Alarm “SOS” në det, dy turistë gjermanë rrezikuan mbytjen

Jun 14, 2011 | 11:02

VLORE – Dy turistë gjermanë rrezikuan mbytjen dje në ujërat e Jonit. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, teksa, sipas burimeve të Policisë Kufitare, dy turist gjermanë po lundronin me mjetin e tyre jaht tip “Velier”, në zonën në afërsi të Dhërmiut, te vendi i quajtur “Gjiri i Llamanit”. Gjatë lundrimit me jahtin të tyre në këtë zonë, e cila ndodhej jo më larg se një milje nga bregdeti i Dhërmiut dhe atij të Himarës, jahti ka pësuar një defekt në motor dhe më pas ka dalë jashtë funksionit i gjithë sistemi i mjetit lundrues. Turistët, të cilët vinin nga Greqia, kanë mundur të ngrenë velat e mjetit për të dalë në bregun më të afërt. Por deti me dallgë nuk i ka lejuar. Dallgët e mëdha kanë bërë që në bordin e mjetit lundrues të futet ujë. Të ndodhur në këto kushte, turistët kanë njoftuar Ambasadën Gjermane në Tiranë për rrezikun, si dhe kanë lëshuar sinjalin “SOS”. Pas sinjalizimit të marrë, Ambasada Gjermane ka dhënë alarmin duke njoftuar rojet bregdetare, të cilëve, bazuar edhe në koordinatat që iu kanë dhënë vetë turistët, iu kanë dhënë hollësi për vendin ku ata ndodheshin. Në ndihmë të tyre ka shkuar anija ushtarake që ndodhej në zonën e Porto-Palermos. Ata kanë marrë turistët e huaj në bordin e tyre, ndërsa tentuan të tërheqin edhe jahtin drejt bregut. Por, pas pak minutash, mjeti lundrues është mbushur me ujë dhe është mbytur.              q.b

© Panorama.al

Te lidhura