
Mbytet në liqenin e Fierzës anija e udhëtarëve. Plot 15 pasagjerë që lundronin me një anije të vogël nga Komani në drejtim të Fierzës, kanë përjetuar një aventurë të vërtetë në liqen teksa mjeti lundrues u mbush me ujë dhe po fundosej.Fatmirësisht nuk ka pasur viktima, por ngjarja ka alarmuar udhëtarët dhe autoritetet lokale. Sipas Policisë së Tropojës, ka qenë ora rreth 12:30 kur anija e Tonin Zefit, sapo ka mbërritur te përroi i Selcës, është diktuar se ka pësuar çarje dhe ka nisur të fusë ujë. Drejtuesi i anijes ka dhënë alarmin duke u bërë thirrje atyre që dinin të notonin që të hidhen në ujë, ndërkohë që për 6 pasagjerët që nuk dinin not, menjëherë u janë veshur pajisjet e shpëtimit dhe kanë mundur të dalin në breg duke shmangur kështu një tragjedi në ujërat e Komanit. Megjithatë, drejtuesi i mjetit dhe pasagjerët kanë ndihmuar njëri-tjetrin për të dalë në breg shëndoshë e mirë. Ata nuk kanë pasur nevojë për ndihmën spitalore, por kanë qenë dëshmitarë të fundosjes në rreth 30 metra thellësi të anijes me kapacitet 40 vende. Për fat, kjo avari ka ndodhur në një pjesë mjaft të ngushtë të liqenit, ku largësia mes dy brigjeve nuk është më shumë se 50 metra, dhe anija lundronte në mes, gjë që do të thotë se brigjet anësore nuk ishin më shumë se 25 metra. Duhet shtuar dhe fakti se në këtë ngushticë, përroi i Selcës sjell shumë inerte nga reshjet dhe nuk dihet saktësisht se sa ka qenë thellësia. Madje, në kohërat me shi, edhe tragetet janë bllokuar pasi rrjedha e madhe e lumit që vjen nga shpati i malit e ndan në mes liqenin dhe shpeshherë janë rrezikuar tragetet e është ndërprerë lundrimi mes shumë rreziqesh për udhëtarët.
Anija në fjalë ishte marrë tre vjet më parë nga deti dhe konstruktorët e kishin kolauduar në kushte të mira teknike. Por mbetet enigmë shkaku i çarjes, duke mos përjashtuar edhe ndonjë përplasje me shkëmbinjtë në afërsi të përroit. Anija ka kapacitet 40 vende dhe shkonte nga Komani drejt Fierzës me më pak se gjysmën e kapacitetit transportues. Në të ndodheshin kryesisht pasagjerë të fshatrave të Pukës dhe Tropojës, të cilët zbresin në stacione të ndërmjetme, dhe jo si dy tragetet që nuk kanë ndalesë dhe mundësi ankorimi nga Komani deri në Fierzë. Lundrimi nga Komani deri në Fierzë zgjat afërsisht 2 orë.
TROPOJE/ JONUZ HALLAÇI











