatën në Greqi dhe qëndrimet e BE-së ndaj saj, të çojnë në kufirin kohor të tre muajve për shpëtimin e euros.
Së treti, efekti domino i krizës së eurozonës është bërë realitet. Kriza është bërë fakt jo vetëm në Irlandë, Portugali, por tashmë dhe në Spanjë (ku trojka ka mbërritur për monitorimin e kredisë për sistemin bankar spanjoll) dhe po kërcënon dukshëm Italinë. Ky fakt, veç zhytjes në recesion të ekonomive të tyre, po trondit thellë tregjet financiare, të cilat në harkun kohor të tre muajve të ardhshëm, priten të jenë me efekte më të thella, më të rënda dhe vështirë të korrigjueshme nëse nuk parandalohen që tani.
Së katërti, deri atëherë (në vjeshtë), edhe ekonomia gjermane, protagonistja e zhvillimit të eurozonës, por edhe e menaxhimit të kësaj krize, sipas shumë analistëve dhe ekspertëve, pritet të dobësohet dhe nuk do të jetë e lehtë për kancelaren gjermane (më gjithë kthesën e marrë prej saj për ta mbajtur Greqinë në eurozonë) ta bindë opinionin e vet publik që të marrë më shumë përgjegjësi europiane. Kjo duket dhe në pesimizmin e shprehur në qëndrimet e fundit të mbajtura për këtë çështje.
Ministri gjerman i Financave ka qenë dyshues për zbatimin nga Greqia të kushteve që lidhen me ndihmën financiare të shpëtimit. Wolfgang Schauble tha gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar se “kur treshja (Komisioni Europian, BQE dhe FMN) të shkojë herën tjetër në Athinë, do të shohë se programi nuk zbatohet në Greqi. Situata në Greqi është shumë e lodhshme dhe e rëndë”. Ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel, u përpoq edhe një herë të mbrojë masat ekonomike të kërkuara për t’u zbatuar në Greqi, duke thënë se ato janë “të nevojshme” dhe se Greqia duhet të plotësojë detyrimet që ka ndaj Europës. Në këtë mënyrë, ajo këmbëngul për një Europë solide dhe të aftë për të qëndruar protagoniste në rang botëror edhe në të ardhmen.
Shqetësimi i Gjermanisë për Europën është që ajo (Europa) të vazhdojë të jetë protagoniste në botë, ndaj s’mund të “vazhdohet t’i përgjigjet krizës thjesht duke u zhytur në borxhe akoma më të rënda. Gjermania është përpjekur të japë kontributin e saj në zgjidhjen e krizës dhe nëse shihet borxhi gjerman, para krizës ishte rreth 60 për qind e PBB-së, ndërsa tani ka arritur në mbi 80 për qind. Kjo do të thotë se lëvizjet për të ndihmuar vendet në krizë financiare kanë pasur një çmim”.
Me sa duket, reformat ekonomike të ndërmarra nga Bashkimi Europian dhe vetë vendet anëtare po japin rezultate mjaft pozitive, por për t’i prekur ato duhet ende shumë kohë. Duket se kjo situatë krijon gjithashtu “dritaren kohore të tre muajve” për shpëtimin e euros.
ÇFARE DUHET BERE? RRITJE EKONOMIKE DHE PUNESIM, APO VETEM MASA FINANCIARE SHTRENGUESE?
Pas zgjedhjeve politike (presidenciale e tashmë dhe elektorale) në Francë, të fituara nga lideri socialist Fransua Hollande, takimit të tij zhvilluar me Presidentin Obama dhe kancelaren Merkel, si dhe duke konsideruar zhvillimet në Greqi dhe në vendet e tjera të eurozonës (sidomos në ato të infektuara nga efekti domino), ishte i pritshëm thellimi i ndarjes në mendimin dhe marrjen e masave për përballimin sa më të shpejtë dhe më të mirë të krizës së eurozonës. Tashmë në këtë debat janë përfshirë jo vetëm liderët e shteteve më të fuqishme, politikanët, por edhe ekspertët më në zë, analistë, studiues dhe ekonomistët më të shquar (Krugman, Stiglits, Justin Lin etj.).
Përballë është vënë teza e vazhdimit të përballimit të krizës me “masa financiare shtrënguese (shkurtime shpenzimesh të thella) që përgjithësisht (deri para zgjedhjeve presidenciale në France) u mbështet nga dyshja Merkel-Sarkozi dhe teza rritje ekonomike me punësim (shoqëruar me masa financiare të kujdesshme që nuk asfiksojnë ekonominë dhe çojnë në recesion), e përqafuar kryesisht nga Presidentët Obama dhe Hollande (së fundi dhe kreu i FMN-së, Christine Lagarde). Pa dyshim që ”prapa” këtyre tezave, veç përvojës teorike dhe praktike-konkrete, janë dhe interesat e ekonomive të këtyre vendeve, dhe njëherësh filozofitë e shkollave që ekonomistët që i kanë përqafuar përfaqësojnë.
