Alarm për zjarret maqedone, ushtarët vënë prita në kufi

Sep 1, 2012 | 11:13

Rrezikohen fshatrat e Librazhdit. Retë e tymit pengojnë helikopterin.

Shtohen vatrat e zjarrit. Në kushtet e temperaturave të larta dhe erës, flakët e zjarrit janë shtuar më tej, duke shënuar dje 21 zona të pushtuara prej tij, nga 16 të një dite me parë. Asnjë ndërhyrje nga ajri nuk është mundësuar ditën e djeshme, për shkak të kushteve atmosferike dhe reve të tymit mbi vatrat e zjarrit. Si të mos mjaftonin zjarret në vend prej javësh, rreziku po vjen dhe nga shteti fqinj. Një zjarr i rënë në rrethana ende të paqarta përgjatë kufirit Shqipëri-Maqedoni, në malin e Raduçit, po përparon me shpejtësi në drejtim të Shqipërisë duke u kthyer në rrezik për Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë dhe fshatrat e Steblevës deri në Bulqizë. Duke qenë se flakët e zjarrit të favorizuara edhe nga era po afrohen drejt Parkut Kombëtar, nën drejtimin e prefektit të Qarkut të Elbasanit u mblodh dje Shtabi i Emergjencave Civile, si dhe janë përcaktuar masat që duhen marrë për shmangien e një katastrofe të mundshme nga zjarri që ka rënë përtej kufirit me Maqedoninë. Prefekti Shefqet Deliallisi konfirmoi se dje u dislokuan forca dhe mjete të shumta në afërsi të kufirit, në zonën që parashikohet se rrezikohet nga zjarret që po përparojnë nga Maqedonia në drejtim të Shqipërisë. Sipas prefektit është parashikuar që të ngrihen barrikada dhe me gurë, të pakalueshme nga zjarri, duke qenë se koha është e mjaftueshme, përderisa flakët e këtij zjarri janë ende disi larg tokës dhe pyjeve shqiptare. Ndërsa në Parkun Kombëtar të Bozdovecit, forcat e Ushtrisë nuk po arrijnë të vënë flakët nën kontroll. Edhe pse një ditë më parë kanë mbërritur në vend qindra forca të Ushtrisë, situata është e rëndë. Tashmë është duke u djegur edhe pjesa lindore e këtij Parku, ndërsa sipas burimeve zyrtare treçereku është shkrumbuar totalisht.
Shqetësim mbeten dhe zjarret në Pukë, Kukës e Dibër. Në këto zona ku ka më shumë vatra, kanë shkuar forca dhe mjete të Ushtrisë, por flakët vetëm sa fitojnë terren, duke u përhapur më tej. Në komunën Qafë-Mali, fshati Orosh, era e fortë transportoi flakët drejt komunës Blerim, ndërsa një vatër e re u shfaq në Qafë-Shari, në komunën Iballë. Në qarkun e Kukësit më problematik është zjarri në malin e Koritnikut, në komunën Tërthore, pasi futja me mjete është e pamundur. Drejt këtij masivi mjaft të pasur me pyje, që përgjithësisht është ruajtur nga dëmtimet dhe zjarret, janë nisur forca të shumta dhe banorë të fshatit. Ky mal është i përfshirë nga zjarret dhe matanë kufirit në Kosovë.

Situata e zjarreve në vend
Qarku Dibër: Zjarre ka Parkun e Lurës, në Klenjë, në fshatin Kacni, malin e Bejinit, në malin Skënderbeg
Qarku Elbasan: Zjarret vazhdojnë në malin e Raduzit, komuna Stëblevë dhe në fshatin Tushaj në Gramsh
Qarku Korçë: Ka aktive 3 vatër zjarri, ku më problematike është ajo në Parkun Kombëtar të Bozdovecit
Qarku Kukës: Ka aktive 3 vatra zjarri, në komunën Margegaj, në Dragobi dhe në malin e Koritnikut, në komunën Tërthore
Qarku Tiranë. Ka 1 vatër zjarri aktive, vetëm ajo në Malin e Dajtit.
Qarku Shkodër: Ka aktive 6 vatra zjarri, ku më rëndë paraqitet gjendja në Malësi të Madhe dhe Pukë
Qarku Lezhë: Ka aktive 2 vatra, në fshatin Orosh dhe Lari

Dibër, zbuten flakët në Parkun e Lurës
DIBER – Tri javë pas rënies së zjarrit të parë në Parkun Kombëtar të Lurës, dje kanë mbërritur në Fushë-Lurë dhe në masivet pranë liqeneve të Lurës drejtues e specialistë të Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Dibër. Po ashtu, dje një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes dhe një skuadër ushtarësh, së bashku me 20 banorë të komunës Lurë, kanë punuar për shuarjen e zjarreve. Burime nga terreni bëjnë të ditur se dy vatrat në Parkun Kombëtar të Lurës janë më pak aktive, ndërkohë që gjendja paraqitet kritike pranë Liqenit të Luleve dhe në itinerarin Qafa e Mërkurthit-Krej Lurë-Vlashaj-Armollë. h.p.

© Panorama.al

Te lidhura