Duket se “sugjerimet” amerikane drejt Europës për përballimin e krizës po konsiderohen dhe teza rritje ekonomike që sjell punësim po fiton më shumë terren. Nga ana tjetër, në vazhdim të masave të marra deri tani nga BE (në një sërë samitesh e takimesh, si krijimi i Fondit të Shpëtimit të euros, forcimi i masave mbikëqyrëse në sistemin bankar, krijimi i unionit fiskal, shkurtimi i shpenzimeve buxhetore për kontrollin e borxheve dhe të deficiteve), një sërë masash të tjera priten të merren nga vendet e eurozonës. Thelbi i masave të pritshme (veç politikave ekonomike të zhvillimit dhe lehtësive të biznesit), ka në qendër “forcimin e themeleve të euros”. Më konkretisht:
– Do të vihet në funksionim një mekanizëm unik që do të mbikëqyrë njëkohësisht bankat në të 27-të vendet anëtare të Bashkimit Europian. Ky mund të jetë gati duke nisur gjatë vitit 2013.
– Një ligj i ri për formimin e një fondi rezervë për bankat dhe institucionet financiare nëpërmjet një takse të re për qytetarët, gjithashtu është planifikuar të zbatohet duke nisur nga viti i ardhshëm.
– Gjithashtu, masa për mbrojtjen e taksapaguesve nga dështimi i bankave, parashikojnë formimin e depozitave të mjaftueshme për të mbrojtur kursimet në rastin e një kolapsi. (Kriza financiare globale ka zhytur në vorbullën e falimentimit një sërë bankash të mëdha, si Northern Rock, Lehman Brothers, bankat kryesore te Islandës, gjigantët belgo-holandezë Fortis dhe atë franko-belg Dexia etj.)
Megjithëse Britania e Madhe ka bërë të qartë se nuk do t’i bashkohet kësaj marrëveshjeje, duket se vendet e BE-së janë të vendosur për ta realizuar atë.
PO SHQIPËRIA?
Zhvillimet ekonomike në Shqipëri (për shkak të ndikimit të krizës në eurozonë dhe të zhvillimeve të brendshme të saj), po karakterizohen me rënie të dukshme të ritmeve të rritjes, duke iu drejtuar nivelit zero dhe me vazhdim të përkeqësimit të situatës së financave publike për shkak të vazhdimit të mungesës së kontrollit mbi borxhin publik dhe deficitin buxhetor. Ndodhur në këtë situatë dhe bazuar në paralajmërimin e fundit të Bankës Botërore se vendet në zhvillim duhet të përgatiten për kohë të vështira dhe një nivel rritjeje ekonomike më të ulët, dhe se ato duhet të përqendrohen në reforma për rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e infrastrukturës në mënyrë që të përballojnë situatën e pafavorshme ndërkombëtare nga ana e institucioneve tona shtetërore, duhet:
1-Të pranohet dhe të deklarohet publikisht dhe në mënyrë transparente gjendja ekonomike dhe situata reale e financave publike në vend, gjendja e deficitit buxhetor dhe e borxhit publik.
2-Të bëhen menjëherë ndryshimet në buxhetin e shtetit të këtij viti.
3-Ndryshimet në buxhet të mos prekin shpenzimet për paga dhe pensione dhe të projekteve më të domosdoshme me ndikim në zhvillimin ekonomik dhe në punësim, si dhe të lejohet sipas mundësive kryerja vetëm e atyre lloj shpenzimeve nga buxheti që mund të konsiderohen më të domosdoshme. Gjithashtu kërkohet frenimi i nismave populiste dhe elektorale të përdorimit të shpenzimeve për rritje hipotetike të pagave dhe pensioneve etj.
4- Në kushtet e një ekonomie në rënie kërkohet më shumë për të bërë në mbledhjen e të ardhurave nga administrata fiskale në luftën kundër evazionit, duke mos rënë pre e “situatës politike dhe asaj paraelektorale” me ndikim në “shthurje” të kësaj administrate.
5-Meqenëse situata buxhetore nuk lejon hapësirë për një manovër të gjerë fiskale, kërkohet marrja dhe mbështetje më e madhe nxitëse dhe lehtësuese për funksionimin më efikas të biznesit vendas dhe të huaj. Jo presionit, dhunës, politikave gjobëvënëse (të pamerituara).
6-Banka e Shqipërisë të rritë fleksibilitetin e politikës monetare (të interesave) dhe asaj të kreditimit në ekonomi, pa humbur vigjilencën ndaj rritjes së kredive të këqija.
7-Gjithashtu është e domosdoshme:
– të merren edhe masa të tjera të menjëhershme dhe afatmesme që lidhen me përcaktimin dhe harmonizimin efikas të politikave të rritjes ekonomike e të punësimit (modeli dhe prioritetet e zhvillimit) me ato fiskale, të munguara gjatë këtyre 3-4 viteve të fundit dhe me pasoja për situatën ekonomike, financiare e sociale në vend;
– zhvillimi i një reforme radikale në fushën e sigurimeve shoqërore (që nuk bazohet në dhe vetëm rritjen e moshës së pensionit, por në ndryshime thelbësore funksionale të sistemit) dhe sigurimeve shëndetësore dhe gjithë këtij sektori në tërësi;
– zhvillimin e arsimit, teknologjisë, telefonisë, dixhitalizimit, shkencës, përmes një projekti të ri “SMART ALBANIA”.

© Panorama.al

Te lidhura